Muhamet Mustafa

Që nga shkurti i sivjetmë, kur u mbajtën zgjedhjet e rregullta për Kuvendin e Kosovës, u ballafaquam me një sagë që po lë shije të rëndë përgjatë procesit të konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë së re. Pasojat e saj u përcollën me një legjitimitet të kontestuar dhe të lënduar të Qeverisë në detyrë, si dhe me pasoja negative për pozitën ndërkombëtare të vendit. Ndër më të rëndat, në aspektin ekonomik, është vonesa madhe e përdorimit të fondeve nga BE-ja - në kuadër të programit të rritjes ekonomike. Për një vend si Kosova, me nevoja të mëdha për investime në zhvillim ekonomik, arsim, kërkime, inovacion dhe shëndetësi, ky fakt nuk do të duhej ta linte indiferent askënd në nivel institucional dhe përgjithësisht në gjithë hallkat e shoqërisë.


Kur më në fund Kuvendi u konstituua, kur i dekretuari nga presidentja propozoi Qeverinë e re dhe ajo nuk mori besimin, u duk se të gjithë, në pozitë dhe opozitë, u pajtuan që sa më shpejtë të shkohet në zgjedhje të reja. Ndaj, ishte për t’u pritur se kjo do të materializohej shumë shpejtë.

Po kalon një javë dhe nuk po shohim asnjë përpjekje që kjo çështje të marrë rrugën dhe që zgjedhjet të mbahen në fillim të dhjetorit dhe që mundësisht Viti i Ri të na gjejë me Kuvend e Qeveri të re. Udhëtimet jashtë vendit, të cilat në kushtet normale sigurisht do të kishin rëndësinë e vet, në rastin tonë nuk do te duhej të ishin prioritet. Përkundrazi!

Nëse deri në fillim të javës që vjen nuk shpallet data e zgjedhjeve të reja, atëherë partitë politike duhet të ngrihen mbi nivelin e luftës primitive antagoniste, për pushtet me çdo kusht, dhe të aprovojnë një qeveri tranzicionale të përbërë proporcionalisht nga të gjitha partitë kuvendare e cila do të kryesohej nga një personalitet konsensual (jo nga ndonjëri prej liderëve partiakë)! Mandati i kësaj qeverie do të ishte deri në mars të vitit 2026, kur do të mbaheshin zgjedhjet e reja! Nëse ndonjëra nga partitë kuvendare refuzon të marrë pjesë në këtë qeveri, le ta formojnë ato që pajtohen me këtë - nën peshën e përgjegjësisë për evitimin e vakumit të stërzgjatur institucional.

Rrezikimi që vendi të mbetet pa buxhet ose me buxhet të kontestuar në aspektin ligjor, si dhe vonesa e vjeljes së fondeve nga programi i BE-së për rritje ekonomike, nuk do të duhej të toleroheshin më tuje.

Muhamet Mustafa: Komisioni për Zhvillim Ekonomik mbështet Projektligjin për Trepçën

2016/01/Muhamet-Mustafa-foto-ridvan-slivova-01.jpgMuhamet Mustafa: Komisioni për Zhvillim Ekonomik mbështet Projektligjin për Trepçën14:"Ridvan Slivova