Takimi Kurti - Hamza në Mitrovicë, Kryeziu: U diskutua për projektet dhe bashkëpunimin mes nivelit lokal dhe qendror

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Bedri Hamza.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.
Ai tha se në këtë takim është diskutuar për funksionimin e komunave dhe për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverisë dhe pushtetit lokal.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi, sipas tij, është realizimi i projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.
“Pas vizitës dhe takimit me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, kryeministri Kurti ka vizituar sot edhe kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza. Të dy takimet kanë pasur në qendër të diskutimit punën e këtyre komunave dhe bashkëpunimin ndërmjet qeverisë dhe komunave në realizimin e projekteve në shërbim të qytetarëve”, deklaroi Kryeziu.
Vizita në Mitrovicën e Jugut vjen në kuadër të angazhimeve të qeverisë për bashkëpunim me të gjitha komunat e Kosovës, pavarësisht përkatësisë politike të kryetarëve të tyre./Telegrafi/
















































