Tashmë konfirmohet edhe zyrtarisht: Ramadani trajner i Prishtinës në vend të Dallkut

Prishtina ka angazhuar kryetrajnerin e 23-të pas luftës. Ish-kapitenin dhe kryetrajnerin Armend Dallku, do ta pasojë trajneri 42 vjeçar, i lindur në Shkup më 21 janar, 1978, Zekirija Ramadani – thuhet në njoftimin e klubit kryeqytetas.
Ramadani para Prishtinës ka udhëhequr Shkupin (2014-2015 dhe 2018), Flamurtarin e Vlorës (2016), Trepçën ’89 (kampion, 2017), Feronikelin (2017 dhe kampion, 2018/19).
Si futbollist, ai është paraqitur për Shkëndijën (1995-1999 dhe 2009/10), Shkupin (1999-2004), Bashkimin Kumanovë (2004/05), Vëllazërimin Kërçovë (2005), Belasitsa Bullgari (2006/07), Rabotniçki (2006), Besa Kavajë (2007/08), Qarabag Azerbajxhan (2008/09), Vardar (2010) dhe Flamurtari Vlorë (2010/11).
Ramadani kundër Prishtinës ka udhëhequr në katër ndeshje Feronikelin (një fitore, dy barazime dhe një humbje, 2-2) dhe me Trepçën ’89 dy ndeshje (një barazim dhe një humbje, 1-1).
“Është privilegj i madh për mua të udhëheq Prishtinën. Patjetër që do të jetë përgjegjësi, sepse Prishtina është klubi ndër më të mëdhenjtë në rajon. Dhe, normalisht që duhet punuar shumë që të arrihet objektivi. Ishin të qartë edhe drejtuesit të cilët i falënderoj për besimin që më dhanë për të drejtuar ekipin e Prishtinës. Shpresoj dhe besoj që deri në fund t’i arrijmë objektivat duke besuar në kolektiv, duke besuar në stafin teknik dhe duke besuar edhe në drejtuesit”, citohet të ketë thënë trajneri i ri.





















































