"Studimi jashtë vendit është dalje nga zona e rehatisë", Drilon Iseni tregon përvojat e tij dhe planet e OEMVP-së

Studimi jashtë vendit paraqet daljen nga “zona e rehatisë”, thotë drejtori Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) Drilon Iseni, i cili pas mbarimit të fakultetit në UEJL arriti të bëhet magjistër i së Drejtës Ndërkombëtare dhe Evropiane pranë Universitetit të Amsterdamit në Holandë.
Iseni konsiderohet si njëri nga shqiptarët që ka arritur majat e karrierës në fushën e menaxhimit. Se cilat janë planet e OEMPV-së tregon ai në intervistë për Telegrafi Maqedoni.Intervistoi: Aroma Aliti A mund të na tregoni për eksperiencën tuaj të studimeve në Amsterdam? Studimi jashtë vendit paraqet daljen nga “zona e rehatisë” për faktin që një individ vendos të jetojë në një vend të huaj, në një kulturë jo krejtësisht të qartë, ndërsa në rastin e Universitetit të Amsterdamit, në një universitet me renome botërore, me rangim të programit në nivel botëror në vendin e dymbëdhjetë. Në ato rrethana ju investoni dhe prisni që të merrni më të mirën - dijen nga studimet, eksperiencën nga tradita 4 shekullore e universitetit dhe rrjeti global profesional. Ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme (dhe e pazakontë) për mua edhe pse njihja mentalitetin e holandezëve nga përvoja e punës në Ambasadën e Holandës në Shkup. Eksperienca personale ishte ballafaqimi me një mentalitet shumë tradicional mirëpo i hapur ndaj qytetërimeve tjera. Holanda herë paraqitet si vend shumë modern, mirëpo asnjëherë s'kanë harruar atë tradicionalen, të qenurit shumë serioz në punë, shumë parimor në qëndrime, racional në kohë dhe shumë të drejtpërdrejtë, dhe më e rëndësishmja jemi ballafaquar me një koncept shoqëror të shpirtit shumë garues. Sa për ilustrim në bibliotekën e qytetit takoje nxënës të shkollave të mesme, student apo edhe profesorë të cilët paralelisht dhe pandërprerë investonin në dije. Sfida e vërtetë e fundjavës ishte të gjeje vend të lirë në leximoret e bibliotekave, e mos të flasim për ndershmërinë akademike, ku në rast se dikush zbulohet e humb të drejtën të studiojë në atë universitet për tërë jetën. Përvoja në Amsterdam ka qenë, shumë punë, jetë studentore të plotësuar, jetë kulturore të jashtëzakonshme, dhe rrjetëzim me kolegët e fakultetit. Përvojat e atjeshme veç më janë reflektim edhe në angazhimet e mia profesionale.
Një aktivitet tjetër tejet i rëndësishëm është eventi tash më tradicional i Odës, “TOP 100”, ku bëhet përzgjedhja e kompanive më të suksesshme shqiptare. Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i sipërmarrësisë, pasi që është me rëndësi thelbësore përqendrimi në shfrytëzimin e potencialit vendas të sipërmarrjes. Gjithashtu, aktivitet tjetër është edhe “Sipërmarrësi i vitit”, ku bëhet promovimi i ndërmarrësve më të suksesshëm në vend. Të dy aktivitetet dallojnë në aspekt të metodologjisë së përzgjedhjes së fituesve mirepo janë në linjë me përcaktimin e tretë strategjik të promovimit të sipërmarrësisë, inovacionit dhe rajonalizimit të bizneseve.
OEMVP realizon edhe shumë projekte kryesisht të financuara nga USAID dhe Bashkimi Evropian, që kanë për qëllim të ndihmojë anëtarët e saj në lobimin e rregullativës afariste të favorshme për bizneset, në sjelljen e politikave dhe strategjive të ndryshme për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme. Po ashtu, Oda më shumë se një vit realizon një projekt për përmirësimin e paletës së shërbimeve të anëtarësisë së Odës, projekt i cili shënon shumë suksese pasiqë me shërbimet e reja siç janë platforma digjitale B2B, programi për zgjerim të tregut dhe desku i shërbimeve të anëtarësisë ka shtuar interesin e anëtarëve të Odës dhe rrjedhimisht ka ngritur besueshmërinë e saj tek anëtarët.
Në aspekt të zhvillimit ekonomik të vendit, OEMVP vazhdon të jetë partner institucional i Forumit Ekonomik Botëror për Indeksin Global të Konkurrueshmërisë, si raport më kredibil në botë për klimën e biznesit të një vendi, me këtë aktivitet Oda është etabluar edhe në aspekt ndërkombëtar.
Sa kanë hapësira të rinjtë në OEMVP? OEMVP edhe në strategjinë e saj, por edhe në projektet vetanake promovon modelet e suksesit si motiv për kyçjen e të rinjve në biznes, veçanërisht këtë përkrahje e bën përmes Qendrës për përkrahje të bizneseve “Create Hub” që ju mundëson përkrahje dhe mentorim të bizneseve të reja kryesisht të atyre që gravitojnë në komunat nga rajonet më pak të zhvilluara. Është koncept i zhvilluar nga oda dhe i përkrahur nga ekspertë amerikan.
Në aspekt të mundësive për punësim OEMVP është trampolina më e mirë profesionale për të rinjtë dhe profesionistët e vendit. Kemi programin për punë praktike ku të rinjtë nga unviersitetet e vendit bëjnë punë reale në Odë, me orar të plotë dhe me hapësirë maksimale për të dëshmuar vetën, ata angazhohen në aktivitetet e Odës si dhe në pjesën e analizave ekonomike. Shumicës prej tyre ju ofrohet edhe ndonjë angazhim në projektet e Odës. Gjatë punës praktike në Odë, njoftohen nga afër me funksionimin e punës së bizneseve, me të cilën fitojnë një pasqyrë reale për ekonominë në vend; po ashtu Oda ju mundëson vendosjen e kontakteve me institucione të shumta, duke nisur nga ato shtetërore e deri tek ato të huajat, gjë të cilën te ne e mundësojnë shumë pak organizata. Kemi rast që një praktikant ka mbërritur edhe pozitën e menaxherit operativ, dhe shumë të tjerë që kanë vazhduar studimet jashtë shtetit apo janë punësuar në kompanitë anëtarë të Odës. OEMVP ngadalë por sigurt etablohet në një “akademi” për nxjerrje të profesionistëve të rinj.
OEMVP synon të ndjek trendet zhvillimore botërore, jo rastësisht periudhës që i paraprijmë do të përqendrohemi në promovimin e platformës digjitale B2B e cila është e para e kësaj lloji që dizajnohet nga një odë ekonomike dhe që potencialisht do të ndërlidh 2000 biznese, fillimisht nga Maqedonia e Veriut e më vonë edhe nga rajoni. Me një fjalë shërbimet e Odës dhe aktivitet e planifikuar për vitet 2020 dhe 2021 janë një rrjedhim logjik i përkrahjes institucionale që japim tek anëtarët tanë për veprimtari të tyre në pajtueshmëri me ligjet, duke përkrahur bizneset në procedurat e aplikimit për fonde alternative, duke promovuar sipërmarrësinë dhe prodhuesit vendor në zgjerimin e tregut të tyre apo atë që e quajmë në përcaktimin strategjik rajonalizim të bizneseve./Telegrafi/



















































