Taylor Swift ka vënë nën ethe fansat pasi njoftoi albumin e saj më të ri, të titulluar "The Life of a Showgirl", i cili publikohet më 3 tetor, por mund të porositet me pagesë paraprakisht.

Ky është albumi i 12-të në karrierën e saj dhe përmban gjithsej 12 këngë, njëra prej të cilave është në bashkëpunim me artisten amerikane Sabrina Carpenter.


Pas përfundimit të turneut të saj madhështor Eras Tour, në shfaqjen e fundit, Taylor e përmbylli me dritë portokalli, një detaj që fansat e konsideruan si një aludim të fshehtë për projektin e radhës, të cilin tashmë e kishin hamendësuar.

Nuk është për t’u habitur që gjithçka ishte e planifikuar me kujdes nga Taylor, pasi edhe kopertina e albumit përmban të njëjtën ngjyrë portokalli.

Swift ka zbuluar se albumin e ka shkruar gjatë kohës kur ishte në turneun Eras Tour. E ftuar në podcastin e Jason Kelce, ajo ndau ekskluzivitetin për albumin dhe u pyet pse zgjodhi pikërisht këtë ngjyrë. Artistja e hiteve të panumërta tha se portokallia ka qenë gjithmonë një nga ngjyrat e saj të preferuara, pasi përfaqëson energjinë e jetës së saj.

“Ky album ka të bëjë me atë që po ndodhte prapa skenave, në jetën time të brendshme gjatë këtij turneu, i cili ishte kaq elektrizues dhe plot energji”, – deklaroi ajo.

Taylor zbuloi gjithashtu se, gjatë turneut, mbante tre shfaqje për tre ditë me radhë, ndërsa në tri ditët e pushimit udhëtonte për në Suedi, ku punonte për kompozimin dhe regjistrimin e albumit. /Telegrafi/