Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të PDK-së, Xhavit Haliti, i cili ka thënë se ish presidenti Ibrahim Rugova, pas luftës në Kosovë kishte kërkuar azil politik në Gjermani.
Në një reagim në rrjetin social në Facebook, Gërvalla e ka quajtur Halitin gënjeshtar.
“Ky Xhavit Haliti është thjesht një gënjeshtar i madh! Më shumë nuk ka çfarë të thuhet as për të e as për deklaratat e tij”, ka shkruar Gërvalla, transmeton Telegrafi.
Haliti tha sonte në RTV Dukagjini se gjatë luftës Rugova ishte detyruar të kthehej në Itali, ku qëndroi për një periudhë kohore.
“Rugova, kur shkoi nga Beogradi në Itali dhe në Gjermani, kërkoi azil politik, por nga Gjermania nuk ia dha azil politik. U kthye në Itali dhe qëndroi atje. Unë personalisht, së bashku me Hashim Thaçin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, kemi dërguar njerëz te Rugova në Itali dhe e kemi lutur që të vijë në Shqipëri, mos të qëndrojë atje”, ka thënë Haliti. /Telegrafi/