LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarja që arriti majat më të larta të karrierës në SHBA, Rudina Seseri flet për sukseset, sfidat dhe jetën e saj

Shqiptarja që arriti majat më të larta të karrierës në SHBA, Rudina Seseri flet për sukseset, sfidat dhe jetën e saj

Të pakta janë gratë në fushën e biznesit në Shtetet e Bashkuara, që kanë arritur suksesin e Rudina Seserit. Ajo është themeluese dhe partnere menaxhuese e kompanisë “Glasswing” që ka investuar mbi 100 milion dollarë në biznese të shumta, me një fokus tek Inteligjenca Artificiale.

Revista “Entrepreneur” e radhiti zonjën Seseri në fund të vitit të kaluar, mes 100 grave me të fuqishme në biznes në Shtetet e Bashkuara. Në një bisedë për Zërin e Amerikës zonja Seseri foli për sukseset dhe sfidat e saj, për periudhën kur u përfshi në politikë në Shqipëri, por edhe për atë që e motivon, si edhe balancimin e karrierës me jetën personale.

Siguria dhe fokusi, që kanë kontribuar tek suksesi që e radhiti Rudina Seserin mes 100 grave më të fuqishme të biznesit në Shtetet e Bashkuara nga revista e njohur “Entrepreneur”, reflektohet në reagimin e saj ndaj këtij vlerësimi.


“Në këtë pikë të karrierës, e vlerësoj, jam mirënjohëse, mos më keqkupto, por i vë më pak rëndësi titujve, vlerësimeve. Jam shumë më e lumtur nëse një kompani e imja arrin diçka nga portofoli i investimeve, ose nëqoftëse ata marrin një titull, nëse ata shkrihen me një kompani tjetër për të arritur diçka më të madhe, ajo për mua është më e prekshme sesa një titull në një revistë, një artikull”, tha Seseri.

Vendim i guximshëm karriere

Zonja Seseri kishte krijuar një karrierë të suksesshme në botën e financave, para se të themelonte në vitin 2016, kompaninë e investimeve në sipërmarrje “Glasswing”, emri i së cilës vjen nga një lloj fluture me krahë të tejdukshëm si xhami.

“Në biznesin që jemi ne, japim kapitalin për dy ose tre themelues të kompanisë për secilën nga ato kompani, ku kanë një ide, shohin një mundësi në treg, kapitali i mundëson të arrijnë nga një ide për një biznes, në një biznes dhe nga një bizes në një kompani fituese ose të madhe në treg, ashtu si një flutur kalon fazat nga larva në flutur”, thotë ajo.

Por emri u zgjodh edhe për të përçuar idenë e transparencës dhe forcës. “Glasswing” investon në biznese që zhvillojnë zgjidhje përmes Inteligjencës Artificiale.Zonja Seseri thotë se ajo dhe një partner i saj në firmën e mëparshme, Rick Grinnell, menduan që kjo fushë meritonte strategjinë e vet dhe e morën vendimin megjithë skepticizmin jashtë dhe brenda industrisë. Por ajo shton se vendimi ishte i peshuar mirë.

“Kjo nuk ishte diçka që unë u zgjova një mëngjes dhe thashë ‘do bëjmë këtë’. Në vazhdimësi në fushën time ne zhvillojmë ato që quhen teza, teza për në treg, teza në teknologji dhe kush do të jenë forcat që do ta ndërpresin të tashmen dhe do të na ndihmojnë të kalojmë në një fazë tjetër teknologjike”.

Nga Shqipëria në majat e suksesit në SHBA

Rudina Seseri, erdhi në Shtetet e Bashkuara në moshën 16 vjeçare. Ajo studioi në universitetin Wellesley për ekonomi dhe marrëdhënie ndërkombëtare. Më pas punoi në Wall Street. Pasi përfundoi një master në Harvard, punoi në kompaninë Microsoft, ku iu zhvillua pasioni për teknologji dhe më pas hyri në fushën e kapitalit për sipërmarrje.

“Nuk jam e sigurt të them që isha një mëngjes e re dhe ky ishte vizioni im duke menduar që unë të paktën deri në adoleshencë isha në Shqipëri dhe të mendoje në fillim të viteve ’90 që do të ishte fusha e kapitalit për sipërmarrje, jo. Ajo që solli ndryshim në jetën time, kanë qenë momente të caktuara”, thotë ajo.

