Ky model është një klasik mode që nga vera në verë duket gjithnjë e më bukur

Qoftë që zgjedh një model prej sateni, një version vintage me dantellë apo një prerje minimaliste, ky fustan është ideal për kombinime dhe perfekt për ditët e nxehta kur dëshiron të dukesh e kuruar, por pa shumë mundim.


Pavarësisht nëse zgjedh tonet neutrale si shampanjë apo bezhë, apo ngjyra të forta që nxjerrin në pah ngjyrën e lëkurës së nxirë, fustani ‘slip’ të jep bazën perfekte për të luajtur me aksesorë.

Kombinoje sipas dëshirës dhe do të dukesh elegante pa shumë përpjekje, sepse stili qëndron në thjeshtësi.

Falë koleksioneve të markave si Chloé, The Row dhe Dries Van Noten, ky model i frymëzuar nga këmishët e natës po dominon pasarelat, rrugët dhe sigurisht - Instagram-in.

Ja si ta kombinosh këtë sezon fustanin e hollë, nga kafeja e mëngjesit deri tek daljet e mbrëmjes, transmeton Telegrafi.

Fustan + atlete

Për obligimet e përditshme, një shëtitje në qytet apo një udhëtim fundjave, kombinimi i një fustani sateni me atlete të bardha të thjeshta është i mjaftueshëm. Shto një çantë të vogël apo syze të mëdha dhe je gati.

Fustan + këmishë sipër

Nëse do një pamje më të relaksuar, por sërish femërore, një këmishë lino, xhins apo pambuku e hedhur sipër fustanit është zgjidhja perfekte. Mund ta mbash të hapur dhe të lirshme ose të lidhur në bel, për një dozë elegance të paqtë.

Fustan mbi pantallona

Për ato që duan eksperimentet dhe rikthimin e stilit të viteve 2000, ‘slip’ fustani mbi pantallona të gjera apo të lehta duket shumë trendi. Zgjedhja ideale për shëtitje në qytet ose evente mbrëmjeje.

Fustan + çizme kauboj

Shpirti festiv jeton edhe këtë vit dhe çizmet kauboj kombinohen në mënyrë të shkëlqyer me delikatesën e këtij fustani. Me një kapele apo një çantë me frëngji, dukja boho është e plotë.

Fustan + bluzë e shkurtë

Një tjetër truk mode që e adhurojmë, një bluzë e thjeshtë me mëngë të shkurtra, për një atmosferë tipike të viteve ’90. Elegnate, komode dhe efektive. /Telegrafi/