Si kandidat për president, Joe Biden ka thënë se do të ndryshonte shumë nisma në politikën e jashtme të administratës Trump, të tilla si tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga marrëveshje ndërkombëtare dhe ka thënë se do të punonte në riparimin e marrëdhënieve transatlantike, që sipas tij, kanë qenë çelësi i stabilitetit në Evropë në 75 vjetët e kaluar.
Ish-nënpresident dhe senator, që ka shërbyer për pothuajse 50 vjet në Washington, Biden beson se Shtetet e Bashkuara mund t’iu qasen më së miri kërcënimeve botërore duke udhëhequr aleanca të shteteve demokratike.
Ai ka thënë se do të ndërmerrte “hapa të menjëhershëm” sapo ta merrte detyrën, që sipas tij do të forconin aleancat dhe që edhe “një herë, Amerika të udhëheqë me botën”.
Megjithatë, Biden do të përballet me probleme të mëdha të brendshme, në shtetin thellësisht të ndarë – përfshirë edhe pandeminë COVID-19, nivelin e lartë të papunësisë, tensionet racore dhe rritjen e pabarazisë – probleme këto, që sipas analistëve, mund ta detyrojnë atë që të vë në plan të dytë nismat sa i përket politikës së jashtme.
Analistët kanë thënë se administratës Biden mund t’i duhen disa muaj, që të kompletojë ekipin e saj për politikë të jashtme dhe të vendosë prioritete më specifike.
NATO dhe BE
Biden ka thënë se ai kërkon që të riparojë marrëdhëniet transatlantike, për të cilat, pasi, siç ka theksuar ai, presidenti Donald Trump i ka dëmtuar ato duke kritikuar vazhdimisht Bashkimin Evropian dhe NATO-në, duke vendosur tarifa ndaj disa mallrave evropiane dhe duke u tërhequr nga marrëveshje ndërkombëtare.
Për dallim nga Trumpi, i cili më 2016 e quajti NATO-në “të vjetëruar”, Biden e ka quajtur “aleancën më efektive politike-ushtarake në historinë moderne” dhe ka thënë se kjo aleancë duhet të qëndrojë e fortë teksa të adaptohet me kërcënimet e reja që vijnë nga Rusia.
“Për të luftuar agresionin rus, ne duhet t’i mbajmë të mprehta kapacitetet ushtarake të aleancës, teksa gjithashtu të zgjerojmë kapacitetet e saja për t’iu kundërvënë kërcënimeve jotradicionale, siç janë korrupsioni i armatosur, dezinformimi dhe vjedhja kibernetike”, ka shkruar Biden në gazetën Foreign Affairs më herët gjatë vitit 2020, në artikullin ku bëri të ditur pozicionet e tij për një varg çështjesh.
Rusia dhe Ukraina
Biden gjithashtu ka thënë se ai do të ketë një qëndrim më të ashpër ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, duke e quajtur Moskën një “kundërshtare” si dhe “kërcimin” më të madh ndaj sigurisë së SHBA-së në ditët e sotme.
Ai po ashtu ka kritikuar Kremlinin për veprimet e tij, përfshirë aneksimin e Krimesë dhe për rolin që ka luajtur në luftën ndërmjet Kievit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në rajonin ukrainas të Donbasit. Ai po ashtu ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane si dhe se qëndron prapa sulmeve të gazetarëve dhe liderëve të shoqërisë civile në Rusi. Trumpi shumë rrallë e ka kritikuar Kremlinin.
“Për dallim nga Trumpi, unë do të mbroj vlerat demokratike dhe do t’iu kundërvihem autokratëve si Putini”, ka thënë Biden në një postim në Twitter në muajin gusht.
Ai po ashtu ka kërcënuar se do ta ndëshkojë Moskën nëse ndërhyn në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe ka hedhur poshtë idenë e Trumpit që ta ftojë Rusinë të bëhet sërish pjesë e G7-së, grupit të vendeve më të industrializuara.