Angazhimi në politikën shqiptare

Në gjithë këtë ngritje të saj, pati vetëm një shkëputje prej dy vjetësh në vitin 2009, kur u bë deputete për Partinë Socialiste në Shqipëri, e nxitur nga ndjesia që kishte lënë diçka pas, por edhe për të qenë më pranë të ëmës, e cila në atë kohë kishte disa probleme shëndetësore.

“Ishte mundësia ime për të dhënë diçka mbrapsht, ishte mundësia ime në ato momente për t’i vënë një kapak, për të thënë çfarë është realiteti, për të kontribuar”.

Por plani i saj ndryshoi pasi siç thotë idealizimi i Shqipërisë nga dikush që e mban mend si e vogël dhe realiteti janë dy gjëra të ndryshme.

“Frika ime më e madhe ka qenë dhe vazhdon të jetë që unë sa më shumë kohë kaloj këtu, kam frikë se humbas kontekstin lokal, jo për të kuptuar problemet, jo madje edhe për të kuptuar se si mund të shkohet në rrugën e zgjidhjes, por aftësinë për të manovruar. Më bëjnë përshtypje gjëra që do t’i bënin një të huaji, që është paksa e padrejtë, por gjithashtu realiste”, thotë ajo.

Para 10 vjetëve, zonja Seseri u kthye në Shqipëri me insistimin e kryetarit të PS-së Edi Rama. Sot ajo e sheh kryeministrin në kontekstin e Shqipërisë, duke thënë se asnjë nuk është i përkryer por edhe Shqipëria nuk është vendi më i lehtë për t’u naviguar.

“Pikëpamja ime mbi rolin e Ramës është që Shqipëria për aftësitë që ka, për botëkuptimin krejt ndryshe, me të mirat dhe të këqiat që vijnë me të, jemi të gjithë paketë përfshirë dhe Ramën, si individ. Gjithmonë e kam thënë që kur erdhi në fuqi që Shqipëria është vetëm një ndalesë. Rama ka një kombinim të pazakontë kreativiteti, aftësie për të ekzekutuar dhe vizioni dhe ato e bëjnë njeri si të vështirë për të dhënë e për të marrë, por gjithashtu dikush që mund të ketë impakt përtej të natyrshmes ose çfarë mund të presësh nga një udhëheqës rutinë”, tregon Seseri.

Ajo thotë se tërmeti që ndodhi në Shqipëri, është një fatkeqësi e madhe e kombinuar me një mosmenaxhim gjigand, por që krijon hapësirën për ta ridrejtuar vendin.

“Trashëgimia që do të lërë Rama mbrapa nuk janë arritjet dhe mosarritjet e asaj që ka ndodhur deri tani, është çfarë ndodh në pikëpamjen time nga ky moment dhe tutje, sepse ka mundësinë ta transformojë vendin, në një formë shumë më të madhe, shumë më afatgjatë dhe me impakt më të gjerë”.

“Nuk e toleroj dështimin”

Për një njeri që ka arritur shkallën e suksesit që ka arritur zonja Seseri, lind natyrshëm pyetja se çfarë e motivon atë. Ajo thotë se ka shumë pak tolerancë për dështim.

“Nuk ka kapital më të rrezikshëm sesa lloji i atij që menaxhoj unë sepse janë dy veta dhe një ide dhe ja ku janë paratë, miliona dollarë, kështuqë është pak si çudi që për dikë që merr hapa kaq të rrezikshme për investime, frika nga dështimi më motivon, kam tmerr nga ideja që mund të dështoj në diçka, çka do të thotë që nëqoftëse duhet të jap “x” për qind, jam “x” për qind plus më tepër”.

Ajo reflekton se mund të bëhet fjalë edhe për mentalitetin e imigrantit, edhe pse ka kujdes të nënvizojë që do të ishte e padrejtë ta krahasonte përvojën e saj me atë të refugjatëve apo atyre që kanë imigruar në moshë më të madhe.

“Por të qenurit imigrant gjithashtu të jep një … nuk ke atë rrjetin ku të mbështetesh. Nëqoftëse nuk shkon mirë në shkollë, nuk shkon dot tek mami dhe tek babi, nuk shkon dot të mbështetesh tek rrjeti i gjerë, çfarë rrjeti krijon e krijon vetë dhe ajo të jep edhe një sens për të pasur zero tolerancë për veten tënde për të bërë gabime”.

