Të shtëna në një shkollë katolike në Minneapolis, raportohet për viktima - reagon Trump

(E Plotësuar) - Tre të vrarë dhe njëzet të plagosur nga të shtënat, thotë Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Drejtësisë deklaroi se tre persona janë vrarë gjatë të shtënave në Shkollën Katolike Annuation në Minneapolis, raporton skynews.
Në mesin e viktimave raportohet se është edhe i dyshuari për sulmin.
Të shtëna në një shkollë katolike në Minneapolis, raportohet për të plagosur
Policia ka konfirmuar se disa persona janë plagosur gjatë një të shtëne në shkollën katolike “Annunciation” në Minneapolis, në shtetin amerikan të Minesotës.
Sipas informacioneve të Wall Street Journal, numri i të plagosurve mund të jetë deri në 20, dhe mes tyre ka edhe fëmijë. Deri tani nuk ka informacione të konfirmuara për viktima në njerëz.
Policia ka njoftuar se “nuk ka më kërcënim aktiv” dhe se autori i sulmit është neutralizuar. Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin zonën rreth rrugës së 54-të, midis Lyndale dhe Nicollet Avenue, në mënyrë që shërbimet emergjente të mund t’u japin ndihmë të plagosurve.
FBI, patrulla shtetërore dhe policia lokale ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa rrugët përreth janë bllokuar.
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka konfirmuar se të shtënat ndodhën në një shkollë katolike dhe e ka përshkruar incidentin si një “akt të tmerrshëm dhune”.
Ai ka falënderuar shërbimet emergjente dhe ka bërë thirrje për lutje për fëmijët dhe mësuesit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë të ditur se është “plotësisht i informuar” për ngjarjen dhe se FBI “ka reaguar shpejt dhe ndodhet në vendin e ngjarjes”. “Lutuni për të gjithë ata që janë prekur”, ka shkruar Trump në Truth Social.
Sipas CBS News, sulmuesi ishte një burrë i veshur me të zeza dhe i armatosur me pushkë. Identiteti dhe motivet e tij ende nuk janë të njohura. /Telegrafi/



















































