Site icon Telegrafi

Thaçi në Euronews: Kam qenë larg nga frontet e luftës

“Unë kam qenë larg fronteve të luftës. Lufta ime ka qenë politike. Ne e kemi mundur Serbinë bashkë me bashkësinë ndërkombëtare dhe kjo ka qenë fitore e madhe”, ka thënë Thaçi kur është pyetur nëse ka vrarë vetë ose ka dhënë urdhër për të vrarë dikë, transmeton KTV.

Ai është pyetur edhe për akuzat e Dick Martyt për organet.

“Kurrë nuk kam dhënë urdhër që kanë shkelur ligjet ndërkombëtare. Ne kemi thyer ligjet e Miloseviqit, që kanë qenë diskriminuese. Sa u përket akuzave për organet, për herë të parë kam dëgjuar nga raporti i Dick Martyt. Kurrë nuk besoj se ndonjë ushtar i UÇK-së ka marrë organe të civilëve. Është një tregim fanatastiko-shkencor që nuk mund ta besoj. Askush nuk e beson”, ka thënë Thaçi.

Ai e ka vlerësuar si momentin më të vështirë nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë duke thënë se Kosova e Serbia nuk janë mësuar të jetojnë në paqe. Kryeministri i Kosovës është pyetur edhe për krimin e korrupsionin e lartë, por tha se vendi ka shënuar progres në luftimin e tyre.

Thaçi ka pohuar se partia e tij do të vazhdojë të udhëheqë me Kosovën edhe pas zgjedhjeve parlamentare të këtij viti. /KTV/Koha/

 

Exit mobile version