“Ne duhet të bëjmë që Rusia vërtetë të paguajë për shkeljet që i ka bërë normave ndërkombëtare dhe të qëndrojmë përkrah shoqërisë civile ruse, e cila është ngritur në këmbë ndaj sistemit autoritar, kleptokratik të Putinit”, ka shkruar ai në artikullin e botuar në Foreign Affairs.
Biden mbështet anulimin e gazsjellësit “Nord Stream 2”, që mbështetet nga Kremlini. Ky gazsjellës sjell gazin natyror nga Rusia për në Gjermani. Kundërshtarët e këtij gazsjellësi thonë se do ta privonte Ukrainën që të fitojë tarifa të mëdha për transitin e naftës nga Rusia dhe do të rriste varshmërinë e Evropës nga energjia ruse.
Biden, i cili ka qenë njeriu kryesor i Barack Omabës për Ukrainë, në kohën kur ishte nënpresident i SHBA-së, ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për pavarësinë e Ukrainës dhe integrimin e saj në Evropë dhe po ashtu ka mbështetur dërgimin e armëve në Kiev, për t’i ndihmuar që të luftojë kundër separatistëve të mbështetur nga Rusia.
Kontrolli i armëve
Biden ka thënë se do të zgjasë traktatin Fillimi i Ri, që është traktati i fundit i armëve bërthamore që ka me Rusinë, por ka shtuar se do të angazhohet në negociata për të arritur një pakt të ri. Traktati Fillimi i Ri, që vendos kufizime ndaj dy shteteve mbi arsenalin strategjik bërthamor, skadon në muajin shkurt, por mund të zgjatet edhe për pesë vjet të tjera, nëse të dyja palët arrijnë marrëveshje për një gjë të tillë.
Administrata Trump ka refuzuar propozimin e Moskës për të zgjatur këtë traktat pa kushte të reja, edhe ofertën që një gjë e tillë të bëhet për një vit. Po ashtu, administrata Trump nuk ka arritur marrëveshje për zgjatjen e këtij traktati. Biden argumenton se ky pakt ka benifite për sigurinë e SHBA-së dhe duhet të zgjatet, derisa të arrihet një marrëveshje e re.
Derisa pozicionet e Bidenit mbi veprimet e Putinit dhe të Rusisë sugjerojnë se tensionet mes Moskës dhe Washingtonit do të vazhdojnë të jenë të larta dhe potencialisht mund të përkeqësohen kur ai të marrë detyrën e presidentit, kontrolli i armëve është një nga çështjet, që sipas analistëve, mund të paraqesë një platformë për negociata produktive ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kremlinit.
Irani
Biden gjithashtu ka thënë se do ta kthejë SHBA-në në marrëveshjen me Iranin – që ka detyruar Teheranin të zvogëlojë aktivitetin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve – nëse Teherani do të zbatojë sërish kushtet e përcaktuara në marrëveshjen që u arrit më 2015.
Irani ka shkelur kushtet e marrëveshjes që ka arritur me fuqitë botërore, pasi Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja më 2018 dhe rivendosi sanksione ndaj Teheranit. Sanksionet kanë goditur ekonominë e Iranit, por nuk kanë bërë që të arrihet një marrëveshje e re.
Biden ka thënë se ai do të punonte edhe me fuqitë e tjera botërore, nënshkruese të marrëveshjes – Britaninë, Francën, Gjermaninë, Rusinë, Kinën si dhe BE-në – për të amendamentuar pjesë të marrëveshjes, por pasi Irani të rinisë sërish respektimin e paktit.
“Me aleatët tanë, ne do të punojnë në forcimin dhe zgjerimin e dispozitave të marrëveshjes, teksa do të adresojmë edhe çështje të tjera që janë shqetësuese” si shkeljet e të drejtave të njeriut dhe burgosjen e të huajeve, ka thënë Biden.
Kina
Për dallim nga koha kur ishte nënpresident nga viti 2009 deri më 2017, Biden ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj Kinës viteve të fundit, duke e kritikuar Pekinin për abuzime me të drejtat e njeriut dhe duke e akuzuar për praktika të padrejta tregtare.
