Për qejf a për zor, shumica e të rriturve kosovarë jetojnë me prindërit.
Nëse dikush e sheh këtë si prapambetje, i ngjashëm është trendi edhe në disa vende të Perëndimit.
Në Shtetet e Bashkuara, të dhënat e Byrosë së Regjistrimit për vitin 2024 tregojnë se përafërsisht 1 në 3 të rritur amerikanë të moshës 18 deri në 34 vjeç, jeton në shtëpinë e prindërve.
Në një pjesë të madhe të Evropës, sipas Agjencisë së Statistikave – Eurostat, ky proporcion është më shumë se një në tre.
Në Kroaci, për shembull, janë shtatë të rinj në dhjetë që zgjedhin shtëpinë e prindërve.
Për sociologun Artan Krasniqi, familja është një aspekt jashtëzakonisht i rëndësishëm i jetesës në Kosovë.
“Jemi shumë të lidhur”.
“Unë nuk mund të paramendoj të jetoj vetëm”, thotë Genita Rafuna.
“Ne jemi familje e madhe – dy prindërit dhe gjashtë fëmijë. Jam shumë-shumë e lidhur me ta”, thotë 23-vjeçarja nga Prishtina.
Genita, aktualisht, është studente në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë. Thotë se nuk ka pronë të veten, por edhe sikur të kishte, nuk do të jetonte vetëm.
“Unë jam mësuar në një ambient me shumë njerëz, me atmosferë, zhurmë e të qeshura në familje”, shprehet ajo.
Këtë ndjesi ndan edhe Faton Rexhepi. Tregon se i ka 37 vjet, punon në sektorin privat dhe jeton nën një çati me prindërit, vëllezërit e motrat.
Ky “mentalitet bashkëjetese”, siç e quan ai, “është krejt normal”.
“E ndiej veten rehat. Dua të kujdesem edhe për prindërit, sepse janë në moshë të shtyrë dhe kanë nevojë”, thotë Fatoni.
Ndryshe prej tij, Namon Muçiqi, 28 vjeç, do të donte të jetonte vetëm, por nuk i ka kushtet ekonomike.
Thotë se paga që merr nga puna në sektorin privat, nuk i mundëson të paguajë qiranë e një banese.
“Kështu që jetoj me prindërit. Është më lirë. Faturat për shërbime paguhen për të gjithë anëtarët. Ushqimi përgatitet për të gjithë. Ky stil i jetës është më i lirë”, sipas tij.
Çka thonë shifrat?
Një studim i organizatës Friedrich-Ebert-Stiftung, i publikuar në nëntor të vitit 2024, nxori në pah se 86 për qind e të rinjve në Kosovë nga mosha 14 deri në 29 vjeç jetojnë me prindërit e tyre, meqë është opsion më i thjeshtë dhe më i përshtatshëm.
Sipas studimit, vetëm 11.5 për qind e të anketuarve do të jetonin vetëm, nëse rrethanat financiare do t’u lejonin.
Të rinjtë që jetojnë në viset urbane, përbëjnë përqindjen më të lartë – mbi 37 – sa u përket preferencave për të jetuar vetëm, nëse do t’u mundësonin kushtet financiare.
Të dhënat e regjistrimit të popullsisë në vitin 2024, të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tregojnë se familjet në vend kanë mesatarisht 4.33 anëtarë.
Faktori kulturor dhe ai ekonomik
Artan Krasniqi, sociolog në Universitetin e Prishtinës, thotë se faktori i parë që i lë të rinjtë e rritur në shtëpitë e prindërve, është ai kulturor.
Sipas tij, vajzat e kanë edhe më të vështirë të vendosin të jetojnë vetëm pa u martuar, kryesisht për shkak të mentalitetit patriarkal.
Krasniqi thotë se një faktor tjetër që i kontribuon dukurisë, është edhe ai ekonomik.
“Sikur të kishin mirëqenie, punë të sigurt, banim me kosto të përballueshme, me siguri se do të rritej numri i atyre që do të donin të jetonin vetëm”, thotë ai.
Shkalla e papunësisë te të rinjtë në Kosovë është gati 20 për qind.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave për vitin 2023, mbi 62 mijë është numri i të rinjve nga 15 deri në 24 vjeç që llogariten fuqi punëtore, kurse mbi 52 mijë prej tyre janë të punësuar.
