Unionet e studentëve nga universitetet shqiptare në vend u kanë bërë thirrje mediave, shoqërisë civile dhe aktivistëve qytetarë që të mbështesin protestën e paralajmëruar për 6 prill (e hënë), e cila synon të ngrejë zërin kundër, siç theksojnë ata, një padrejtësie të vazhdueshme ndaj studentëve shqiptarë të drejtësisë.

Në thirrjen publike, studentët shprehin mirënjohje për mbështetjen e deritanishme nga mediat dhe opinioni publik, duke vlerësuar rolin e tyre në sensibilizimin e çështjes. Ata theksojnë se kjo mbështetje mbetet thelbësore edhe në këtë fazë, kur kërkesat e tyre ende nuk kanë marrë zgjidhje konkrete.


“Zëri juaj ka qenë thelbësor në ngritjen e kësaj çështjeje dhe në informimin e drejtë të opinionit publik. Sot, më shumë se kurrë, kjo mbështetje na duhet edhe më tej. Studentët e drejtësisë vazhdojnë të përballen me një padrejtësi të vazhdueshme: pamundësinë për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, një e drejtë e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, por e mohuar në praktikë prej vitesh”.

Sipas reagimit, problemi kryesor mbetet pamundësia për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe – një e drejtë që studentët argumentojnë se është e garantuar me Kushtetutë dhe ligjet në fuqi, por që në praktikë vazhdon të mohohet prej vitesh.
Për këtë arsye, unionet studentore kanë paralajmëruar protestë paqësore më 6 prill, me fillim nga Ura e Gurit në Shkup, duke nisur në orën 12:30. Ata ftojnë të gjithë faktorët shoqërorë që të bëhen pjesë e kësaj nisme, qoftë përmes raportimit të drejtë dhe të paanshëm, ashtu edhe përmes pjesëmarrjes aktive në protestë.

“Roli juaj mbetet i pazëvendësueshëm si zë i së vërtetës dhe si katalizator i ndryshimit shoqëror”, thuhet në thirrjen e studentëve, të cilët kërkojnë që çështja e tyre të mos mbetet në heshtje, por të marrë vëmendjen dhe zgjidhjen që meriton.

Thirrja është nënshkruar nga unionet e studentëve të Universitetit të Tetovës, Universitetit “Nënë Tereza” dhe Universitetit të Evropës Juglindore.