LAJMI I FUNDIT:

Riatdhesimi i mbetjeve mortore nga Krizhevaku: Serbia ende i fsheh trupat e njerëzve tanë!

Riatdhesimi i mbetjeve mortore nga Krizhevaku: Serbia ende i fsheh trupat e njerëzve tanë!

Viti 1999 për shqiptarët ishte pranë apokalipsit. Ajo pranverë në vend të aromës së luleve solli aromën e gjakut, ndërsa vendin e shiut e zunë lotët e nënave.

Në 22-vjetorin e masakrave dhe eksodit të shqiptarëve, dhimbja është ende mes nesh; klithmat dhe thirrjet e të masakruarve ende bëjnë jehonë…


Për një shekull rresht, krimet dhe shpërnguljet ndaj popullit shqiptar nuk u ndalë. Ato ishin të projektuara deri në detalin e fundit.

Ilia Garashanini është ideatori themeltar i nacionalizmit antishqiptar serb. Garashanini u bë ministër i princit të ri serb, Aleksandër Karagjorgjeviq, që i krijoi hapësirë për zhvillimin e projektit politik për Serbinë e Madhe.

Garashanini me “Naçertanien” synonte shpartallimin e Perandorisë Osmane dhe të Austro-Hungarisë të cilën e konsideronte armike edhe më të rrezikshme. Ai shkoi më larg me hartën territoriale në të cilën duhej të shtrihej Serbia. Interes parësor i tij ishin tokat nën sundimin osman, që kishin sadopak popullsi serbe. Për të Shqipëria ishte shumë e rëndësishme, sepse kishte dalje në det.

Në atë kohë Serbia e kishte pas vetës “nënën” Rusi dhe kjo ndikonte në politikat e saj. Por, Garashanini nuk dëshironte që të gjithat të jenë në duar të Rusisë, ndaj nxiste bashkëpunimin me shtete tjera që kishin peshë, si Franca.

“Naçertanie” u bë platformë politike e nacionalizmit serb. Me ardhjen në pushtet të Partisë Radikale Serbe, të drejtuar nga Nikolla Pashiqi, “Naçertania” ishte program politik për Monarkinë Serbe.

Më poshtë janë programet serbe për shpërnguljen dhe zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre:

1844: Ilia Garashanini përpilon “Naçertaninë”;

1881: Programi për depërtimit në det;

1920: Programi i likuidimit të shqiptarëve;

1937: Elaborati i Çubriloviqit për zhdukjen e shqiptarëve me dhunë dhe terror;

1939: Programi i Ivo Andriqit për shpërnguljen e shqiptarëve dhe zhbërjen e Shqipërisë;

1941: Programi i Moleviqit;

1942: Programi i Drazha Mihajloviqit;

1944: Elaborati II i Çubriloviçit;

1950: Programi jugosllav për shpërnguljen e shqiptarëve me dhunë;

1986: Memorandumi i Akademisë Serbe për Kosovën serbe.

Por, për të gjitha këto krime, nga Serbia nuk ka kërkimfalje, e as për krimet e luftës së fundit: masakrën e Prekazit, masakrën e Reçakut, masakrën e Izbicës, masakrën e Rezallës, masakrën e Dubravës, masakrën e Krushës së Madhe, masakën e Rugovës së Hasit, masakrën e Studimes… ku nuk kursyen as foshnjat, as pleqtë e as gratë shtatzëna.

Ende të zhdukur janë 1600 persona dhe shteti serb as për ta nuk jep përgjegjësi.

Shtyllat e shtetit tonë janë në varret e të rënëve për liri; është kontributi i gjithë atyre gjeneratave të cilat nuk kursyen asgjë për pavarësinë e këtij shteti; janë lotët e nënave të cilat mbetën të vetme…

Kemi luftuar me shekuj sepse nuk donim të jetojmë në robëri si skllevër. Tash është koha që t’i realizojmë ëndrrat për Kosovën…