Megjithatë, ai po ashtu ka kritikuar politikën e Trumpit, duke thënë se presidenti amerikan do të duhej të ndërtonte një koalicion me aleatët për të luftuar Kinën për abuzimet e saja dhe për politikat tregtare, në vend se të përfshihej në një luftë tregtare me këtë shtet, që është ekonomia e dytë më e madhe në botë.
“Kur ne bashkohemi me demokracitë e tjera, fuqia jonë dyfishohet. Kina nuk do të mund të injorojë më shumë se gjysmën e ekonomisë botërore. Kjo na jep ne avantazh që të përcaktojmë rregullat e rrugës për gjithçka, prej kushteve në vendet e punës, tregtisë, teknologjisë e transparencës, në mënyrë që ato të vazhdojnë të reflektojë interesat dhe vlerat demokratike”, ka thënë ai.
Megjithatë, disa analistë thonë se Bideni nuk pritet që të ngutet në heqjen e tarifave të vendosura nga Trump teksa administrata e tij të hyjë në negociata me Kinën lidhur me tregtinë.
Afganistani
Biden ka thënë se ai do të kthejë në shtëpi trupat amerikane që gjenden në Afganistan – pas pothuajse 20 vjetësh që kur SHBA-ja udhëhoqi pushtimin, që rrëzoi nga pushteti ekstremistët talibanë, pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 – dhe do të lë atje vetëm një kontingjent të vogël të forcave speciale, të cilat do të kryejnë misione kundër terrorizmit.
Biden, gjatë kohës sa ishte nënpresident i SHBA-së, kishte kundërshtuar dërgimin e një numri të madh të forcave amerikane në Aftanistan.
Duke përjashtuar zhvillime që mund të ndodhin deri para inaugurimit të tij më 20 janar, ai do të trashëgojë një proces historik, por të brishtë, të negociatave të paqes që Administrata Trump nisi, pas arritjes së një marrëveshje politike me talibanët në shkurtin e vitit 2020, që i hapi rrugë bisedimeve të paqes ndërmjet talibanëve dhe Qeverisë afgane që mbështetet nga SHBA-ja.
Mjedisi
Biden e ka quajtur ngrohjen botërore “kërcënim ekzistencial” dhe ka thënë se ta rikthejë SHBA-në në Marrëveshjen e Parisit – marrëveshje e arritur më 2015, që ka për qëllim luftimin e ndryshimeve klimatike – marrëveshje nga e cila Trump u tërhoq, vetëm disa muaj pasi mori detyrën.
“Do të ribashkohem në Marrëveshjen e Parisit për Klimën në ditën e parë të administratës Biden dhe më pas do të mbajë një samit me emetuesit më të mëdhenj të karbonit në botë, duke mbledhur shtetet që të shprehin ambiciet e tyre dhe të shtyjmë progresin përpara më shpejt”, ka shkruar Biden në artikullin për Foreign Affairs.
Ai po ashtu ka thënë se do të favorizojë industritë vendore të energjisë së ripërtërishme, siç janë prodhuesit e energjisë me erë dhe panele diellore, në përpjekje për të ulur konsumin e hidrokarbureve në vend. Kritikët kanë frikë se Biden do të vendosë më shumë rregullatorë mbi industrinë e naftës, duke bllokuar kështu investimet dhe rritjen ekonomike.
Shtetet e Bashkuara, gjatë mandatit të Trumpit, vazhduan të rrisin prodhimin e naftës dhe gazit dhe u bën prodhuesi më i madh i hidrokarbureve në botë.
Rritja e prodhimit të naftës dhe gazit në SHBA, pjesërisht i mundësoi Uashingtonit që të vendosë sanksione lidhur me energjinë, ndaj vendeve të tjera, përfshirë Rusinë, Iranin dhe Venezuelën.
