LAJMI I FUNDIT:

Më shumë se 17 mijë të rinj kanë aplikuar në konkursin për polic

Më shumë se 17 mijë të rinj kanë aplikuar në konkursin për polic

Më shumë se 17 mijë të rinj dhe të reja kanë aplikuar në konkursin për polic, i cili zyrtarisht është mbyllur dje.

Ndonëse zyrtarisht nuk është thënë se sa është numri i atyre që do të pranohet mësohet se ai nuk do ta kalojë 300-shin.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë nëpërmjet postës elektronike  ka thënë për kp se interesimi i të rinjve për të qenë policë është  mjaft i madh.


Deri dje kur edhe është mbyllur konkursi, sipas Hoxhës janë pranuar gjithsej 17 mijë e 500 aplikacione, mirëpo gjasat janë që numri të jetë më i madh  pasi që ende po vazhdon procesi i regjistrimit të aplikacioneve.

“Interesimi i të rinjve dhe të rejave nga të gjitha komunitetet ka qenë mjaft i madh për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës dhe për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve. Konkursi për zyrtar policor është mbyllur me datë 10 maj dhe deri me këtë datë janë pranuar rreth 17 mijë e 500 aplikacione. Meqenëse ende është në proces regjistrimi i aplikacioneve në sistem dhe vetëm pas regjistrimit të të gjitha aplikacioneve dihet numri i saktë”, ka bërë të ditur Hoxha.

Konkursi është hapur më 16 prill dhe të drejtë konkurrimi kanë personat, shtetas të Kosovës prej moshës 18 deri 30 vjeqare.