Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke numëruar aksionet e Policisë së Kosovës gjatë ditës së sotme, përfshirë operacionin në Shtërpcë, ka thënë se “lufta jonë ndaj ilegaliteteve që cenojnë jetën e qytetarëve tanë nuk ka alternativë”.
Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “dita e sotme shënohet me plot suksese në zbatimin e ligjit dhe me plot dëshpërim për shkelësit e tij”.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë ka sekuestruar sot kamerat e vendosura dhe të kontrolluara ilegalisht nga strukturat paralele në Komunën e Shtërpcës, si dhe janë sekuestruar pajisje dhe dosje të ndryshme të tyre”, ka shkruar Sveçla, transmeton Telegrafi.
Më tej Sveçla ka thënë se “Dogana e Kosovës bashkë me njësitet policore kufitare po ashtu sot kanë konfiskuar mbi 6 ton mallra të kontrabanduara nga Serbia”.
“Njësitet policore të antidrogës kanë përfunduar me sukses operacionin në Ivajë të Kaçanikut me ç’rast janë konfiskuar mbi 5 kilogramë marihuanë dhe pajisje për mbjelljen dhe kultivimin e substancës narkotike”, ka shkruar ai.
“Po ashtu, në Zveçan, Policia ka konfiskuar pajisje për prodhimin e kriptovalutave në vlerë prej 55 mijë euro dhe substancë narkotike të llojit marihuanë”.
Ministri Sveçla ka thënë se “lufta jonë ndaj ilegaliteteve që cënojnë jetën e qytetarëve tanë nuk ka alternativë. Dita e sotme shënohet me plot suksese në zbatimin e ligjit dhe me plot dëshpërim për shkelësit e tij”.
Policia e Kosovës sot ka zbatuar urdhrin e Gjykatës së Ferizajt për bastisjen e katër lokacioneve në Shtërpcë dhe largimin e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale.
Prokurori Rasim Maloku tha për Telegrafin se po zbatohet një urdhëresë e Gjykatës si dhe po bastisen pesë lokacione që i kontrollojnë strukturat ilegale.
Dogana e Kosovës sot ka njoftuar se njësitet e anti-kontrabandës kanë parandaluar në kuadër të planit operativ kanë arritur që të identifikojnë edhe rastin e pestë, respektivisht edhe një automjet që transportonte mallra të kontrabanduara në veri të vendit.
Po sot Dogana e Kosovës njofton se njësitet e anti-kontrabandës kanë parandaluar katër raste të tentim kontrabandës në regjionin e Mitrovicës.
Sipas njoftimit, zyrtarët kanë identifikuar automjetet e dyshimta të cilat edhe janë ndaluar në orët e mëngjesit.
Automjete transportuese bartnin mallra të kontrabanduara nga Serbia. /Telegrafi/