Ka dështuar edhe seanca 56-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi Hekuran Muratin, i cili aktualisht është ministër i Financave për kryetar të Kuvendit. Por, as propozimi i tij nuk kaloi, pro tij votuan vetëm 57 deputetë.


Seanca u ndërpre nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i cili njoftoi se vazhdimi do të jetë më 24 gusht, në ora 11:00

Në seancën e kaluar, Lëvizja Vetëvendosje propozoi dy kandidate për postin e kryetares së Kuvendit, por asnjëra nuk arriti të sigurojë numrin e nevojshëm të votave. Fillimisht u propozua Albulena Haxhiu, e cila ishte kandidate që nga nisja e procesit, ndërsa më pas u nominua Donika Gërvalla.

Telegrafi do të ju mbajë të informuar mbi zhvillimet në Kuvend.

22/08/2025 12:10-Limaj: Duhet marrëveshje politike, çfarëdo zgjidhje parciale do të thotë zgjedhje të parakohshme

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka ritheksuar se duhet marrëveshje politike për ndërtimin e institucioneve, në të kundërtën sipas tij çdo zgjidhje parciale do të thotë zgjedhje të parakohshme. Deputeti Limaj pak para se të vazhdoj seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës tha se emri i kryetarit të Kuvendit duhet të dihet paraprakisht. “Nuk duhet të befasohet emri i kryetarit të Kuvendit, duhet të dihet paraprakisht, të ketë 61 vota të shkohet dhe të votohet ka vendimmarrje politike siç ka ndodhur herët tjera. Kontributi më i madh siguria për të ndërtuar institucione është sikurse ka ndodhur gjithherë kur ju nuk i keni votat e mjaftueshme dhe bëni përpjekje për marrëveshje politike e cila garanton dhe siguron shumicën parlamentare nga e cila del edhe kryetari i Kuvendit dhe qeveria e Kosovës. Dhe që këto ditë që kanë mbetur duhet të shfrytëzohen nëse duam që të ndërtojmë institucionet kjo është rruga çfarëdo zgjidhje parciale provokon situata tjera e jo krijim të institucioneve. Zgjedhje të parakohshme mund të provokon, mbetesh me zgjidhje gjysmake që nuk janë në interes të Kosovës. Ne jemi të përkushtuar dhe interesuar që Kosova t’i ketë të gjitha institucionet sa më shpejt”, deklaroi Limaj.

22/08/2025 11:32-Nuk kalon as propozimi i ri nga LVV, Hekuran Murati dështon të bëhet kryetar i Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar për kryetar të Kuvendit, Hekuran Muratin, i cili aktualisht është ministër i Financave. Ai ka dështuar të marrë votat e mjaftueshme për këtë post. Pro tij votuan vetëm 57 deputetë, kundër 58, dhe kanë abstenuar 6 deputetë. Seanca u ndërpre për të vazhduar më 24 gusht.

22/08/2025 11:28-Hekuran Murati propozohet nga LVV-ja për kryetar të Kuvendit

Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar për kryetar të Kuvendit deputetin Hekuran Murati. Deputetja Donika Gërvalla gjatë fjalimit të saj në Kuvend tha se Murati ka kryer shumë punë gjatë mandatit të tij si ministër, ndër të cilat përmendi shtesat për fëmijë dhe lehona.

22/08/2025 10:53-Deputetja Shqipe Selimi nuk deklarohet për Gërvallën, nuk flet as për mundësinë e kandidimit të saj për kryeparlamentare

Shqipe Selimi, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje nuk u deklarua për media kur u pyet lidhur me mosvotimin e saj për Donika Gërvallën, e cila në seancën e kaluar ishte e propozuara e LVV për kryetare të Kuvendit. Selimi para se të hynte në Kuvendin e Kosovës po ashtu nuk u përgjigj rreth asaj se a do të jetë kandidate për kryetare e Kuvendit. “Kalofshi mirë”, u shpreh shkurt Selimi, duke mos u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.

22/08/2025 10:48-Haxhiu thotë se nuk do të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e cila deri në seancën e kaluar ishte kandidate për kryetare të Kuvendit tha sot se nuk do të jetë propozimi i LVV-së për këtë pozitë. Haxhiu para seancës konstituive konfirmoi se nuk është ajo kandidate për kryeparlamentare. E pyetur nga gazetarët se a do të jetë sërish e propozuara e LVV-së, Haxhiu shkurt tha “unë jo”. Ndërkaq, se kush do të jetë kandidati tjetër i LVV-së për kryetar të Kuvendit, ajo u shpreh “e shihni pas pak”

22/08/2025 10:43-Haradinaj kërkon konsultime para nisjes së seancës: Ka plotë kandidatë të LVV-së që do të kishim mundur t'i votojmë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se do të kërkojnë konsultime me partitë politike para nisjes së seancës. Haradinaj tha se është mirë të jetë një kandidat unifikues. "Do të kërkojmë konsultë me partitë politike para seancës, se kush mund të jetë kandidat", tha ai duke theksuar se mund të votojnë edhe kandidatë tjerë përveç atyre që kanë përmendur. Ai tha se ka plotë kandidat të LVV-së që do të kishim mundur t'i votojmë.