LAJMI I FUNDIT:

Telegrafi Sport zgjedh më të mirët e vitit 2024 në Superligën e Kosovës

Telegrafi Sport zgjedh më të mirët e vitit 2024 në Superligën e Kosovës

Redaksia e Sportit në Telegrafi, portalit lider në vend, ka shpallur fituesit e çmimeve për lojtarët më të mirë të Superligës së Kosovës në futboll për vitin 2024.

Gjatë vitit 2024, futbolli ynë shënoi periudha të mbushura me rivalitete dhe garë të fortë mes ekipeve, si në gjysmën e fundit të sezonit 2023/24 ashtu edhe në pjesën e parë të edicionit 2024/25, ku futbolli kosovar vazhdoi të tregojë zhvillim dhe përmirësim të qëndrueshëm.

Përveç sukseseve të mëdha ekipore, lojtarët e Superligës treguan rritje individuale dhe performanca të larta, ku veçohet suksesi i ekipit kampion, Ballkani, që fitoi titullin e tretë me radhë.


Telegrafi, që mbetet burim i besueshëm dhe i përkushtuar ndaj ndjekjes nga afër të futbollit vendor, ka zgjedhur të ndajë sërish çmimet për lojtarët më të dalluar të vitit 2024 në ligën elitare të Kosovës, por edhe atë të femrave.

Lindon Emërrlahu, mesfushori i skuadrës kampione, Ballkani, është emëruar si futbollisti më i mirë i vitit nga redaksia e Telegrafi.

Telegrafi gjithashtu ka shpërblyer paraqitjet në pozicione të tjera me çmimet për portierin, mbrojtësin, mesfushorin dhe sulmuesin më të mirë të vitit, të cilat iu akorduan Enea Koliçit (Ballkani), Besnik Krasniqit (Drita), Albert Dabiqaj (Drita) dhe Drilon Hazrollaj (Malisheva). Ilir Daja i Ballkanit u shpall trajneri më i mirë për të tretin vit me radhë.

Ndërkohë, çmimi “Më i Miri nga lexuesit” u nda për herë të tretë dhe iu dorëzua Drilon Hazrollajt të Malishevës, pasi kishte dukshëm vota më shumë se sa lojtart e tjerë.


Enea Koliçi – Portieri më i mirë i vitit

Portieri i Ballkanit, Enea Koliçi, në vitin 2024 ishte ndër më të merituarit në sukseset e ekipit të tij, që fitoi të gjithë trofetë.

Ai me pritjet e tij e dërgoi Ballkanin drejt fitimit të titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi
Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Koliçi në vitin 2024 ruajti portën në 30 ndeshje, duke e mbajtur portën e paprekur në 17 raste.

Edhe në garat ndërkombëtare këtë vit, ai ishte prej më të dalluarve te Ballkani, edhe pse klubi nuk arriti t’i përmbush pritshmëritë.

Ai konfirmohet si një nga portierët më të mirë të kampionatit tonë.


Besnik Krasniqi – Mbrojtësi më i mirë i vitit

Vitet janë vetëm numër për Besnik Krasniqin në futbollin e Kosovës, pasi ai vazhdon të konfirmohet si prej më të mirëve çdo vite.

Besnik Krasniqi në krahun e djathtë ishte i pandalshëm këtë vit, duke e ndihmuar Dritën të sigurojë garat evropiane, ku u paraqitjen me mjaftë sukses.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Në vitin 2024, ai zhvilloi 33 ndeshje ku edhe pse mbrojtës, arriti të shënojë 7 gola, ndërsa asistoi 11 herë për bashkëlojtarët.

Besnik Krasniqi mbetet prej lojtarëve më të mirë në futbollin vendor, ndërsa këtë sezon me Dritën ai arriti të shpallet kampion vjeshtor.


Albert Dabiqaj – Mesfushori më i mirë i vitit

Mesfushori i Dritës, Albert Dabiqaj, mbetet një nga lojtarët më të mirë në futbollin tonë, ndërsa edhe ofertat pas këtij viti të shkëlqyer nuk kanë munguar.

‘Dabi’ edhe këtë vit dominoi mesfushën në futbollin kosovar, me paraqitjet e tij shumë të mira me fanellën e Dritës.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Viti 2024 ishte shumë i mirë për të në aspektin individual, ku kishte 32 ndeshje në total. Ai arriti të shënojë 11 gola, ndërsa shtoi edhe tri asistime.

Ky që po vjen mund të jetë viti i tij i fundit në futbollin e Kosovës.


Drilon Hazrollaj – Sulmuesi më i mirë i vitit dhe Lojtari më i miri i vitit nga lexuesit e Telegrafit

Pa dyshim që shpërthimi në vitin e fundit në futbollin e kosovës, ishte sulmuesi i Malishevës, Drilon Hazrollaj.

Ai ishte enigmë e pazgjidhur për mbrojtjet e ekipeve në Superligën e Kosovës, ndërsa fal paraqitjeve të tij ai e dërgoi Malishevën për herë të parë në histori në garat ndërkombëtare.

