LAJMI I FUNDIT:

Si arriti Dodik të largohej nga Bosnja-Hercegovina?

Si arriti Dodik të largohej nga Bosnja-Hercegovina?

Policia kufitare e Bosnjë dhe Hercegovinës ka hapur një hetim mbi mënyrën dhe vendin se si dhe ku i arratisuri dhe kreu i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, kaloi kufirin e vendit dhe dje shkoi në Serbi, pavarësisht faktit që për të ishte shpallur një urdhër arresti, ndërsa të gjithë po pyesin se si mund të ketë ndodhur kjo.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës ka caktuar paraburgim dhe ka lëshuar një urdhër arresti për Dodikun, kryeministrin e Republikës Serbe, Radovan Visgkoviq, dhe kryetarin e parlamentit të entitetit, Nenad Stevandiq, për shkak të refuzimit të tyre për t’u paraqitur në seancat dëgjimore të thirrura nga Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës në kuadër të një hetimi për dyshime për cenim të rendit kushtetues të vendit.

Dodik lajmërohet nga Izraeli - tregon pse nuk u arrestua në Tel Aviv
Lexo po ashtu Dodik lajmërohet nga Izraeli - tregon pse nuk u arrestua në Tel Aviv

Urdhri i arrestimit, i cili për momentin është i vlefshëm vetëm për territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës, i detyron të gjitha agjencitë policore të vendit që të arrestojnë dhe dorëzojnë Dodikun, Vishkoviqin dhe Stevandiqin te policia gjyqësore nëse i hasin gjatë detyrës. Kjo përfshin edhe Policinë Kufitare, e cila pothuajse çdo ditë gjatë kontrolleve të zakonshme kap dhe arreston persona për të cilët gjykatat e vendit kanë lëshuar urdhër arresti.


Megjithatë, pavarësisht urdhrit të arrestimit, Dodik arriti të kalojë kufirin pa pengesa dhe u shfaq dje në Beograd, ku ishte përkrah Aleksandar Vuçiqit në një tubim të organizuar nga autoritetet serbe për të përkujtuar përvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë në vitin 1999, të cilat synonin të ndalonin përndjekjen e shqiptarëve në Kosovë.

Anëtari i komisionit të përbashkët të të dy dhomave të parlamentit të Bosnjës dhe Hercegovinës për mbrojtje dhe siguri, Kemal Ademoviq, u tha gazetarëve në Sarajevë se nuk ka asnjë informacion mbi mënyrën se si Dodik arriti në Beograd dhe se edhe ai vetë është i befasuar nga ky fakt. Ai njoftoi mbajtjen e një seance të veçantë të komisionit për shkak të këtij incidenti, i cili ka vënë në pikëpyetje gjendjen e sektorit të sigurisë në vend, shkruan index.hr.

Policia Kufitare e Bosnjës dhe Hercegovinës konfirmoi sot se drejtori i tyre, Mirko Kupreshakoviq, ka urdhëruar një hetim mbi mënyrën se si Milorad Dodik kaloi kufirin ndërmjet Bosnjës dhe Serbisë. Ata shtuan se, në përputhje me ligjin, po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e kufirit shtetëror.

Policia Kufitare e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vuajtur prej vitesh nga mungesa e personelit dhe pajisjeve. Aktualisht, kësaj force i mungojnë më shumë se 500 oficerë kufitarë, duke bërë që teorikisht një oficer të mbulojë çdo 40 deri në 50 kilometra të vijës kufitare.

Kush është Milorad Dodik?
Lexo po ashtu Kush është Milorad Dodik?

Mediat në Bosnje spekulojnë se Dodik mund të ketë shfrytëzuar këtë fakt dhe të ketë kaluar kufirin përmes ndonjë prej kalimeve të shumta ilegale për të shmangur rrezikun e arrestimit. Dodikun brenda territorit të Bosnjës e shoqërojnë pjesëtarë të armatosur rëndë të njësisë kundër terrorizmit të Ministrisë së Brendshme të Republikës Serbe, me detyrën për të parandaluar arrestimin e tij.

Gjykatat e Bosnjës dhe Hercegovinës kanë ende mundësinë të lëshojnë një urdhër arresti ndërkombëtar për Dodikun, ndërsa nga rrethi i tij i afërt kanë njoftuar se ai do të vazhdojë qëndrimin jashtë vendit me një vizitë në Izrael. Thuhet se ai planifikon të marrë pjesë në një konferencë në Jerusalem më 26 dhe 27 mars, e organizuar nga Ministria izraelite për Diasporën, kushtuar luftës kundër antisemitizmit.

Komisioneri gjerman për çështjet hebraike, Felix Klein, ka anuluar pjesëmarrjen e tij në këtë konferencë pikërisht për shkak të pranisë së paralajmëruar të Dodikut dhe disa figurave të ekstremit të djathtë francez. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë

"Këtu është shumë ftohtë, askush nuk ma tha këtë", bëhet viral reagimi i zëvendëspresidentit amerikan gjatë vizitës në Grenlandë

Botë
Anëtari më i ri i NATO-s po dërgon aeroplanët ushtarakë për të kontrolluar kufijtë e aleancës për herë të parë

Anëtari më i ri i NATO-s po dërgon aeroplanët ushtarakë për të kontrolluar kufijtë e aleancës për herë të parë

Botë

"Tërmeti më i fortë në 100 vjet" - rritet numri i të vdekurve nga lëkundjet shkatërruese në Myanmar

Azia
Qyteti i parë në Serbi që e shpalli Vuçiqin persona non-grata

Qyteti i parë në Serbi që e shpalli Vuçiqin persona non-grata

Serbia
Trump: SHBA duhet ta marrë Grenlandën, nëse BE dhe Danimarka nuk e kuptojnë këtë do t'ua shpjegojmë

Trump: SHBA duhet ta marrë Grenlandën, nëse BE dhe Danimarka nuk e kuptojnë këtë do t'ua shpjegojmë

Botë
Këtë të dielë ndryshon ora - ja çfarë duhet të dini

Këtë të dielë ndryshon ora - ja çfarë duhet të dini

Botë
Kalo në kategori