Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka treguar arsyet se pse ka tërhequr urdhërarrestin për Millan Radoiçiq, i cili është ndër të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje për kërkesën për revokim të urdhërarrestit për Millan Radoiçiq.
E pyetur nga Radio Evropa e Lirë, Gjykata Themelore e Prishtinës përpos që ka konfirmuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, nuk ka dhënë detaje të tjera.
“Për më shumë informacione mund t’i drejtoheni prokurorisë, pasi që çështja është në fazën e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.
Sipas Themelores, Departamenti Special me datë 19.02.2021 ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës “për tërheqjen e urdhërarrestit kundër të pandehurit M.R., ndërsa gjykata me datë 23.02.2021 ka aprovuar kërkesën e prokurorisë”.
Shoqëria civile: Prokuroria Speciale duhet të ofrojë transparencë
Por, përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile, që monitorojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, thonë se Prokuroria Speciale duhet që të japë më shumë informacione për këtë rast.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj thotë se Prokuroria Speciale e Kosovës duhet ta sigurojë opinionin se tërheqja e urdhërarrestit për Radoiçiqin është veprim ligjor.
“Unë besoj se është në interes të publikut që Prokurori i Shtetit të informojë publikun, të japë sqarime shtesë në mënyrë që të sigurohemi se është zbatuar ligji në rastin konkret. Nëse një gjë e tillë është bërë thjesht për arsye tjera dhe të pabazuara në ligj, atëherë sigurisht se prokurori duhet të japë llogari”, thotë Miftaraj.
Nga ana tjetër, Genc Nimoni nga Organizata “Çohu”, thotë se është e rëndësishme të dihen arsyet pse ka qenë i nevojshëm tërheqja e urdhërarrestit.
“Prokuroria ka kërkuar të heqë këtë masë dhe nuk na i ka treguar arsyet pse. Ndoshta ai tash është i kapshëm dhe është arrestuar, ndoshta ka vendosur të bashkëpunoj me prokurorinë dhe këtë nuk e dimë apo ndoshta prokuroria tërësisht ka hedhur poshtë dyshimet dhe akuzat ndaj tij. Asnjërën prej këtyre nuk e dimë dhe është me rëndësi që t’i dimë”, thotë Nimoni.
LVV: Drejtësia nuk funksionon me gjykatës e prokurorë borxhli ndaj politikës
Për veprimin e prokurorisë ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje, që fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit. Ky subjekt politik, që pritet të formojë qeverinë e ardhshme, e ka cilësuar veprim të dyshimtë tërheqjen e urdhërarrestit për Millan Radoiçiqin.
Duke e quajtur si eksponent të krimit të organizuar, Vetëvendosje thotë se “kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës”.
Vetëvendosje thotë se si qeverisje e ardhshme janë të përcaktuar qartë në funksion të sundimit të ligjit, por kjo gjë sipas tyre po dëshmohet se “nuk mund të arrihet me gjykatës e prokurorë që kanë shumë borxhe ndaj politikës apo ndaj krimit të organizuar”.
Por, kush është Millan Radoiçiq dhe për çfarë akuzohet?
Emri i Millan Radoiçiqit u bë më i njohur për publikun pak kohë pas vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Ai u vra në një atentat para selisë së partisë së tij, më 16 janar 2018, në Mitrovicën e Veriut.
Radoiçiq është në mesin e të dyshuarve kryesorë për organizimin e kësaj vrasjeje.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Kosovës, Radoiçiq dyshohej se ka kryer veprën penale: “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”.
Një vit e gjysmë pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit, prokuroria lëshoi një urdhërarrest për Millan Radoiçiqin, i cili paraprakisht ishte larguar nga Kosova dhe ndodhej në arrati.
Ai akuzohej se ishte drejtues i një grupi kriminal, i cili që nga viti 2011 ka operuar në pjesën e Mitrovicës së Veriut, ku përpos organizimit dhe vrasjes së Oliver Ivanoviqit, grupi dyshohet se është përfshirë edhe në kryerjen e veprave të tjera penale.
Megjithatë, Radoiçiq ishte figurë e pranueshme për disa politikanë në Prishtinë.
Në një njoftim që ende është i publikuar në ueb-faqen e Kryeministrisë së Kosovës, shihet se si asokohe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, kishte pritur në zyrën e tij, në cilësinë e nënkryetarit të subjektit politik, Lista Serbe, Millan Radoiçiqin.
Sipas njoftimit, thuhet se në takim ishte diskutuar “me theks të veçantë për aspektet e sigurisë si dhe zhvillimit ekonomik e social”.
