Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u përballën sot me njëri-tjetrin gjatë vendosjes së gurthemelit të çerdhes në Bardhosh.

Ishte i pari i Prishtinës ai që gjatë adresimit për media iu lut kryeministrit në detyrë që ta zhbllokonte buxhetin e kryeqytetit, duke përmendur projektet e mëdha të ngecura për shkak të mungesës së bashkëpunimit.


E Kurti iu kundërpërgjigj, duke e kritikuar Ramën për mënyrën si i cilësoi projektet dhe duke aluduar në humbjen e tij në zgjedhjet lokale, duke thënë se “, kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër”.

E në këtë përplasje mes tyre janë përfshirë edhe deputeti i LDK-së, Paris Guri, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati dhe drejtoresha e Kulturës në Prishtinë, Sibel Halimi

Deputeti Guri e komentoi me një postim në Facebook deklaratën e sotme të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ku i tha se Rama duhet të gjejë një punë tjetër në vjeshtë.

“Qështu i thojshin edhe para 4 vjete Përparimit, po i vetmi që e ka pas ndërru vendin e punës ka qenë Arben Vitia”, shkroi Guri, duke kujtuar se Arben Vitia, i kthyer në Ministrinë e Shëndetësisë, përkohësisht ishte bërë udhëheqës i një laboratori privat, pasi i kishte humbur zgjedhjet për kryetar të Prishtinës.

E ministri në detyrë, Hekuran Murati tha se opozita është fajtore që ka mbetur pezull edhe ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit.

“Për shkak se opozita po e bllokon konstituimin e Kuvendit, ka mbetur pezull edhe ndryshim plotësimi i Ligjit të Buxhetit, që do të përfshinte buxhetet e tri komunave të cilat ishin vonuar në miratimin e buxheteve komunale sipas afateve ligjore - pra buxhetet komunale janë miratuar në asambletë përkatëse tek pas votimit të Ligjit të Buxhetit në Kuvend dhe kësisoj ato buxhete ende nuk janë në fuqi.  Njëra ndër këto komuna që është vonuar me miratim të buxhetit është edhe Prishtina”, ka shkruar Murati.

Murati tha se Rama duhet të ankohet tek partia e tij, LDK-ja e cila po vonon plotësimin e Ligjit të Buxhetit duke mos e votuar.

“Pra kur Përparim Rama kërkon zhbllokimin e buxhetit komunal, adresa e duhur për ankesë është pikërisht partia e tij LDK, e cila duke mos votuar për konstituimin e Kuvendit, po e vonon edhe plotësimin e Ligjit të Buxhetit, për ta përfshirë edhe buxhetin e Komunës së Prishtinës si pjesë përbërëse.  Megjithatë, mos-hyrja në fuqi e Buxhetit të Komunës së Prishtinës, nuk e ka ndalur Përparim Ramën dhe LDK-në që të nënshkruajnë kontrata milionëshe e të shpallin tenderë milionësh pa kurrfarë mbulese në stilin “aksham-pazar”, duke shkelur kështu Ligjin për Financa Publike dhe atë të Prokurimit Publik”, ka shkruar ministri në detyrë i Financave.

Ai ka theksuar se për këto shkelje, do të duhej qëmoti të ishte aktivizuar prokuroria, “por deri më tani nuk kemi parë asnjë veprim nga ana e tyre”.

Në këtë përplasje është përfshirë edhe drejtoresha për kulturë në komunën e Prishtinës, Sibel Halimi e cila e ka quajtur shpellar Albin Kurtin.

“Mendësi shpelle, ky është realiteti që vazhdon të mbysë çdo ide, çdo iniciativë dhe çdo përpjekje për ta bërë Kryeqytetin një vend më të jetueshëm dhe më dinjitoz. Në vend që të mbështesin punën dhe përkushtimin, gjejnë kohë vetëm për cinizëm të paskrupullt dhe bllokada të vazhdueshme. Është e pabesueshme ku kemi përfunduar: pa Parlament, me institucione të paralizuara dhe me barriera të vendosura me qëllim, vetëm për ta mbajtur vendin peng të një mentaliteti të kalbur”, ka shkruar Halimi. /Telegrafi/