Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Shukri Bujës për kryetar të Komunës së Lipjanit në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, mori pjesë sot në një takim me të rinjtë e kësaj komune, ku prezantoi zyrtarisht kandidaturën e Bujës.


Ai tha se Lipjani ka nevojë për një udhëheqës me përvojë dhe lidhje të forta me qytetarët – cilësi që, sipas tij, i përfaqëson më së miri Shukri Buja.

“Në një atmosferë të ngrohtë dhe mobilizuese, theksova se Lipjani meriton një drejtim të ri, të përgjegjshëm dhe me vizion zhvillimor, të cilin e garanton Shukriu”, u shpreh Krasniqi.

Në këtë aktivitet morën pjesë dhjetëra të rinj, si dhe anëtarë e përkrahës të PDK-së, të cilët shprehën përkrahje të fuqishme për kandidaturën e Bujës.

Në fjalën e tij, Shukri Buja – ish-kryetar i komunës dhe figurë e njohur në politikë dhe në kohë lufte – premtoi se do të angazhohet me përkushtim për të rikthyer zhvillimin dhe besimin në institucionet lokale.

“Do të punoj për çdo lagje dhe çdo fshat, me synimin që Lipjani të bëhet shembull i qeverisjes së mirë dhe përparimit të qëndrueshëm,” tha Buja.

Zgjedhjet lokale pritet të mbahen më 12 tetor dhe gara në Lipjan shihet si një ndër më të ndjekurat në nivel lokal.