“T’A DIJË SHQYPNIJA PRÁ, E SHEKLLI MBARË, SE MÂ MBAS SODIT UN S’JAM SHQYPTÁR”

“Metamorfoza” është pasqyrë e realitetit të hidhur shqiptar, të njerëzve të ultë që shesin patriotizëm dhe heroizëm, por që nuk kanë asnjë ndjesi e aq më pak sakrificë për komb e atdhe. Gjergj Fishta aty i demaskon këta hipokritë, që fatkeqësisht vazhdojnë të jenë të pranishëm e me ndikim edhe sot mes shqiptarëve. Të tillët sundonin edhe në regjimin komunist, e ata qëllimisht e keqinterpretoi këtë poezi, duke përhapur fjalën se Fishta, si gjoja antikombëtar, ka deklaruar: “Dhe le ta dijë/ gjithë bota mbarë/ se at Gjergj Fishta/ s’asht ma shqiptar…”! Ky varg edhe sot keqinterpretohet dhe citohet gabimisht.
Kjo poemë është botuar më 1907 në përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit” (1907). Ajo është botuar tri vite para poemës “If” (Nëse) të nobelistit anglez, Rudyard Kipling, që është një si manual se si të “bëhesh njeri” duke u bazuar në modelet që përcaktojnë të tjerët.
Ndaj, Fishta godet modelet e liga të përcaktuara nga ata që shkelin dhe përbuzin shqiptarët e që veten e deklarojnë si shqiptarë të mëdhenj. Ai ironizon me këtë realitet, sepse të tillët shqiptarë nuk mund të jenë! Mu për këtë luan me metamorfozën e njeriut të vlerave, sepse vetëm i transformuar dhe i tjetërsuar mund të jetë pjesë e tyre që s’kanë vlerë morale e kombëtare. Ndaj, në disa vargje thotë, kështu: “A ndiet, Zotni/ që rrini m’shkam?/ Un mâ me sodjet/ Shqyptár nuk jam”; “Pse krejt sod jetën/ Un ndrrue e kam/ Kam lé per s’dytit/ Shqyptár mâ s’jam”; “T’a dijë Shqypnija/ Prá, e sheklli mbarë/ Se mâ mbas sodit/ Un s’jam Shqyptár”!
Në këtë poezi të Poetit Kombëtar - si dhe me çdo krijim tjetër të tij - edhe sot identifikohet realiteti shqiptar. Injorantët dhe keqbërësit sundojnë e të tillët edhe mund të thonë: “Luftët e Kastriotit/ e t’Dukagjinit/ un kam me i mbajtun/ per dokrra hînit/ sot per mue Leka/ e Skanderbegu/ janë Palok Cuca/ e Jaho Begu”!
Poemën “Metamorfoza”, fatkeqësisht aktuale edhe për ditët e sodit, mund ta lexoni të plotë më poshtë. /Telegrafi/
METAMORFOZA Qe besa, or burra, Nuk dij kah t’çajë, Mbasi do t’thirret Sod derri dajë… Me anmiq t’Shqypnís Un pa u frigue Mjaft jam, i mjeri, Kacagjelue. Pse kam pasë thânun Deri sivjet: Lum aj qi shkrihet Per atdhe t’vet; Edhe kam pritun, Mbas ktij mendimi, Trimnisht per atme Çfarë do ndeshkimi. Por tash, t’a dini T’tânë rreth e çark, Se mue m’ka hi Sod lepri n’bark. M’âsht bâ shtupë zêmra, E m’la trimnija, Si jam tue njoftun Se ç’m’qet Shqypnija… Po, po; kujdesi Për Gegë e Toskë Mue sod m’ka hjedhun Si hút n’ketë prroskë, Kû, ndêjë harû Si dac n’govigj, M’janë bâ, qe besa, Kërçikët si vigj, E shtati tjeter Porsi degë pishe, Thue se kam hanger Haram gjâ kishe. Si me pasë lé M’ndo’i knetë n’Zejmên, A me pasë ndêjun Tue tredhun qen. Ehu! t’kishe shkue Pak mâ kadalë, S’kisht’ kênë nevoja Me tjerrë ktû fjalë; Përsè ishe màjun, Si mâjet njala, E punue m’kishte Kuleta e fjala; Porsi njatyne, që ndêjë n’Shqypní, Kujtojn se gjinden Shi n’Australi; E per dhé t’t’Parvet S’u bjen nder mend Me sa per kpurdha që bijn n’dervend. Ata, eh t’paça! Kanë spaten n’mjaltë, E si balona, Per ditë mâ t’naltë: Per ditë t’u mâjun, Si mâjet njala, U punon m’shekull Kuleta e fjala. As per punë t’ême S’kanë t’lodhët, hae i keq, Me sá druen halen Se i therë n’perpeq. E pse, pra, t’rrekem Pa i bâ gjâ kujë? Persè t’a mbajë Un shatin n’ujë? A thue dishroni Prej ktyne s’ligash Gjithmonë me m’pamun Si t’pimun shtrigash? Ehu jo, bre burra, S’kam lé per s’teprit!