Viktor Malaj
“Sytë nuk i shohin ato gjëra që s’i pëlqejnë mendjes” (proverb indian)
Para pak ditësh, ministrja e Brendshme e Anglisë, zonja Suela Bravermën (Suella Braverman), bijë emigrantësh nga India, e konsideroi imigrimin e huaj nëpërmjet La Manshit si “pushtim” të Britanisë dhe, ndër të tjera, u shpreh se asnjë emigrant nga Shqipëria nuk do të lejohej në atë vend. Zëra qeveritarë si dhe mediatikë të Anglisë ka ca kohë që fajësojnë, kryesisht, shqiptarët për kriminalitetin, trafiqet e paligjshme dhe imigracionin në atë vend.
Megjithëse numri i shqiptarëve të përfshirë në veprimtari kriminale brenda territorit të Anglisë nuk përbën më shumë se një për qind të numrit të shqiptarëve që jetojnë atje dhe, gjithashtu, një përqindje fare të vogël të banorëve të atij vendi që merren me këto veprimtari, vlerësimi i tyre si “delja e zezë” dhe “pushtues” të vendit që dikur ishte perandori, të trishton thellë.
Si të gjithë popujt e tjerë të botës, duke përfshirë edhe anglezët, shqiptarët kanë elitat e tyre morale, por edhe fundërrinat morale. Si të gjithë popujt e tjerë, as shqiptarët nuk ndjehen krenarë për këtë kategorinë e dytë, por ndihen të fyer kur dikush përpiqet t’i identifikojë, si komb apo si vend, me pakicën e tyre më të keqe. Krimin dhe kriminalitetin nuk ia kanë sjellë Anglisë shqiptarët. Nuk mund të besohet se një grusht njerëzish të padenjë nga Shqipëria kanë ngritur në Angli një industri prodhimi, trafikimi dhe shpërndarje të drogës që kap shifrat e frikshme të rreth 200 miliardë paundë në vit. Është e pamundur që disa individë të ardhur nga njëri prej vendeve më të vegjël të Evropës, nga Shqipëria, ta kenë katandisur “perandorinë” angleze në vendin e dytë në botë për përmasat e pastrimit të parave që rrjedhin nga veprimtaritë kriminale. Gazetari investigativ antimafia nga Italia, z. Roberto Saviano, i ftuar në Parlamentin anglez para pak vitesh, u tha përfaqësuesve dhe qeveritarëve të atij vendi se Londra ishte qendra më e madhe e pastrimit të parave në botë, dhe askush prej tyre nuk e kundërshtoi.
Nuk ka dyshim se veprimtaritë kriminale që lidhen me trafikimin e drogës, të fëmijëve apo “skllevërve të punës” janë të rrezikshme dhe të papranueshme, por nëse në Britani, ashtu si në shumë vende të tjera të botës, nuk do të ekzistonte tregu i drogës atëherë do të shuhej dalëngadalë edhe procesi antiligjor i prodhimit, trafikimit dhe shpërndarjes së saj.
Lidhur me mospranimin e emigrantëve nga Shqipëria, pasi konsiderohet “vend i sigurt”, duhet thënë se Anglia, si njëri nga vendet më aktive në propagandimin e lirisë së lëvizjes, duhej ta kishte ditur me kohë se liri e lëvizjes do të thotë edhe liri për ta “pushtuar” atë vetë. Liri e lëvizjes nuk do të thotë vetëm mospengim i qytetarëve nga autoritetet e vendeve të tyre për ta lënë atë vend, por edhe mospengim prej teje i këtyre njerëzve për të hyrë në vendin tënd, me përjashtim të personave të skeduar si autorë krimesh.
Për gati një gjysmë shekulli qeveritë angleze kontribuuan në krijimin e organizatave të ndryshme të shqiptarëve antiregjim në Perëndim, siç ishin “Komiteti Shqipëria e Lirë” apo “Blloku Indipendent” etj., propaganduan nëpërmjet radios BBC “çlirimin” e Shqipërisë dhe, madje, përgatitën dhe dërguan në Shqipëri grupe terroriste për të përmbysur regjimin dhe krijuar Shqipërinë e Lirë, pa përmendur këtu “marshimin” me anije luftarake në ujërat territoriale të Shqipërisë në vitin 1946. Më në fund, në vitet ’90 Shqipëria “u çlirua” dhe shqiptarët fituan “lëvizjen e lirë”. Tani, përdorimin e kësaj lirie për “të vizituar” Anglinë, autoritetet politike dhe mediatike të atij vendi po na e shpallin si “pushtim”.
