Takimi i Osmanit me krerët partiakë, Kurti në Presidencë
Presidentja vendit, Vjosa Osmani sot do t’i takojë veç e veç kryetarët e partive politike, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin politik.
Takimi i parë i presidentes Osmani është me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Takimet e liderëve partiakë me presidenten do të mbahen nga ora 10:00 deri në ora 16:00.
E të enjten, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin në rastin KO124/25, lidhur me kërkesën e parashtruar nga deputetja Time Kadrijaj dhe dhjetë deputetë të tjerë të Kuvendit, që kundërshtonin vendimin për refuzimin e formimit të Komisionit për votim të fshehtë dhe vendime të tjera të ngjashme, të marra gjatë seancave konstituive të Kuvendit të mbajtura në prill dhe maj 2025.
Gjykata ka theksuar se seanca konstituive e Kuvendit e nisur më 15 prill 2025 nuk ka përfunduar, për shkak të moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve, duke mos përmbushur kështu kërkesat kushtetuese të nenit 66 të Kushtetutës.
Po ashtu, Gjykata ka vendosur që deputetët e zgjedhur janë të obliguar që brenda 30 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi, të përfundojnë seancën konstituive përmes zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo nënkupton se palët politike kanë tashmë një afat të përcaktuar dhe një orientim më të qartë për të zgjidhur bllokadën dhe për të formuar organet drejtuese të Kuvendit në përputhje me rendin kushtetues. /Telegrafi/
