… Mâ mirë u rrnueka Me zêmer t’leprit… Kam dá, t’a dini, Me vjetë t’sivjetit Me u shporrë Shqypnijet, Me kênë i vetit. E dij se kini Ju t’gjith me m’shá, E se me m’thirrun Mâ s’kini vllá; Por n’dashtë; le t’thohet Se dredhoi Leka, Veç kurr mos t’thohet Se ka mbetë Leka. T’a dijë Shqypnija Prá, e sheklli mbarë, Se mâ mbas sodit Un s’jam Shqyptár, A ndiet, Zotni, që rrini m’shkam? Un mâ me sodjet Shqyptár nuk jam. M’thirrni si t’doni U tham: Urdhno! Zulù m’a njitni… Shqyptár, por, jo. Per mue Shqypnija Kufij mâ s’ká, Nuk kam kund atme As fis, as vllá, Fis kam mâ t’fortin E vllá bujarin, Per atme barkun, Per erz kam arin. Prandej, mbas sodit, Kur t’m’leverdisin Un kam me shndrrue Sá herë t’due fisin. Kshtû, kam me rá Un n’mbramet Grek, Kam me ndjehë n’nesret Shkjá ja Zejbek. Dér sod kjeç dhanun Per gjuhë shqyptare: Por shka, me sodjet, Per mue dalët fare. Per mue janë baras Si bukë si pane, Por due qi gjindja Pa tê t’mos m’lâne. Persè veç shqypja Do folë n’Shqypní, (Si duen me thânun Nji palë zotní), Kur me ‘i gut’n Morgen! A kali imera! Me ‘i dobra vecer! A buona sera! Mue punët të tana M’hecin për fille, E dér morrizi M’qet drandofille?… Luftët e Kastriotit E t’Dukagjinit Un kam me i mbajtun Per dokrra hînit. Sot per mue Leka E Skanderbegu Janë Palok Cuca E Jaho Begu. Mâ s’kam me i qitun Zavall un krés Per krena t’vendit As per t’parë t’fés; Kushdo per mue Le t’jét i pár: T’jetë dreq me bryna, Por jo Shqyptár. Pse krejt sod jeten Un ndrrue e kam, Kam lé per s’dytit: Shqyptár mâ s’jam. E prej se s’dytit Kam lé sivjèt: Kurdo t’pagzohem A t’m’bâjn synèt, Un due t’m’a njesin Pantaleone Pse mbarë bjen fjala Me napolione. Pantaleone, O ‘i tjeter êmen që t’dáj se mashkull Nuk jam, as fêmen: Taman si duhet Shqyptari t’jét, që don me pasun Kuleten xét. Tash bjer kavallit, O barku i êm, Porsi bylbyli që kndon mbi gêm! Persè me sodjet Nji jetë e ré Do t’xâje filli N’Shqypní per né. Per né xén filli, Po, koha arit, Sod që i rám mohit Rodit t’Shqyptarit. O i lum ti i lumi, Si padishà Tash ké m’u lkundun Mbi ndo’i sofá. Per né mbas sodit Per çdo punë t’liga Nuk do t’na marre Mbi shekull friga. Kemi per t’kênun Si hy mbi tokë, Kem’ per t’zotnue Pa dhimbë mbi shokë, Kemi me shkelun Mbi rrashtë t’Shqyptarvet, Tue lànë mbas krahit Burrnín e t’Parvet. Tjerët kanë m’u ushqye Me lakna t’veja. Me shllinë (n’i paçin, Medjè, dhênt plleja), Ti ké me rrue Bibâj e pata, E makerona Edhe sallata. Tjerët kanë me shkimun Edjen me hirrë; Ti, veç a mundesh Shampanjë e birrë. Pa lodhë na menden Per dhé e gjuhë t’t’Parit, Kem per t’kênë çmue Prej zogjsh s’Shqyptarit. S’ka per t’ngranë palla Pse t’digjet ara Ase mos t’gjindet Kund rrushit fara. Kúr per tý greza Bâjn malit bungat E mjaltë per tý Kullojnë dér cungat. Ehu! dy germaza Sod kjeçë tue dashtë E ‘i plandc lastiket Krejt mbrendë e jashtë: Kjé at-herë tu’ u zgjâ Ti sá koteci, E tu’ u kuqë hunda Mue m’kje si speci. Oh! Kúr t’xâsh filli Me vû ti strehë, Sa t’u ngjatjetat Ké per t’i njehë! E ka me u gjetun Ndo’i farë Orfeut që lavdet t’ua T’i a kndojë dheut. E ti, tue qeshun Kangë e kangtár, Tash mban perkthesen: Nuk jam Shqyptár Mandej, kúr plakun E lodhë prej vjamit, Ké m’u dá shekllit, (Per sherr t’Adamit), Njata që zhaben N’ketë jetë t’a rrasen Kshtû kanë me t’shkrue Mbi vorr ty rrasen: “Ktû njaj fatbardhi Âsht tue pushue Per Fé e per Atme që pat jetue.” A thue se âsht vorri Bash i Spartanvet që n’Thermopila Bânë báll Persjanvet… Prá, bjer kavallit, O barku i êm, Porsi bylbyli që kndon mbi gêm!

















































