Shtetet e Ballkanit ende nuk i besojnë njëra-tjetrës

Kështu vlerësohet në raportin “Marrëdhëniet Ndëretnike në Ballkanin Perëndimor” të publikuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED).
Në këtë raport thuhet se shpërbërja e dhunshme e ish-Jugosllavisë ka lënë trashëgimi mosbesime dhe armiqësi të thella midis etnive shumicë dhe pakicë në shtetet e reja që u shfaqën nga ajo. “Përjashtim nga kjo rregull është Shqipëria, ku marrëdhëniet ndëretnike midis shumicës shqiptare dhe minoriteteve greke, maqedonase dhe të tjera, janë relativisht të mira”, thuhet në raport.
“Një çështje rënduese në të gjitha vendet e rajonit, pos Malit të Zi, janë mospajtimet rreth numrit të pjesëtarëve të komuniteteve minoritare që banojnë brenda këtyre shteteve. Një tipar shtesë i minoriteteve etnike është ai i kombësisë së padeklaruar në regjistrimet kombëtare. Po ashtu, këto shtete, me përjashtim të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, kanë kaluar nëpër ndryshime dramatike të përbërjes së strukturës së tyre etnike për shkak të luftërave dhe mizorive që janë shoqëruar me probleme të njerëzve që janë shndërruar në refugjatë dhe në të zhvendosur të brendshëm”, thuhet po ashtu në këtë raport.
Referuar KIPRED-it, pos kësaj, rrëfimet për pozitat e komuniteteve të minoriteteve etnike në shtetet e rajonit, pos në Shqipëri dhe Kroaci, deri në një masë janë ende të hapura.
“Kroatët dhe, posaçërisht, serbët, në Bosnje e Hercegovinë kanë ende ambicie separatiste, pavarësisht nga statusi i tyre i barabartë me boshnjakët dhe natyra federale e këtij shteti. Në Kosovë, komuniteti serb kërkon autonomi më të fuqishme territoriale, ndërkohë që ata që jetojnë në veriun e vendit janë tejet të prirur ndaj separatizmit dhe njësimit me Serbinë. Shqiptarët në Maqedoni janë të pakënaqur me pozitën e tyre, dhe janë duke kërkuar më tepër të drejta në nivelin kombëtar. Situata është pak a shumë e njëjtë me minoritetin etnik serb në Mal të Zi. Në Serbi, edhe boshnjakët në Sanxhak, edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës janë duke kërkuar autonomi territoriale dhe janë të prirur ndaj separatizmit dhe njësimit me Bosnjën e Hercegovinën, përkatësisht Kosovën”, thuhet në raport.
KIPRED rekomandon që Qeveria e Kosovës duhet t’ia kushtojë vëmendjen e duhur situatës së marrëdhënieve ndëretnike në vendet fqinje dhe në Bosnje e Hercegovinë.
“Të gjitha vendet në rajon, dhe posaçërisht Serbia në raport me Bosnjën e Hercegovinën dhe Kosovën, si dhe Kosova në raport me Luginën e Preshevës, duhet ta qartësojnë që ndryshimet e kufijve janë të papranueshëm. UE-ja së bashku me OSBE-në dhe Këshillin e Evropës duhet ta ushtrojnë një trysni të posaçme në të gjitha vendet e rajonit për të organizuar regjistrime kredible, ashtu që t’i zgjidhin grindjet mbizotëruese rreth numrit të pjesëtarëve të komuniteteve etnike minoritare”, rekomandon KIPRED.
Unioni Evropian, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës duhet ta fuqizojnë qasjen rajonale ndaj marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore. Vëmendje e veçantë duhet t’i jepet Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës që janë lënë anash fushës së marrëdhënieve ndërshtetërore midis Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, përkatësisht Serbisë dhe Kosovës.
“OSBE-ja duhet ta merr parasysh mundësinë e hapjes së zyrave në Sanxhak dhe në Luginën e Preshevës ashtu që t’i përcjellë nga afër këto dy zona që praktikisht janë lënë pa mbrojtje”, rekomandon KIPRED. /Telegrafi/




















































