LAJMI I FUNDIT:

Tahiri, Qeverisë: Nuk kërkojmë zgjedhje, por zgjidhje të problemit që e keni shkaktuar në veri

Tahiri, Qeverisë: Nuk kërkojmë zgjedhje, por zgjidhje të problemit që e keni shkaktuar në veri

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, në seancën e sotme të Kuvendit i është drejtuar Qeverisë duke i kërkuar zgjidhje të situatës në veri të vendit, ku tash e disa ditë janë krijuar tensione pas largimit të serbëve nga institucionet e vendit.

Në fjalën e tij, Tahiri ka thënë se partia që është në pushtet është përgjegjëse për ta zgjidhur këtë problem, të cilin sipas tij, e kanë shkaktuar vetë.

Ai ka theksuar se nuk po kërkon zgjedhje të reja, por zgjidhje të problemit.


Si opozitë Tahiri ka thënë se Qeverinë do ta mbështesin gjithmonë për vazhdimin e funksionimit të institucioneve në veri të Kosovës.

“E nderuara Qeveri, si opozitë ju mbështesim që të vazhdoni me funksionimin e institucioneve në atë pjesë të Kosovës. Jeni përgjegjës për moslejimin e kthimit të gjendjes para korrikut të vitit 2011. Jeni përgjegjës për moslejimin e kthimit të strukturave paralele në atë pjesë të vendit tonë”, ka deklaruar shefi i deputetëve të PDK-së.

“Do të ju mbështesim deri në atë moment kur nuk hiqni dorë nga ajo pjesë e territorit që me mund e dialog e kemi kthyer nën menaxhimin e institucioneve të Kosovës. Ju kërkojmë vigjilencë, angazhim dhe përkushtim që të vazhdojë puna e institucioneve në veri. Si opozitë nuk kërkojmë zgjedhje, por zgjidhje të problemit që e keni shkaktuar tash e disa ditë në veri. Si opozitë nuk do të lejojmë që të tërhiqeni nga ushtrimi i sovranitetit në veri”. /Telegrafi/