“Tela elektrikë në Liqenin e Ujmanit”, Policia dhe Prokuroria pas hetimeve: Nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale e Policisë Mitrovicë Veri, nën autorizimin e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, më 30.07.2025 ka nisur hetimin lidhur me deklarimet e kryetarit të Shoqatës së Peshkatarëve të Kosovës për praninë elektrikë në Liqenin e Ujmanit.
Në njoftim të Policisë bëhet e ditur se më 30.07.2025, i njëjti ka deklaruar në media se në Liqenin e Ujmanit janë vërejtur tela elektrikë të zhytur në ujë, të cilët, sipas tij, paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
“I njëjti është intervistuar sot në cilësinë e dëshmitarit, ku ka deklaruar se gjatë një aksioni për largimin e varkave pa leje, ka vërejtur tela në ujë dhe se, nëse aktivizohen, mund të paraqesin rrezik për qytetarët. Policia ka pranuar edhe një video në lidhje me këtë rast”, thuhet në njoftim.
Tutje, Policia bën të ditur se menjëherë pas pranimit të informacioneve, njësia e kontrollit kufitar ujor ka kryer kontrolle në terren, ku është konstatuar se këta tela nuk janë të lidhur me energji elektrike dhe nuk paraqesin rrezik.
Gjithashtu, Policia e Kosovës nuk ka pranuar as më parë ndonjë rast të raportuar në lidhje me këtë çështje.
“Pas analizimit të të gjitha provave dhe informacioneve, Prokuroria Themelore Mitrovice ka vlerësuar se nuk ekzistojnë elemente të ndonjë vepre penale. Policia e Kosovës apelon te qytetarët që të mos shqetësohen dhe të mos ndihen të frikësuar, pasi çdo rast i dyshimtë do të trajtohet me kujdes dhe seriozitet maksimal”, bëhet e ditur në komunikatë.
Policia thekson se Njësitë përkatëse të Kontrollit Kufitar Ujor, si dhe njësi të tjera policore, vazhdimisht kryejnë patrullime të rregullta në Liqenin e Ujmanit, me qëllim të garantimit të sigurisë së qytetarëve dhe monitorimit të situatës në terren. /Telegrafi/




















