Shitja e banesave nëpër komuna
Indeksi i Çmimeve të Pronës Banesore tregon se në shtatë komuna të Kosovës, gjatë tre vjetëve të fundit, ka pasur rënie të vazhdueshme të shitjes së banesave.
Qiratë e banesave në Prishtinë sillen nga rreth 200 euro e lart, varësisht madhësisë, kushteve që i ofron dhe lokacionit ku ndodhet.
Çmimi për blerje të banesave, ndërkaq, nis nga 1.000 euro për metër katror deri në mbi 2.200 euro. Më së shtrenjti, ato janë në Prishtinë dhe në Prizren.
Marrë parasysh këto shifra dhe pagën mesatare në vend prej rreth 570 eurosh, profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Nagip Skënderi, thotë se në Kosovë nuk është krijuar standard i tillë ekonomik që të rinjtë të jetojnë të pavarur.
“Të jetuarit bashkë është më lehtë dhe më lirë”, thotë ai, duke shtuar se institucionet duhet të krijojnë mundësi, që çmimet e pronave për banim të jenë më të përballueshme.
Institucionet, përkatësisht Qeveria aktuale e vendit ka premtuar ndërtimin e 4.000 njësive banesore, kur është zgjedhur para gati katër vjetësh.
Asnjë prej tyre nuk është ndërtuar ende, por së paku në katër komuna janë caktuar lokacionet dhe është hapur tenderi për ndërtim.
“Po e nisim me komunën e Pejës, Gjilanit, Podujevës dhe Istogut, e shumë shpejt do të procedojmë edhe me nëntë komuna të tjera”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Facebook në fund të nëntorit.
Ai tha se vlera e projektit është mbi 38 milionë euro.
Pak ditë më vonë, më 5 dhjetor, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për banim social dhe të përballueshëm.
Në bazë të këtij ligji, mosha e njërit të çiftit që mund të përfitojë nga ky program, duhet të jetë nën 37 vjeç, nuk duhet të ketë në pronësi njësi banimi dhe të ketë mundësi të limituara financiare për të blerë banesë me çmime të tregut.
Sipas programit, familja përfituese do të bëhej pronare e banesës me këste mujore prej 120-150 eurosh në muaj, për një periudhë kohore prej 150 muajsh.
Gjashtë banesa për gjashtë muaj – shitjet ranë edhe këtë vit
Në Perëndim, faktori ekonomik është arsye më e fortë e të rinjve që jetojnë me prindër, sesa ai kulturor.
Ai është bërë më i theksuar pas pandemisë COVID-19 dhe shpërthimit të luftës në Ukrainë – ngjarje këto që kanë shkaktuar rritje të inflacionit gjithandej, por edhe humbje të vendeve të punës.
Në një anketë që ka publikuar Qendra e Kërkimeve Pew në vitin 2022, mbi një e treta e amerikanëve apo 36% kanë thënë se është një gjë e keqe për shoqërinë që më shumë të rinj të rritur jetojnë me prindërit e tyre, ndërsa 16% kanë thënë se është gjë e mirë për shoqërinë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Përzierje në kompetenca të rezervuara të NATO-s", ish-ushtaraku flet për mosdërgimn e FSK-së në veri
Rrjeti kosovaro-shqiptar i drogës pastroi miliona euro në agjencinë turistike të Lucernit
Gjeneral Jashari merr pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës
31 vjet burgim efektiv, 6 me kusht dhe 171 mijë euro gjobë ndaj 11 të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”
Këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votimin jashtë Kosovës
BE do t’i monitorojë zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Anisa i del në krah Gjestit teksa thumbon produksionin: Duhet ta falënderojë Leon që e largoi prej një vendi ku gjërat po shihen tashmë
Gjesti fut dy produksionet në “sherr”- BBVK paralajmëruan se do të shfaqej rrëfimi i Gjestit, por më pas pendohen dhe e fshijnë
"Mos prek me dorë", tensionohet situata mes Gjestit dhe Gertit në Big Brother VIP Albania
Vrasja e Ramazan Matajt, flet babai i autorit: Djali im të marrë dënimin e merituar
Ish-fituesi i Big Brother qe inicoi idenë e Gjestit në BBVA tregon paraskenat e transferimit: Ishte i mërzitur, e gjetëm në hotel të dëshpëruar
Çfarë do të thotë kërcënimi i Donald Trump për të marrë kontrollin e Grenlandës për BE-në dhe NATO-n?