Zjarret që prej ditësh kanë rënë në Dalmaci i kanë shkaktuar dëme të mëdha natyrës në Kroaci.
Mediat raportojnë se më së shumti duket se ka pësuar parku pyjor Biokovo, i cili gati sa nuk po njihet.
Zjarri që përfshiu zonën e Tuçepit, i marrë nga era, u përhap në Parkun Natyror Biokovo dhe arriti në Podgora.
Sipas vlerësimeve të para të zjarrfikësve, në këtë zonë janë djegur 400 hektarë pyll me pisha dhe bimësi të ulët.
“Ne e kishim të qartë se prioriteti ishte mbrojtja e shtëpive. Megjithatë, pasdite zjarri hyri në park dhe përfshiu një pyll të dendur me pisha të pishës së zezë dalmat. Të gjithë vizitorët theksojnë se është një nga pjesët më të bukura të parkun”, tha Stipe Srziq, shef rojtar i Parkut Natyror Biokovo.
Zjarri në Tuçepi po shuhet nga 306 zjarrfikës me 77 automjete. Policia ka bërë një njoftim të mërkurën dhe ka thënë se zjarrin në afërsi të Tuçepit e ka shkaktuar një bletërritës 65-vjeçar, i cili ka lënë pa mbikëqyrje prushin e duhanpirësit që përdorte për kosheret, pas së cilës zjarri është përhapur. /Telegrafi/