Sydney Sweeney merr rolin kryesor në "Split Fiction"

Vetëm disa ditë pasi u zbulua për publikun se aktorja Sydney Sweeney do të merrte rolin e producentes në përshtatjen e video-lojës së njohur të viteve 1980, "OutRun", duket se ajo ka një tjetër sfidë të madhe përpara saj.
Gjegjësisht, Sweeney ka marrë një nga rolet kryesore në përshtatjen filmike të video-lojës “Split Fiction” dhe regjinë e filmit do ta ketë Jon M. Chu, më i njohur për punën e tij në filmin “Wicked”.
"Split Fiction" ndjek dy shkrimtarë, Mio Hudson dhe Zoe Foster, të cilët testojnë një pajisje simuluese inovative. Kjo pajisje i lejon ata të hyjnë në historitë e tyre, por një gabim teknik bën që botët e tyre të bashkohen.
Përpara tyre është një udhëtim sfidues përmes një kombinimi të rrezikshëm të fantashkencës dhe fantazisë epike, e cila përfundimisht i çon ata të përballen me traumat e tyre të shtypura.
Edhe pse ende nuk është bërë e ditur se cilin rol do të luajë Sweeney – nëse do të jetë Mio apo Zoe – aktorja, përveçse do të luajë një nga rolet kryesore, do të marrë edhe rolin e producentit ekzekutiv.
Skenari i filmit është shkruar nga Rhett Reese dhe Paul Wernick, të njohur për projekte të suksesshme si "Zombieland", "Ghosted", "Deadpool" dhe "Wolverine", dhe puna e tyre në serinë "Twisted Metal" tashmë ka dëshmuar aftësinë e tyre në përshtatjen e video lojërave për film.

Videoloja “Split Fiction” u publikua nga Hazelight Studios më 6 mars të këtij viti dhe në vetëm dy javë shiti më shumë se dy milionë kopje. Kjo lojë është pritur me komente të mira nga kritikët dhe lojtarët dhe ka një rezultat mesatar prej 91 nga 100 në Metacritic.
Aktorja së shpejti do të shfaqet në dramën historike "Eden" me regji të Ron Howard, "Americana" me Paul Walter Hauser dhe Halsey, "Echo Valley" për Apple TV+ me Julianne Moore dhe dramën psikologjike "The Housemaid" me Amanda Seyfried. /Telegrafi/






























































