Punimet e tyre përfshijnë tematika të ndryshme nga realiteti, por dominojnë ato nga Kosova, e kryesisht ngjarja e madhe e shpalljes së pavarësisë. Për këtë arsye, binin në sy disa punime të veçanta si për shembull një portet i ish-presidentit Rugova apo një hartë rajoni, ku territori i Kosovës ishte mbushur me lulëkuqe.

Kjo të kujton një krijim të shkurtër poetik të mesit të viteve ‘80, me autorësi të shkrimtarit, libretistit dhe skenaristit të njohur Vangjel Kozma: Natën flemë me një krah zbuluar/çatia e shpirtit diku nga pikon/shkëmbinj të spërkatur me lulëkuqe gjaku/Kosovë, hej dhimbja jonë.

Gjithsesi kjo ishte një qasje poetike e atij punimi të rrallë, ku mesazhi për atë se ç‘përfaqëson Kosova, jepet me anë të një harte dhe një simbolike të tillë, ku në qendër është lulëkuqja.

Përgjithësisht, në punimet e të vegjëlve, dominonin temat nacionale, me elementë si flamuri, kështjellat, veshja kombëtare, Skënderbeu dhe heroizmat e tij, apo dhe luftëtarët e UÇK-së.

Ndërsa punimet e tjera bartin temat e zakonshme të jetës, ku binin në sy ato që më tepër i shkojnë psikologjisë fëmijërore, si argëtimet, lulet, livadhet, përrenjtë, ku të gjitha këto, kishin dhe pjesën njerëzore; silueta të punuara shkujdesshëm brenda një sfondi të përndezur nga ngjyrat e forta.

Sipas drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Ardita Repishti, "kjo ekspozitë synon realizimin e gjithëpërfshirës së talenteve në një përmasë, atë të së bukurës, drejt së cilës synojnë të drejtohen artistët e vegjël të inkuadruar në QKKF. Nëpërmjet kontakteve me qendrat në rrethe e jashtë kufijve, QKKF ka arritur të mundësojë hapjen e një ekspozite paralele të njëkohshme edhe në Prishtinë, nëpërmjet Qendrës Rinore atje", tha Repishti. /Shqip/