Pas paraqitjeve të mira, Drilon Hazrollaj ka marr ftesë edhe nga Kombëtarja e Kosovës, por që nuk ka debutuar ende.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ai në vitin 2024 kishte 31 ndeshje, ku shënoi 23 gola dhe dhuroi edhe gjashtë asistime.

Hazrollaj ka fituar edhe çmimin “Më i miri nga lexuesit” për vitin 2024, çmim i cili dhurohet për herë të tretë këtë vit nga redaksia e sportit në portalin numër një në vend Telegrafi.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Në këtë sondazh ku ishin plot 12 futbollistë, pati 10,000 vota, të cilat zgjodhën edhe fituesin.

Fitues i çmimit “më i miri nga lexuesit” ishte mbrojtësi i Drilon Hazrollaj, i cili fitoi 38 për qind të vota të përgjithshme.


Elvir Gashijani – Talenti i vitit

Sulmuesi anësor i Llapit, Elvir Gashijani, ka qenë një nga lojtarët që ka shperthyer këtë sezon në futbollin e Kosovës.

Me një shpejtësi të madhe dhe drbilim magjik, Gashijani fitoi zemrat e tifozëve në futbollin tonë.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Jo vetëm me fanellën e Llapit, por Gashijani ishte ndër më të mirët edhe në sukseset e Kosovës U19 në garat evropiane, ku arriti tu shënojë gola edhe ekipeve të mëdha.

Në vitin 2024, Gashijani zhvillloi 31 ndeshje me fanellën e Llapit, ku arriti të shënojë dy gola dhe të dhurojë pesë asistime.

Ofertat për të nuk kanë munguar dhe Llapit pritet të përfitojë nga diamanti që ka në duar.


Ilir Daja – Trajneri i vitit

Trajneri nga Shqipëria ka vulosur suksesin e tij me Ballkanin për të tretin vit radhazi.

Daja në sezonin e tij të tretë si trajner i therandasve solli titullin e tretë kampion në histori të klubit, ndërsa i solli Ballkanit edhe Kupën e Kosovës.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Edhe pse iu larguan pothuajse gjysma e ekipit në verë, ai luftoi që ta dërgojë sërish në Evropë, por nuk ia arriti.

Ai e mposhti konkurrencën e ashpër të Llapit dhe Dritës për titullin e kampionit në Superligë edicionin që lamë pas, ndërsa këtë sezon ai u largua nga klubi pas katër xhirosh. Në finalen e Kupës së Kosovës, Daja me Ballkanin mposhti Prishtinën. Daja ka thyej shumë rekorde në futbollin kosovar, që për një kohë vështirë se do të arrihen.

Ai me shumë suksese aktualisht e drejton ekipin e Dinamos së Tiranës.


Blerta Shala – Futbollistja më e mirë e vitit

Për herë të parë, Telegrafi, ka vendosur që të ndajë cmime edhe për futbollin e femrave, që cdo vite po vazhdon të ketë rritje, ndërsa angazhimi dhe rivaliteti nuk mungon.

Çmimin e parë për këtë kategori e fitoi futbollistja e KFF Mitrovicës, Blerta Shala.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ajo në vitin 2024 kishte 30 ndeshje, ku shënoi 10 gola dhe dhuroi 15 asistime.

Ajo ishte ndër me meritoret që KFF Mitrovica fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Blerta Shala është pjesë edhe e Kombëtares së Kosovës për femra tash e një kohë.


Lindon Emërllahu – Futbollisti më i mirë i vitit

Mesfushori i Ballkanit, Lindon Emërllahu, është një nga lojtarët më të mirë në futboll tonë, ndërsa sa i përket vitit 2024 më i miri.

Ai ishte dominues në pozitën e tij, ndërsa me Ballkanin fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Fal paraqitjeve të mira me fanellën e klubit suharekas, mesfushori u ftua edhe te Kombëtarja e Kosovës, ku me shumë sukses edhe fiton minuta.

22 vjeçari edhe aktualisht është lojtari më i dalluar i Ballkanit, që e ndihmon ekipin edhe përkundër ndryshimeve të mëdha si në skuadër, ashtu edhe në shtabin teknik.

Në vitin 2024, Emërllahu zhvilloi 28 ndeshje, duke realizuar dy gola dhe duke dhënë edhe një asistim.


FC Ballkani – klubi më i mirë i vitit

FC Ballkani në pjesën e parë të vitit 2024 arriti që të dominojë futbollin kosovar, duke fituar të gjithë trofetë e mundshëm.

Pasi fitoi titullin e kampionit, pas disa ditësh Ballkani u stolis edhe me Kupën e Kosovës.

Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Duke qenë se rregullorja e grave e FFK-së ka si rregull kush e fiton titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës, atëherë Superkupa e Kosovës i takon automatikisht.

Për dallim prej dy viteve të shkuara, Ballkani këtë vit nuk arriti të futet në grupe në Ligën e Konferencës, pasi që gjenerata e artë e këtij klubi është larguar pothuajse e tëra.

Aktualisht në këtë sezon, Ballkani është në vendin e dytë dhe shihet si pretendent për titullin e kampionit.