Nga: Christopher Beanland, autor i librave Koncepti i betonit [Concrete Concept] dhe Arkitektura për veturat [Architecture For Cars]
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndjeshmëria e betonit të papërpunuar që karakterizon brutalizmin, mund të ketë qenë revolucionare në Mbretërinë e Bashkuar në vitet ‘50 të shekullit XX - me ndikim që shtrihet deri në mesin e viteve ‘70 të shekullit XX dhe veçanërisht e dukshme në ndërtesat administrative dhe banesat sociale - por, ajo shfaqet gjithashtu befasisht në një numër të madh ambientesh kishtare nëpër Gjermani.


Rindërtimi i pasluftës do të thotë që, sot, vendi është i mbushur me megastruktura të vrazhda dhe arkitekturë betoni që të marrin mendjen. Pa dyshim, Gjermania është shtëpia shpirtërore moderne e brutalizmit, dhe për këtë arsye është plotësisht e përshtatshme që këtu ndodhet organizata SOS Brutalism e ndërlidhur me Muzeun Gjerman të Arkitekturës në Frankfurt.

Udhëtimi nëpër pamjet më surrealiste brutaliste të Gjermanisë është një mënyrë e mrekullueshme për të zbuluar një anë tjetër të vendit - dhe ja si ta bëni këtë.

Hamburgu

Kampusi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Hamburg të kujton emisionin për fëmijë të BBC-së nga vitet ‘70 të shekullit XX, “Swap Shop”(Foto: Martin Kunze)

Hamburgu duhet të jetë ndalesa juaj e parë, meqë ka arkitekturë të shkëlqyer moderne të shpërndarë në të gjithë qytetin. Kampusi i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Bergedorf, për shembull, është një dyqan i shkëmbimeve shumëngjyrëshe [Multi-Coloured Swap Shop] nga viti 1972, ku ngjyrat e forta primare shkrepen si sfondi i një programi fëmijësh nga fundi i viteve ’70 të shekullit, aty ku një Noel Edmonds me flokë të thara përgjon nën një shkallë të ekspozuar betoni.

Bunkeri i Luftës së Dytë Botërore

Gjithashtu, Hamburgu ka edhe selinë e mëparshme të shtëpisë botuese Gruner + Jahr, e njohur nga vendasit si “Affenfelsen” - Shkëmbi i Majmunëve. Nuk është brutaliste në vetvete, por Kulla Kundërajrore [Flaktürme] në Feldshtras - ndërtuar në vitin 1943 për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore të Forcave Mbretërore Ajrore të Mbretërisë së Bashkuar - ndikoi drejtpërdrejt te arkitektët brutalistë të pasluftës. Tani ndodhet një hotel i ri në majë, “Reverb”, dhe ju mund të ngjiteni në çati e të eksploroni kopshtet e restauruara të bunkerëve - nëse qëndroni në këtë bunker rokënroli.

Këlni

Hoteli “25Hours” më parë ishte selia e kompanisë së sigurimeve “Gerling”(Foto: Steve Herud)

Adhuruesit e estetikës së shekullit XX do të kënaqen me detajet në hotelin “25Hours” në Këln, që ka transformuar selinë e dikurshme të kompanisë së sigurimeve “Gerling” të viteve ’60 të shekullit XX. Plani rrethor i ndërtesës të kujton Qendrën Televizive të BBC-së në Shepërds Bush dhe hoteli është i mbushur me dekor fantashkence, nga dritat te posterat që amplifikojnë edhe më shumë arkitekturën dhe dizajnin e mesit të shekullit të kaluar.

Është një kënaqësi e vërtetë për shqisat dhe plot argëtim. Ndërkohë, kisha e Gjonit XXIII e Heinz Buchmannit nga viti 1968, aty pranë, është një trazirë e vërtetë trarësh dhe përforcimesh betoni, krejt ndryshe nga çdo kishë që keni parë ndonjëherë.

