Seanca për konsituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish. Kuvendi ka mbetur pa zgjedhur kryeparlamentarin dhe nënkryetarët.

Kundërshtimet vazhdojnë të jenë nga partitë PDK, LDK dhe AAK, të cilat kanë deklaruar qartazi se nuk do ta votojnë të propozuarën e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për kryeparlamentare.


LVV në seancën e sotme propozoi sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, e njëjta sërish dështoi të marrë votat. Pro saj votuan vetëm 57 deputetë.

Edhe në tri votimet e mëhershme, Haxhiu mori vetëm 57 vota. Për të kaluar suksesshëm votimi, Haxhiut i nevojiten më së paku 61 vota.

Seanca u ndërpre nga kryesuesi Avni Dehari, i cili edhe deklaroi se kjo seancë do të vazhdohet ditën e diel, 27 prill në ora 10:00.

Telegrafi do të ju mbajë të informuar në kohë reale për të gjitha zhvillimet në Kuvend.

25/04/2025 11:49-Haxhiu: Nëse partitë refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka theksuar se mungesa e vullnetit politik për ta konstituuar Kuvendin po e shtyn vendin drejt një zgjidhjeje të pashmangshme "zgjedhje të reja".

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të konstituohet. Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Por duket se mungon vullneti për konstituimin e Kuvendit. Jemi shumë të gatshëm të flasim me partitë politike që të flasim për datën e zgjedhjeve”, tha Haxhiu.

Ajo shtoi se Vetëvendosje është e hapur për dialog me partitë e tjera lidhur me caktimin e një date për zgjedhje: “Nëse partitë refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë është e qartë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, përfundoi ajo.

25/04/2025 11:34-Kusari-Lila: Afati për konstituim të Kuvendit përfundon më 27 prill

Pas dështimit të seancës konstituive, ka pasur shumë reagime. Deputetja e LVV-së, Mimoza Kusari – Lila i është referuar Kushtetutës së Kosovës për afatin për konstituimin e Kuvendit.

Ajo ka përsëritur se opozita po e bllokon procesin duke votuar kundër kandidates për kryetare të Kuvendit.

“Është e paraparë në Kushtetutë që 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditë e diel, më 27 prill. Kjo situatë nuk është se mund të shkojë në pafundësi, mund të sjellë në një rrethanë tjetër ku diskutimi i përbashkët me subjekte po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, ka thënë ajo.

Lajmi i plotë këtu:

25/04/2025 11:15-Pas deklaratës së Paris Gurit, Agim Bahtiri i dhuron deputetit të LDK-së një biberon në Kuvend

Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës u ndërpre sërish, pasi kandidatja e propozuar për kryeparlamentare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu dështoi të marrë votat e mjaftueshme për këtë post.

Por, para nisjes së seancës, deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri bërë një veprim interesante, duke shkuar pranë deputetit më të ri të LDK-së, Paris Guri, duke i dhuruar një shishe të fëmijëve të mbushur me qumësht.

Lajmi i plotë këtu:

25/04/2025 11:06-Murati thotë se propozimi për Haxhiun si kryeparlamentare do të mbetet i pandryshuar

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se kandidatja Albulena Haxhiu është deputetja më e votuar dhe është absurde të mendohet që nuk i plotëson kushtet për këtë pozicion.

Murati në një prononcim për media tha se LVV-ja si parti fituese ka të drejtën e propozimit të kandidatit. Lexo lajmin e plotë.

25/04/2025 10:50-Krasniqi thotë se Kurti po i mban peng institucionet e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh deputeti, Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për mbajtjen peng të institucioneve të Kosovës.

Sipas Krasniqit, Kurti nuk ka shumicën parlamentare të nevojshme për formimin e qeverisë, dhe kjo është arsyeja pse procesi i formimit të qeverisë është bllokuar. Lexo deklaratën e plotë këtu.

25/04/2025 10:48-Dështimi i radhës i seancës, Limaj: LVV nuk i ka votat

Për të katërtën herë, Albulena Haxhiu ka dështuar të votohet për kryeparlamentare.

LVV propozoi sërish Haxhiun, por që e njëjta mori vetëm 57 vota.

Pas dështimit të seancës, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se “partia fituese e zgjedhjeve nuk i ka votat dhe duhet gjetur rrugë që të krijojë shumicën e cila do të krijonte themelimin e institucioneve”.

25/04/2025 10:43-Jepni mendimin tuaj duke votuar në sondazh

25/04/2025 10:34-Haxhiu dështon sërish të votohet për kryeparlamentare

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, por që e njëjta për të katërtën herë ka dështuar të marrë votat.

Të pranishëm në sallë ishin 118 deputetë.

Për Haxhiun votuan vetëm 57 deputetë, kundër ishin 48 deputetë dhe tre deputetë abstenuan.

Seanca u ndërpre për të vazhduar pas 48 orësh.

