Thaçi: Kosova, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi në mbledhjen e Këshillit Konsultativ për Komunitete tha se dialogu mes komuniteteve është prioritet i tij.
Ai tha se Kosova është një shtet me të drejta për të gjitha komunitetet, atdhe i gjithë qytetarëve të saj.
"Gjatë këtij viti kemi arritur të promovojmë dialogun edhe më shumë", tha ai.
Sipas tij, angazhimet gjatë këtij viti kanë qenë të rëndësishme për promovimin e ligjit kundër diskriminimit, në fuqizimin e rolit të femrës, çështjen e arsimit etj.
"Jeta më e mirë ndërtohet duke u pajtuar për bashkëjetesë, bashkëpunim e partneritet mes të gjithë neve", tha ai, raporton Telegrafi.
Ai tha se përkrah kërkesën e Këshillit për rritjen e buxhetit. “Do të punojmë me institucionet relevante që vitin e ardhshëm të keni një buxhet që ju përgjigjet më mirë nevojave tuaja”, ka thënë ai.
Presidenti shtoi se vitin e ardhshëm do të shënohet dhjetë vjetori i shpalljes së pavarësisë, derisa ka ftuar ata që të jenë pjesë e organizimit.
Në këtë mbledhje, përfaqësues të komuniteteve në vend theksuan problemet me të cilat ballafaqohen ata. /Telegrafi/


















