Nevigesi

Eksterieri i Kishës së Pelegrinazhit - projektuar nga Gottfried Böhm - duket si diçka nga filmi “Star Wars”(Foto: Frans Sellies)

Një tjetër shembull madhështor që duhet parë për t’u besuar është Kisha e Pelegrinazhit në Neviges. E vendosur në një fshat të vogël jashtë Këlnit, në një pyll kodrinor, ajo në përmasa është më shumë se një katedrale. Unë e hapa derën me kujdes dhe nuk kishte asnjë njeri brenda gjatë vizitës sime dimërore. Hapësira e gjerë dhe asketike krijon një përvojë pothuajse transcendente teksa mrekullohesh me rrezet e diellit që depërtojnë nga dritaret në tavan. Eksterieri me blloqe i Gottfried Böhmit është më shumë si diçka nga [filmat] Star Wars - surreale, sugjestive dhe thellësisht magjepsëse.

Ofenbahu

Ndërtesa e Bashkisë së Ofenbahut është subjekt i shumë videove në rrjetet sociale për shkak të pamjes së saj të habitshme(Foto: Peter Sägesser)

Bashkia e Ofenbahut është tempull i qeverisjes së mirë vendore. Kompleksi gjigant është qartësisht brutalist nga jashtë. Por, brendësia e kryeveprës së arkitektëve Maier, Graf dhe Speidel është edhe më interesante. E përfunduar në vitin 1971, brendësia përzien një lob të ngrohtë në stilin e Teatrit Kombëtar, me beton të vrazhdë.

Ngjyrat e ndezura e gjallërojnë vendin, dhe ai ka përjetuar një ringjallje së fundmi si një yll i shumë videove në Instagram, falë pamjes së tij tërheqëse.

Munihu

Ende ekziston Fshati Olimpik i ndërtuar për Lojërat Olimpike të Verës 1972(Foto: Franz Marc Frei)

Parku Olimpik i Munihut përzien natyrën e bukur me struktura të çmendura brutaliste, si Kulla e Televizionit dhe stacioni i metrosë “Olympiastadion” me motivet gjigante betoni me tematikë sportive. Parku Olimpik i vitit 1972 ka befasi të fshehura për ata që i kushtojnë vëmendje - përfshirë një kabinë biletash të mrekullueshme me gjithë vetëbesimin e viteve ’70 të shekullit XX. Fshati Olimpik, ku qëndruan atletët, është një vitrinë banesash shumëkatëshe brutaliste - pa krime, pa grafite dhe pa sjellje të dyshimta. Sa teutonike!

Berlini

Kisha Shën Anjezës - e ndërtuar si kishë katolike - tani është galeri arti(Foto: Imago/Alamy)

Kisha e Shën Anjezës në Kojcberg të Berlinit është strukturë tepër e tendosur dhe e vrazhdë dhe ndoshta e kufizuar aq sa mund të jetë - blloqe të thjeshta betoni ngrihen drejt qiellit pa pothuajse asnjë dritare që të prishë rrjedhën. Tani është kthyer në Galerinë “Koenigs”, ku galeristi Johann Koenig, gjithnjë ekscentrik, ka një apartament të mbuluar me tapet ngjyrë vjollcë - jo vetëm në dysheme, por edhe në mure e tavane.

Por, monumenti brutalist që ndoshta njihni më mirë është Aeroporti “Tegel” i Berlinit, porta kryesore ajrore e Berlinit Perëndimor deri në fund të vitit 2020. Një aeroport i mrekullueshëm i vogël, i ndërtuar mbi temën e gjashtëkëndëshit, ofronte ecjen më të shkurtër nga makina te porta e për në botë - vetëm 10 hapa.

Kulla e Televizionit e Berlinit, me pamje nga Aleksandërplaci është një nga monumentet më ikonike të tij(Foto: Golero/E+)

Aktualisht po transformohet në banesa, zyra për startape teknologjie dhe një kampus universitar. Nga kafeneja në çatinë e hotelit “Park Inn” - një rrokaqiell i famshëm - mund të vësh re përzierjen e betonit përreth Aleksandërplacit, përfshirë edhe Kullën e Televizionit ose “Telespargel”-i, që do të thotë fjalë për fjalë “Asparagu Televiziv”. /Telegrafi/