Site icon Telegrafi

Shqiptarëve u duhet një fjalor i ri i gjuhës shqipe

intervistë me gjuhëtari dhe studiuesin Xhevat Lloshi
Intervistoi: Valeria Dedaj

Si u mbështet, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) nga të gjithë shqiptarët?

Pas vitit 1944 janë bërë disa variante, derisa erdhëm tek 1965-a, kur kjo trajtë e përgjithshme e drejtshkrimit për shqipen u mbështet gjerësisht në Kosovë. “Një komb, një gjuhë letrare”. U bë një konsultë në Kosovë dhe u bë e mundur që ky drejtshkrim të mbështetet nga të gjithë shqiptarët. Ishte punë e një rruge të gjatë, që pavarësisht kundërshtimeve, sot kemi një prodhim të shkruar të jashtëzakonshëm në gjuhën shqipe, që vërteton se zgjidhjet që janë gjet nga Kongresi i Manastirit deri në ditën e sotme, i shërbejnë kësaj gjuhë që pasuron edhe lëvrohet çdo ditë.

Nga delegatët e Kongresit të Manastirit, ju keni botuar një libër për Gjergj Qiriazin. Përse keni zgjedh këtë emër?

Në Kongresin e Manastirit shqiptarët shkuan me mendim të qartë, se duhet që të jepnin një alfabet të pranueshëm për të gjithë shqiptarët. Duke studiuar dokumentet, më del se jo vetëm Kongresin e organizoi klubi “Bashkimi”, por në këtë klub rolin kryesor e luante Gjergj Qiriazi. Programin, ftesën, të gjitha idetë e këtij Kongresi me shkrim i ka shkruar Gjergj Qiriazi që jo rastësisht ditën e parë të kongresit e hapi ai. Edhe aty u vendos që në krye të Kongresit të vihej kryetar Mit’hat Frashëri, se ai përfaqësonte alfabetin e Stambollit, që kishte përhapjen më të gjerë deri në atë kohë në shkrimet shqipe. Edhe pastaj, me një mendim të shkëlqyer, pavarësisht kontradiktave, por që rezultati ishte i përbashkët, ata ngritën një komision me 11 veta, që në krye ishte Gjergj Fishta. Kemi një kompleksitet. Nga ana tjetër, ideja e bashkimit kishte dy aspekte. Një anë aspekti i bashkimit të  forcave të dialekteve të ndryshme të shqipes dhe nga ana tjetër  bashkimi i shqiptarëve, që përkisnin besimeve të ndryshme fetare. Është simbolike, që kryetar ishte një mysliman, kryetar i komisionit një katolik nga Shkodra, edhe Gjergj Qiriazi ishte protestant. Nuk ka qenë asgjë e rastësishme. Ishte çdo gjë e përkryer. Kjo ide ka nis që me shoqërinë e Stambollit. Jo rastësisht abetaren e Stambollit e kishin hartuar Sami Frashëri, Pashko Vaso, dhe Jani Vreto. Pashko ishte katolik, Samiu mysliman edhe Vreto ortodoks. Ata kishin ndoshta edhe të tjerë që mund të shkruanin më mirë se Vreto. Por, donin që të arrinin simbolizonin edhe bashkimin e shqiptarëve.

Edhe nëse ndalim tek periudhat historike të gjuhës shqipe, cilat janë ato?

Periudhat historike të shqipes janë të njëjta me gjuhët e tjera të Evropës. Lartësimi më i mirë për shqipen është që gjuha shqipe është në nivelet e gjuhëve evropiane. Jo për mendimin tim, por shkenca shqiptare, duke përfshirë arkeologjinë, muzikën etj., kanë arrit në përfundimin se shqiptarët janë vazhdim i një grupi fisesh të Ilirisë jugperëndimore, të cilët nga shekulli i gjashtë deri në shekullin e nëntë, përjetuan një periudhë që e quajmë etnogjeneza. Nga ilir u shndërruan në arbëresh. Ky ishte një proces që ka ndodh me të gjithë popujt e tjerë të Evropës. Ky popull, arbëreshët, vazhdon me këtë emër deri në shekullin e XVII-të kur pastaj pas një identiteti të ri që e krijoi lufta e Skënderbeut, e ndërroi edhe emrin, sepse emri arbëresh në këtë shekull nuk arrinte t’i mbulonte të gjithë. Në shekullin XVIII dalim me emrin shqiptar. Për mendimin tim, kështu kemi një rrjedh nga Ilirët, tek arbëreshët, tek shqiptarët e sotëm. Nga një shqipe e vjetër, tek një shqipe e mesme e deri tek shqipja e re që është shqipja e sotme.

Diskutime të shumta edhe pak përpjekje kemi vënë re edhe në hartimin e një fjalori të ri të gjuhës shqipe. Çfarë do të propozonit?

Unë mendoj, se fjalori është nyja qendrore e punimeve për gjuhët në kohët e sotme. Popujt, kombet, kudo në botë kanë studime, gramatika etj. Por, vepra që bëhet e përditshme për të gjithë njerëzit është fjalori. Kemi një gjë se, fjalori pasurohet çdo ditë. Nëse ne botuam një fjalor në 1980, kjo s’do të gjithë se prej 40 vitesh s’kanë ndryshuar mjaft gjëra. Prandaj, është e nevojshme që të punohet më tej për në mënyrë shkencore fjalorin e gjuhës shqipe. Për fat të keq, nuk kemi asnjë institucion që të merret me këtë punë. Prandaj, shteti shqiptar, punonjësit e shtetit kanë nevojë që të merren me fjalorin e gjuhës. Nuk ka vend në Evropë, që të mos ketë një institucion që të mos merret me fjalorin. Ka edhe institucione private që bëjnë një punë shumë të mirë. Nëse shteti se bën këtë punë, u bëj thirrje njerëzve që kanë një ndjenjë të lartë kombëtare, të shpenzojnë shumë lekë, që t’i japin këtij vendi një produkt shumë të rëndësishëm.

Një propozim juaj, është edhe për një muze për albanologët…

Është menduar që të ndërtohet një Bibliotekë e re në qytet, ku unë mendoj të këtë një kopsht që t’u kushtohet albanologëve dhe të kemi emra të shquar që t’i shikojë çdo vizitorë, që do të shkojë në bibliotekë.

Edhe së fundmi, çfarë keni në duar?

Së fundmi, kam përfunduar një libër që i  kushtohet “Vështrimit stilistik të veprave kryesore të letërsisë shqipe”. Por, po punoj edhe për ribotimin e veprave të Sami Frashërit në gjashtë vëllime, duke sjell gjëra të reja. Nga ana tjetër kam botuar pesë vëllime me botimet e Kristoforidhit, tani botoj edhe të gjashtin. /Report TV/

 

 

 

 

Exit mobile version