Radoiçiq ishte parë në një fotografi edhe me ish-ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Takimi kishte ndodhur në vitin 2018, në bregdetin e Malit të Zi.
Vetë Pacolli kishte mohuar se e ka njohur Radoiçiqin në kohën kur ka ndodhur takimi.
Për emisionin “Jeta në Kosovë”, Pacolli ka deklaruar se nuk e kishte njohur Millan Radoiçiqin, porse ishte ftuar për një pije nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe aty kishte rastisur të jetë edhe Radoiçiq.
Beogradi zyrtar vazhdimisht ka mohuar përfshirjen e Millan Radoiçiqit në vrasjen e Oliver Ivnoviqit.
Lidhur me lajmet për tërheqjen e urdhërarrestit për Millan Radoiçiqin, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të dielën se për më shumë se dy vjet ishin përhapur gënjeshtra për vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
“Për dy vjet e më shumë, ju keni dëgjuar çdo ditë se si Millan Radoiçiq është vrasësi, autori i veprës dhe Vuçiq është urdhëruesi, kjo është në nëntekst”, deklaroi Vuçiq.
Çfarë po ndodh me rastin Ivanoviq?
Më 5 shkurt 2021, para Gjykatës Themelore në Prishtinë është mbajtur një seancë përgatitore në çështjen e vrasjes së udhëheqësit të Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia” (SDP), Oliver Ivanoviq.
Të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq , Rade Basara, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, u deklaruan të pafajshëm.
Tre të akuzuarit e tjerë, Zvonko Vesellinoviq, Millan Radoiçiq dhe Zhelko Bojiq, vazhdojnë të jenë në arrati.
Kjo seancë u mbajt në bazë të aktakuzës së tretë, e cila u ngrit në nëntor të vitit 2020, sepse Gjykata e Apelit në Prishtinë e ktheu aktakuzën në Prokurorinë Speciale për ndryshim.
Kjo u bë pasi avokatët mbrojtës e të akuzuarve apeluan vendimin për refuzimin e kundërshtimeve të provave dhe kërkuan që akuzat të hiqen.
Aktakuza ngarkon këtë grup se që nga viti 2014 e deri në vitin 2018, ishin pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq.
Pos kësaj, ata akuzohen edhe për përpjekje të vazhdueshme për të vënë Mitrovicën e Veriut nën kontrollin e tyre.
Aktakuza pretendon se të akuzuarit me vetëdije dhe qëllimisht e kanë ndihmuar atë grup kriminal në mënyrë që të kryejë veprën penale, pra vrasjen e Oliver Ivanoviqit i cili ishte një nga politikanët më të rëndësishëm serb në Kosovë që nga përfundimi i luftës. /rel/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
LSDM: Në “Facebook” është krijuar një profil i rremë i Filipçes me përmbajtje të papërshtatshme
Pas ngritjes së aktakuzës, vëllai i Liridona Ademajt: Presim dënim me burg të përjetshëm për të akuzuarit
ASH e Selës kërkon që Gashi ta shfuqizojë konkluzionin pas interpelancës për Ilire Dautin
Haxhiu për deklaratën e Prokurorisë lidhur me institucionet paralele: Skandaloze, në shërbim të kujt janë këta prokurorë?
Mbyllja e strukturave paralele serbe, BE: Këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së
Lajçak: Takimi për të pagjeturit dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së Serbisë
Pas ngritjes së aktakuzës në rastin e Liridona Ademaj, flet vëllai i saj
Mbyllja e institucioneve paralele në Kosovë, SHBA: Veprime në kundërshtim me këshillat tona më të mira
Mbyllja e komunave paralele të Serbisë, ambasada amerikane: Këto veprime dëmtojnë marrëdhëniet dhe aspiratat e Kosovës
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Rrëfimi tronditës i Bernardit, tregon se si fëmijë u dhunua nga një burrë: Pasi bëra grua e fëmijë, kuptova se isha homosekual
Familja e G Banit dërgojnë letër në BBVA, dhe dalin kundër veprimeve të djalit të tyre: I kërkojmë falje familjarëve të Gjestit
SHBA i jep dritën e gjelbër FSK-së për blerjen e helikopterëve
Publikohen pamjet e protestës për Gjestin para Top Channel, të pranishëm edhe Policia e Shtetit
Amber çohet dhe kërkon të largohet në mes të spektaklit nga BBVA: Nëse Gjesti është shembulli, unë po iki që tani
U vlerësuan si "plehra", por tani janë të pazëvendësueshëm për ukrainasit: Transportuesi legjendar i luftës në Vietnam, në një zenit të ri