Ai, vërtetë mund të jetë një “pushtim”, por, gjithsesi, një pushtim shumë më i butë, më human dhe më pak i dëmshëm se pushtimet e panumërta që ka bërë Perandoria për katër shekuj anekënd botës, të shoqëruara me vrasje masive, kampe përqendrimi, shfarosje të popullsive vendase, qendra torturuese, uri masive vdekjeprurëse, masakra brutale mbi popullsinë civile, tregti skllevërish, grabitje të pasurive mbi- e nëntokësore. Nuk ka të ngjarë që “pushtimi” që po i bëjnë sot shqiptarët Perandorisë të sjellë vendosje dhe ndërrime të padrejtë kufijsh, as konflikte civile apo luftëra midis kombeve.
Ky “pushtim” nuk po bëhet me pretekstin e “terra nullis” dhe as ka të ngjarë të sjellë politikën e “tokës së djegur” si ajo kundër Boerëve dikur. Ata thjesht po largohen nga një vend i varfër për të bërë realitet ëndrrat që iu premtonte dikur Perandoria dhe për të shijuar avantazhet e “lëvizjes së lirë”. Dhe, ku më mirë se në territorin e Perandorisë mund të realizohen këto?
Vërtetë ky është “një pushtim”, por, gjene mirë se është pushtim pa armë, pa ushtri dhe pa propagandë. Ky është pushtimi që sjell fitimi i të drejtës së lëvizjes së lirë, anipse “të pushtuarit” nuk ndihen mirë, sepse nuk e kishin parashikuar efektin e realizimit të disa të drejtave.
Megjithëse bijë emigrantësh të ardhur nga një vend dikur i pushtuar dhe masakruar nga Perandoria, zonja Bravermën duket se nuk e ka fort të qartë konceptin e pushtimit dhe, aq më pak, burimin e disa të këqijave që ndodhin në shoqërinë që asaj i është besuar ta mbrojë.
Prandaj shqiptarët nuk duhet ta “pushtojnë” Perandorinë. Thjesht duhet ta vizitojnë atë, të jetojnë, punojnë e sillen aty si qytetarë të denjë të kësaj bote. Por, edhe Perandoria duhet të identifikojë, ndëshkojë dhe kthejë mbrapsht vetëm atë pakicë të papërfillshme shqiptarësh që kërkojnë të sillen si “pushtues” në atë vend, dhe jo të ndëshkojë të gjithë endacakët që thjesht janë në kërkim të një jete më të mirë, që synojnë ta arrijnë nëpërmjet punës dhe jo “shpatës”.
Britanikë, mos kini frikë, se shqiptarët e lirë nuk e pushtojnë Perandorinë tuaj! Shqiptarë, që dëshironi të punoni dhe jetoni në ish-Perandorinë, tregohuni dhe bëhuni qytetarë të denjë të saj!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëXhamia e shqiptarëve në Damask, Fevziu takon 77-vjeçarin që flet shqip
Gerta - Gjestit: Kë do të shpëtoje po të mos ishte Egli?, banori befason me përgjigjen
Arabia Saudite po përgatit ‘bombën’ - një transferim nga Real Madridi, një nga Barcelona
Klubi i njohur anglez bëhet favorit kryesor për transferimin e Rashfordit
DeepSeek, startupi kinez që mund ta ndryshojë 'lojën' në fushën e Inteligjencës Artificiale
Babai i Loredanës takon Jozin: Kisha dëshirë që ti të shikoje punën tënde, s’më vjen mirë fare të shikoj gjëra të kësaj natyre
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
“Jo, vendi im është atje” – Lionel Messi ka konfirmuar se ku do të shkojë pas largimit nga Inter Miami
Trump nuk u bë brenda natës kripto miliarder
Xheneta Fetahu ngjall dyshime me vizitën në Shqipëri, a po bëhet pjesë e BBVA?
Rashford te Barcelona: Man United me transferim aspak të pritur nga katalunasit
Masivisht po shpërndahet një foto e televizionit kroat - duhet ta shihni se si e quajnë Erdoganin
Barcelona humbet një talent të madh të akademisë – pritet transferimi i tij në Arabinë Saudite