Pjesë e një “klubi” me pak anëtare

Mund të thuhet se zonja Seseri është pjesë e një klubi elitë. Vetëm 7 për qind e partnerëve në firmat që japin kapital për sipërmarrje janë gra dhe vetëm më pak se 1 për qind në krye të këtyre firmave. Ajo thotë se kur punon, nuk mendon për gjininë, por se ekipet e larmishme nga gjinia, prejardhja, raca, japin rezultate me të larta.

“Të menduarit homogjen, jep rezultate homogjene, kështuqë po deshe rezultat, përqafo diversivitetin, kështuqë në çdo bord ku unë jam kam të paktën një drejtor tjetër të pavarur bordi që sjell, që është ose minoritet, ose grua”.

Në kompanitë ku firma e saj investon, rreth 37 për qind e drejtuesve janë gra ose nga grupe të nënpërfaqësuara, sepse siç thotë ajo, gjysma e betejës është të pasurit e njerëzve të duhur në drejtim dhe në bord.

Po si është Rudina Seseri si drejtuese?

“Vë një standard të lartë për veten, për shkak të prejardhjes, për shkak të qenurit kaq e fokusuar në të pasurin rezultate dhe si rrjedhojë pres shumë nga të tjerët kështuqë mendoj që do të thonë që jam bose me pritshmëri të larta dhe kjo ka të mira, ka edhe të këqia. Në të njëjtën kohë shpresoj që balancohet me një sens të fortë besnikërie për ata që punojnë fort, për mundësi të krijuara që të gjithë të avancojnë”.

Ëndrra e një nëne në karrierë për vajzën e saj

Nga të gjitha parametrat e mundshme, zonja Seseri ka arritur majat e suksesit, duke dhënë më shumë se 100 për qind në çdo sipërmarrje. Por përkushtimi i saj është edhe më i madh, aty ku është zemra e saj: tek familja: bashkëshorti Adrian dhe vajza Livi.

“Është shumë interesante se jam në një pikë kur nëqoftëse kam mundësi të kem një darkë me dikë të famshëm, ose me shumë influencë, ose për të shkuar në shtëpi për një natë më shumë ku jam unë që e vë vajzën në krevat, pa sekondën e pikëpyetjes do zgjedh të dytën.”

Ajo nuk e mohon që si çdo nënë në karrierë, një ndjesi faji ka ekzistuar herë pas here, por shton se fëmijët sidomos vajzat e nënave që punojnë, sidomos kur kanë një rol me ndikim, rrisin vajza dhe fëmijë, që gjithashtu kanë ndikim.

“Sikur asgjë tjetër të mos t’i jap Livit, por ideja që qielli është limiti. Nëqoftëse unë do ta përkufizoja veten një ditë, do të shihja mbrapsht, nëse vajza ime do të ishte e suksesshme – e suksesshme si e përkufuzon ajo, jo unë, zgjedh artin, zgjedh muzikën, zgjedh matematikën, të zgjedhë çfarë të dojë por të japë maksimumin e saj, pavarësisht sesi përkthehet maksimumi në sukses real, nëqoftëse ime bijë është e plotësuar, unë jam e arrirë. Gjithë të tjerat nuk kanë rëndësi”, thotë Seseri. /VoA/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Gazprom ndalon furnizimin me gaz për Austrinë, kancelari austriak: Putini nuk mund të na shantazojë

Gazprom ndalon furnizimin me gaz për Austrinë, kancelari austriak: Putini nuk mund të na shantazojë

Botë
Harroni stresin – Ky vend do të bëhet arratisja juaj e preferuar!

Harroni stresin – Ky vend do të bëhet arratisja juaj e preferuar!

Ekonomi
Sa investojnë zviceranët në kriptovaluta?

Sa investojnë zviceranët në kriptovaluta?

Botë
Mega Zbritja po vjen në Aztech!

Mega Zbritja po vjen në Aztech!

Ekonomi
Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Qëllimi kryesor, ndërtimi i një sistemi e sektori financiar të shëndoshë dhe të qëndrueshëm

Kurti në 25-vjetorin e BQK-së: Qëllimi kryesor, ndërtimi i një sistemi e sektori financiar të shëndoshë dhe të qëndrueshëm

Ekonomi
Teknologjia inovative e dritareve të Deceuninck - Sistemi i profilit të dritareve plastike

Teknologjia inovative e dritareve të Deceuninck - Sistemi i profilit të dritareve plastike "Elegant": Platforma e zgjeruar plotësisht

Ekonomi
Kalo në kategori