Starmer: Marrëdhënia me Kinën është në një gjendje të mirë - por ne ngritëm çështje të vështira

Kryeministri britanik po viziton Kinën nga ku deklaroi se pati një "takim shumë të mirë dhe konstruktiv" me homologun e tij kinez dhe se kjo do të çojë në një "forcim të marrëdhënies".
Starmer foli para gazetarëve pas takimit të tij kyç me presidentin kinez Xi Jinping, transmeton Telegrafi.
"Ne bëmë një përparim vërtet të mirë. Pra, tarifat për uiskin, për udhëtimin pa viza në Kinë dhe për shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin mbi migracionin e parregullt, duke u përqendruar veçanërisht në anijet e vogla dhe pjesët e motorëve", shtoi Starmer.

"Ne kemi rënë dakord që, për tarifat për uiskin, po shqyrtojmë se si do të ulen ato, cili është afati kohor. Për udhëtimin pa viza, sa larg, sa dhe kur mund të fillojë kjo. Dhe për shkëmbimin e informacionit mbi anijet e vogla, bashkëpunimi që na nevojitet, brenda një dialogu, në fakt, për një fokus më të madh strategjik në siguri dhe mbrojtje. Pra, një takim shumë i mirë dhe konstruktiv me rezultate reale. Marrëdhënia është në një gjendje të mirë, një gjendje të fortë," theksoi ndër tjera kryeministri britanik shtoi ai.

I pyetur për reagimin e tij ndaj atyre në Mbretërinë e Bashkuar që mund të ndihen të pakënaqur për marrëdhënien e ngushtë të kryeministrit me Kinën, ai u përgjigj: "Ajo që u them të gjithëve këtu është se unë gjithmonë veproj në interesin tonë kombëtar. E di që, çfarëdo që të ndodhë në botë, gjëja më e rëndësishme për shumicën dërrmuese të njerëzve është kostoja e jetesës. Pra, hapja e qasjes në mundësitë e biznesit, shfrytëzimi i këtyre mundësive të cilat më pas reflektohen në biznese më të mira, në vende pune dhe ulje çmimesh në vend, kanë vërtet shumë rëndësi. Dhe kështu kemi bërë përparim të vërtetë në të gjitha këto fusha".

Ai foli gjithashtu nëse kishte prekur tema të tilla si të drejtat e njeriut, trajtimi i ujgurëve dhe aktivisti britanik pro-demokracisë Jimmy Lai - i cili ka qenë në burg që nga viti 2020.
"Epo, ne i ngritëm këto çështje, siç do të prisnit. Një pjesë e arsyetimit për angazhim është të sigurohemi që të dy mund të shfrytëzojmë mundësitë që janë në dispozicion, gjë që kemi bërë, por edhe të kemi një diskutim të pjekur rreth çështjeve për të cilat nuk biem dakord", shtoi ai.
I pyetur nëse delegacioni kinez po dëgjonte, Starmer këmbënguli se kishte pasur një "diskutim respektues rreth kësaj". /Telegrafi/




















































