Sot mbahet seanca gjyqësore ku do të bëhet shpallja e aktgjykimit për Endrit Nika, i cili akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit.


Pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë.

Tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, i akuzuari Endrit Nika akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3 të Kodit Penal.

Ndërkaq, i akuzuari për vrasjen e shtetases argjentinase në Fushë Kosovë, në seancën e 22 janarit 2026 ka dhënë versionin e tij të ngjarjes.

I akuzuari Endrit Nika tha se raporti i tij dhe tani i të ndjerës ishin shumë të mira, por në ditën kritike, konflikti mes tyre kishte filluar për shkak të xhelozisë së të ndjerës.

Ai tha se pas ahengut që kishte qenë në shtëpinë e tyre në Gllanasellë ata ishin nisur për të shkuar në hotelin ku kishin qëndruar në Fushë-Kosovë.

Nika tha se kur kishin mbërritur në parking para hotelit në Fushë-Kosovë tanimë e ndjera në veturë ia kishte derdhur një pije në kokë.

I akuzuari tha sa pas kësaj ishte munduar t’ia heqë nga dora pijen dhe të dytë kishin dalë nga vetura. Sipas Nikës tashmë e ndjera gjatë kohës kur kishin dalë nga vetura e kishte ofenduar, dhe më pas ai e kishte shtyrë me derë.

Tutje, Nika tha se pasi kanë shkuar në dhomë ai i kishte thënë të ndjerës që të qëndrojë në hotel ndërsa ai dëshiron të shkojë në shtëpinë e tij në Gllanasellë, por ai tha se tashmë e ndjera i kishte thënë të qëndrojnë bashkë.

I akuzuari tha se në momentin kritik kur ka ndodhur ngjarja ai kishte qenë në korridor, dhe tha se e kishte dëgjuar një zhurmë dhe pasi ishte kthyer në dhomë e kishte parë që xhami statik dhe tashmë e ndjera nuk janë.

“U nisa me marrë ni maicë dhe para derës së hymjes e nijta një zhurmë, tri zhurma kenë si me gjujtë najsen në tokë dhe u nal, s’u ni kurrgjë në dhomë. U ktheva prapë edhe e pash që xhami statik nuk është aty mo, nuk ishte në vendin e vet, pastaj e hapa një dritare këqyra poshtë dhe e pash që Clara është në tokë, ka ra”- deklaroi i akuzuari.

Pas kësaj i akuzuari tha se ka pësuar atak paniku.

“Prej atyshit m’kapi panika, ia nisi frymëmarrja dhe pisikita dy-tri herë: “Clara, Clara, Clara” dhe sapo e mbledha forcën u ula në krevat se m’u dok krejt si film, si andërr e keqe se qaty ke deri sa e mblodha veten”- tha i akuzuari.

Tutje, i akuzuari tha se ishte nisur për të shkuar poshtë te tani e ndjera.

“Shkova te Clara edhe aty shkova iu afrova ngat edhe do ujë ia qitsha mbi kry se e dijsha që s’guxoj me e prekë, tani unë fola me Clarën, m’tha: Thuju prindërve të mi se ju dua, edhe unë i thash: O zemër vet ki me ju thanë, veç mbledhe veten, bonu e fortë”- tha i akuzuari. /Telegrafi/