Demokracia
Biden ka thënë se do të punojë me aleatët e SHBA-së për të forcuar demokracitë në mbarë botën dhe për të luftuar autoritarizmin. Ai po ashtu ka shprehur shqetësim mbi atë që gjerësisht shihet si kthim prapa në demokraci në disa vende anëtare të NATO-së, përfshirë Poloninë dhe Hungarinë.
“Gjatë vitit të parë si president, Shtetet e Bashkuara do të organizojnë një samit botëror për demokracinë, për të ringjallur shpirtin dhe qëllimet që ndajmë me të gjitha kombet e botës së lirë. Samiti do të bëjë bashkë demokracitë e botës dhe do të ketë për qëllim forcimin e institucioneve tona demokratike, dhe përballen e sinqertë me vendet që janë duke rrëshqitur nga ky qëllim dhe të krijojmë një agjendë të përbashkët”, ka shkruar Biden më herët gjatë vitit 2020.
Çështjet e brendshme
Biden do të trashëgojë një shtet thellësisht të ndarë, që muajve të fundit është përballur me protesta mbi dhunën e policisë ndaj njerëzve me ngjyrë, por edhe për masat e vendosura për ta luftuar koronavirusin.
Trump është akuzuar nga kundërshtarët se ka nxitur disa nga këto ndarje, përfshirë edhe ato racore dhe për imigrim, dhe Biden do të përballet me një betejë të vështirë për të bashkuar vendin, pas një fushate të ashpër zgjedhore.
Sa i përket pandemisë COVID-19, Biden ka thënë se ai “do të dëgjoj shkencëtarët” dhe do të bëjë “çfarëdo që është e nevojshme” për të frenuar përhapjen e virusit në Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe vendosjen e masave të izolimit, nëse është e nevojshme. Ai po ashtu ka thënë se do ta bëjë të detyrueshme mbajtjen e maskave në publik.
Shtetet e Bashkuara kanë më së shumti raste të infektime dhe të vdekjeve nga COVID-19 në botë. Pandemia ka rritur edhe nivelin e papunësisë, duke prekur kryesisht punëtorët me të ardhura të ulëta dhe duke rritur kështu më shumë pabarazinë.
Biden ka thënë se ai do të heqë dorë nga vendimi i Trumpit për të shkurtuar taksat për korporatat dhe amerikanët e pasur dhe do të rrisë pagën minimale, në mënyrë që të përfitojnë më të varfrit. Biden ka thënë po ashtu se do ta forcojë Ligjin për kujdesin shëndetësor, që gjerësisht njihet si Obamacare. Trump ka bërë disa ndryshime në këtë ligj, që sipas kritikëve, e kanë minuar këtë legjislacion. /REL/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëIsh-kryeministri britanik paralajmëron se trupat britanike mund të dërgohen në Ukrainë nëse e humb mbështetjen e SHBA-ve
SHBA hap bazën e raketave në Poloni - zbulohen detaje rreth saj
Tajlandezja ndërtoi një qeli në shtëpi për të mbrojtur veten nga djali
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit
Donald Trump konfirmon se Elon Musk do të bashkëdrejtojë "departamentin e ri të efikasitetit të qeverisë"
Ishte destinuar për sulm në Ukrainë, ushtarët e Kremlinit ia huqin – me dronin iranian godasin një ndërtesë civile në Rusi
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Xheneta i heq çmimit të madh 10 mijë euro, dëgjon fjalët që Xuxi tha për familjen e saj: E degjeneruar, e ka lënë nëna kur i ka pasur një vjet
Trump zgjedh shefin e ri të CIA-s
Tifozët e Barcelonës i luten Laportas ta transferojë sensacionin e këtij sezoni që ngjan me lojën e Messit
Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale - Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë
Shoferi besnik i Princeshës Diana flet për herë të parë pas 27 vitesh: Më pushuan nga puna pa arsye, po të vozisja unë në natën tragjike ajo sot do të ishte gjallë
Gjiganti amerikan i naftës del kundër Trumpit: SHBA-ja nuk duhet të largohet nga Marrëveshja e Parisit