Si inteligjenca artificiale e ndihmoi një njeri të ndërtojë një kompani me vlerë 1.8 miliard dollarë

Në shtator 2024, Matthew Gallagher, një sipërmarrës nga Los Angeles, themeloi kompaninë e telemjekësisë Medvi, duke punuar nga shtëpia dhe me vetëm 20 mijë dollarë kapital fillestar.
Ai shfrytëzoi më shumë se një duzinë mjetesh të inteligjencës artificiale për të ndërtuar platformën, duke përfshirë shkrimin e kodit, krijimin e përmbajtjes për faqen e internetit dhe reklamat, si dhe menaxhimin e shërbimit ndaj klientit.
Në vitin e parë, Medvi arriti të realizojë shitje prej 401 milionë dollarësh, ndërsa për vitin 2026 parashikohet të arrijë rreth 1.8 miliard dollarë të ardhura, pavarësisht se ka vetëm dy punonjës të përhershëm – vetë Gallagherin dhe vëllain e tij, Elliot – duke përdorur partnerë të jashtëm për shërbimet mjekësore dhe shpërndarjen e barnave.
Gallagher ka pohuar se ka shfrytëzuar mjete të tilla si ChatGPT, Claude, Grok, MidJourney dhe Runway për pjesë të ndryshme të biznesit, ndërsa shërbimet e licencuara mjekësore dhe përputhshmëria janë menaxhuar nga platforma të jashtme si CareValidate dhe OpenLoop Health.
Medvi u shqua për një rritje jashtëzakonisht të shpejtë, duke arritur rreth 250 mijë klientë deri në fund të vitit 2025 dhe, sipas pretendimeve të kompanisë, pritet të shkojë mbi 500 mijë pacientë gjatë vitit 2026, shkruan thenewyorktimes.
Megjithatë, në shkurt 2026, kompania mori një letër paralajmëruese nga FDA (Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA), lidhur me pretendimet e pasakta për produktet e saj dhe mënyrën se si ato prezantoheshin në faqen e internetit – duke përfshirë pretendime që sugjeronin një aprovimi nga FDA që në të vërtetë nuk ishte kryer.
FDA paralajmëroi se moskorrigjimi i këtyre shkeljeve mund të çojë në konfiskime ose ndalime ligjore.
Analiza e reklamave dhe përmbajtjes në rrjetet sociale tregoi se disa fushata përdornin persona të krijuar nga inteligjenca artificiale me tituj mjekësorë të trilluar, si dhe video dhe dëshmi të sajuara.
Disa nga këta persona shfaqeshin me emra si “Dr. Robert Whitworth”, “Professor Albust Dongledore” dhe “Dr. Richard Hörzgock”, por rezultoi se të gjithë ishin të sajuar dhe adresat e kontaktit të dhëna nuk ekzistonin.
Në faqen e Medvi janë listuar dy mjekë të vërtetë, por verifikimet treguan se asnjëri prej tyre nuk posedon certifikimet speciale që pretendohen, dhe lidhja e tyre me Medvi ose me praktikën e tyre mjekësore mbetet e paqartë.
Në vitet e fundit janë ngritur disa padi ndaj Medvi dhe kompanive të lidhura, duke përfshirë akuza për shitje të produkteve me pretendime të pasakta shkencore, si dhe akuza të tjera që lidhen me mashtrime ndaj konsumatorëve dhe praktika tregtare të diskutueshme. /Telegrafi/




















