25/04/2025 10:31-Balje mohon se ka ndonjë marrëveshje me LVV-në: Nuk e ndryshojmë qëndrimin

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga komuniteti boshnjak, Duda Balje mohon spekulimet se do të votojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun.

“Nuk e ndryshojmë qëndrimin... ku ka qenë Arbër dhe çfarë problemi ke ti me boshnjakët me gjet zgjidhje bashkë? Kam thënë njëherë dhe jam prapa qëndrimit tim”, ka thënë Balje.

25/04/2025 10:23-​Qëndrimi i AAK-së për seancën e sotme, deklarohet deputeti Brahimaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lahi Brahimaj ka shprehur qëndrimin e kësaj partie para fillimit të seancës konstitutive.

Ai tha se që as nuk do të votojnë për Albulena Haxhiun kryeparlamentare, veçse shtoi se vota e tyre do të jetë pro nëse kandidate është Saranda Bogujevci.

“As sot nuk do të votojmë, vetëm nëse është Saranda Bogujevci”, deklaroi Brahimaj.

Lajmi i plotë këtu:

25/04/2025 10:21-​Tahiri: Nuk ka ndërruar asgjë, që të ndryshoj qëndrimi jonë

Në nisje të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri shkurt tha se nuk ka ndërruar asgjë që më pas të ndryshoj edhe qëndrimi i kësaj partie.

“Nuk ka ndërruar asgjë, që me ndërruar qëndrimi jonë tash po vazhdojmë në seancë“, tha ai.

Lajmi i plotë këtu:

25/04/2025 10:20-A do ta votojë Nisma, Haxhiun për kryeparlamentare? – deklarohet Limaj

Kreu i Nisma Socialdemokrate, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj është deklaruar shkurt për media duke treguar qëndrimin e partisë së tij nëse do ta votojnë kandidaten për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiun.

Limaj tha se qëndrimi i tyre është i njëjtë dhe nuk ka ndonjë ndryshim.

“Qëndrimi ynë është i njëjtë, është i njëjtë ashtu siç ka qenë herëve të kaluara”, tha shkurt Limaj.

25/04/2025 10:18-“Ka përafrim”, deputeti i LVV-së flet për koalicionin e mundshëm me Nismën Socialdemokrate

Deputeti i LVV-së, Arbër Rexhaj, ka folur rreth konsituimit të Kuvendit.

Rexhaj tha se marrëveshja me Nismën Socialdemokrate, ende nuk është bërë, megjithatë tha se ka përafrime mes dy subjekteve politike.

“Ka pasur tendenca për të arritur marrëveshje me Nismë, por ende nuk është bërë. Besoj që ditët në vazhdim duhet arritur marrëveshja. Ka një lloj përafrimi. Takimet po vazhdojnë edhe me minoritetet jo shumicë”, tha ai.

Lajmi i plotë këtu:

25/04/2025 10:09-Deputeti i PDK-së, Gruda: Nuk e votojmë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare.

Gruda kështu konfirmoi para mediave, pak para nisjes së seancës konstituive.

Seanca për konstituimin e Kuvendit është planifikuar të fillojë rreth orës 10:00

25/04/2025 09:52-Gërvalla: S’ka arsye të mos votohet Haxhiu, partitë politike t’i thërrasin mendjes

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Guxo, Donika Gërvalla Schwarz u ka bërë thirrje partive politike që të votojnë kandidaten për kryetare të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albulena Haxhiun.

Gërvalla Schwarz para mediave tha se deputetja e LVV-së, Haxhiu është më e votuara nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Tutje ajo tha se arsyetimet e partive politike duke refuzuar të votojnë Haxhiun është false.

“E kemi thënë qartë se Albulena Haxhiu është kandidatja jonë. Haxhiu është femra më e votuar në vend në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk ka asnjë arsye asnjë parti, ose grup parlamentar të refuzojë votën për Albulena Haxhiu. Është jo vetëm një personalitet i jashtëzakonshëm, por është edhe një person që me aktivitetin e saj politik ka dëshmuar përkushtimin e saj për këtë vend. Andaj kjo është arsyetim false. Arsyetimi i vërtetë është që partitë nuk duan të pranojnë rezultatet e 9 shkurtit”, ka thënë Gërvalla.

Lajmi i plotë këtu:

25/04/2025 09:34-A ka arritur marrëveshje Kurti me Duda Baljen, flet Peci

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Guxo, Faton Peci ka thënë se nuk e din nëse ka marrëveshje mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe deputetes nga komuniteti boshnjak, Duda Balje.

Peci gjatë hyrjes në objektin e Kuvendit ju ka thënë gazetarëve se nëse ka marrëveshje me deputeten Balje për ta votuar kandidaten për kryeparlamentare nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje duhet të drejtohen tek Kurti.

“Drejtohuni akterit kyç për këtë, nuk kam informacion”, ka thënë Peci.