Një turist 19-vjeç nga Britania e Madhe, në ishullin spanjoll Ibiza e ka pickuar një merimangë helmuese – ku sipas të gjitha gjasave mjekët do të detyrohen t’ia amputojnë dy gishta të dorës.
Britanikun e pickoi merimanga në plazh – përkatësisht në vendin e quajtur San Antonio – e dy javë i kaloi në spital ku mjekët tentuan të konstatojnë se çfarë po ndodhte me dorën e tij, transmeton Telegrafi.
Ai thotë se kishte ndjerë një pickim të lehtë derisa po qëndronte në plazh me miqtë, por jo se kishte ndjerë diçka të veçantë, megjithatë në orët e para të mëngjesit të nesërm e zgjoi dhimbja e madhe në dorë – duke e detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore.
Ai u dërgua në spital pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore, e pas dy javëve qëndrim dhe pas kryerjes së analizave të shumta – mjekët konstatuan se është pickuar nga merimanga ngjyre kafe që mund të shkaktoj nekrozë të indeve – e gjendja e tij varet nga sasia e helmit dhe imunitetit të tij.
I riu tha se u pushtua nga paniku kur pa se gishtërinjtë e dorës po i mavijoseshin. Ndërkohë, u rikthye në Uells ku e pret një operacion – dhe të paktën dy gishtërinj nga shuplaka e djathtë duhet t’i amputohen. /Telegrafi/