LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria dhe Kosova bashkohen në ‘Rotary International’: Një ditë e rëndësishme për shqiptarët

Shqipëria dhe Kosova bashkohen në ‘Rotary International’: Një ditë e rëndësishme për shqiptarët

Shqipëria dhe Kosova janë tashmë një trup i vetëm në Rotary International, duke realizuar një qëllim të hershëm që bashkon Rotarianët shqiptarë për të zbatuar projekte madhore në shërbim të komuniteteve të të dy vendeve.

Fushat e këtyre projekteve përfshijnë arsim, shëndetësi, mjedis, zhvillim ekonomik dhe lokal, dhe shumë të tjera.


Ky bashkim nënvizon fuqinë dhe vlerat e përbashkëta të të dy vendeve, duke u ofruar qytetarëve të tyre një të ardhme më të ndritur dhe më të qëndrueshme nën familjen e madhe Rotariane.

Nga data 14-16 qershor 2024, në Tiranë u mbajt me sukses Konferenca dhe Ceremonia e zyrtarizimit të Distriktit 2485, Shqipëri-Kosovë, distrikt i Rotary International.

Kjo ngjarje e paharrueshme shënoi realizimin e një ëndrre të disa dekadave për shqiptarët, duke i bashkuar nën ombrellën e një organizate globale që daton nga viti 1905 dhe i ka rrënjët në shërbim, integritet dhe paqe.

Shqipëria dhe Kosova tani janë pjesë e 530 distrikteve të Rotary në 200 shtete të botës, duke forcuar pozitën e tyre në një platformë globale të shërbimit dhe bashkëpunimit.

Ngjarja mblodhi mbi 310 Rotarianë nga të gjitha viset e botës, duke përfshirë pjesëmarrës nga Evropa, Amerika, Afrika dhe Azia. Kjo përfshirje ndërkombëtare i shtoi peshën dhe rëndësinë kësaj ceremonie, duke treguar solidaritetin global dhe frymën e unitetit që përfaqëson Rotary.

Guvernatori i parë i distriktit shqipfolës, i zgjedhur me votë unanime, është Butrint Batalli nga Gjakova, një lider i përkushtuar që do të drejtojë këtë distrikt të ri me energji dhe vizion.

Gjatë ngjarjes, dëgjuam mesazhet dhe urimet e Kryetarit të RI, Gordon R. McInally, dhe fjalimet frymëzuese të përfaqësuesve të Rotary International, përfshirë RI Sekretarin e Përgjithshëm dhe CEO John Hewko, drejtorin e RI Patrick Chisanga, PRID Katerina Kotsali, drejtorin e zgjedhur për Zonën 21, 22 (Europë dhe Afrikë) RIDE Daniel Tanase, dhe shumë përfaqësues të tjerë të lartë nga zona, regjionet dhe distriktet ane e mbanë botës.

Kjo ngjarje historike ishte një moment i rëndësishëm për Rotarin në vendet tona, në Europën Juglindore dhe në nivel ndërkombëtar, duke zyrtarizuar krijimin e një distrikti të ri që përfaqëson një hap të madh përpara për komunitetet tona.

I deleguari i Presidentit të Rotary International, Radu Popescu, në përmbyllje të punës së tij të shkëlqyeshme, falënderoi të gjithë për besimin dhe punën e bërë për themelimin e Distriktit Rotarian Shqipfolës. Ai ftoi në podium Guvernatorin e Parë dhe historik të Distriktit Shqipëri-Kosovë, Butrint Batalli, që të marrë fjalën dhe së bashku me CEO-n e RI John Hewko dhe RI Drejtorin Patrick Chisanga, i dorëzuan këmbanën e distriktit, qaforen dhe aktin e themelimit.

Guvernatori Batalli tha se ky ka qenë një udhëtim i unitetit dhe shërbimit.

“Udhëtimi ynë deri në këtë pikë ka qenë një udhëtim i unitetit dhe përpjekjes kolektive. Ne jemi bashkuar, duke kapërcyer kufijtë dhe duke ndërtuar ura bashkëpunimi midis nesh dhe me botën, gjë që dëshmohet nga prezenca juaj sot këtu nga gjitha anët e botës. Sot, ndërsa festojmë lindjen e Distriktit Shqipfolës 2485, ne nderojmë trashëgiminë e atyre që kanë hapur rrugën dhe kanë punuar që në orët e para të aktivitetit Rotarian në Shqipëri dhe Kosovë e deri më sot.”

Tema “Magjia e Rotarit,” përmbledh fuqinë transformuese të përpjekjeve tona kolektive.

Rotary është me të vërtetë magjike; është një forcë që shndërron ëndrrat në realitet, sfidat në mundësi dhe të panjohurit në miq për jetë. Kjo magji manifestohet në çdo projekt që ndërmarrim, çdo jetë që prekim dhe çdo komunitet që ngrisim.”

Batalli tutje bëri një thirrje për veprim.

“Angazhimi ynë nuk është vetëm për projektet që zbatojmë apo numrat që arrijmë; është për jetët që prekim dhe shpresën që sjellim tek njerëzit në nevojë. Andaj, ju bëj thirrje secilit prej jush të përqafojë sfidat dhe mundësitë që na presin me entuziazëm dhe vendosmëri. Le të jemi krijuesit e ndryshimeve, vizionarët dhe liderët me dhembshuri që bota jonë ka nevojë. Së bashku, mund të arrijmë qëllimet tona ambicioze: të rrisim anëtarësinë tonë, të jemi pjesëtar aktiv të shoqërisë civile dhe të zgjerojmë ndikimin tonë në të gjithë Shqipërinë dhe Kosovën përmes projekteve komunitare që adresojnë nevojat e komuniteteve në nevojë,” tha ndër të tjera Guvernatori Butrint Batalli.

Ngjarja tre-ditore u organizua shkëlqyeshëm nga Rotariani Alfons Hani, kryetar i këshillit organizativ, dhe ekipi i tij, me një pritje tradicionale shqiptare, panele diskutimi nga liderë të shquar, program të pasur pune, argëtimi dhe një platformë për krijimin e miqësive të reja me Rotarianë nga e gjithë bota.

Në prag të punës si distrikt i ri, janë mbështetur tre projekte madhore me grante globale (dy në Shqipëri dhe një në Kosovë) me një vlerë të miratuar prej 210,000 EUR, një ogur i mirë për një fillim të mbarë.

Çfarë është Rotary International?

Rotary është organizata shërbyese më e madhe në botë e profesionistëve elitarë.

Mbi 1.4 milionë anëtarë nga mbi 46,000 klube në mbarë botën.

Ndihmuese në themelimin e Kombeve të Bashkuara.

Zhdukja e Poliomielitit në mbarë botën është bërë nga Rotary. Përmes programit “End Polio Now”, Rotary ka kontribuar miliarda dollarë dhe ka mobilizuar miliona vullnetarë për të vaksinuar fëmijët në të gjithë botën.

Fondacioni Rotary financon projekte të ndryshme që adresojnë nevojat e komuniteteve në fusha si uji i pastër, sanitacioni, edukimi, zhvillimi ekonomik, dhe parandalimi i sëmundjeve.

Mbi 95% e fondeve shkojnë tek të interesuarit fundorë, pasi është organizatë vullnetare dhe ka një administratë shumë të vogël. Kjo bën që projektet të jenë jashtëzakonisht efektive.
Drejtuesit ndryshohen çdo vit me zgjedhje nga anëtarët.

Në Kosovë dhe Shqipëri janë gjithsej 1200 Rotarianë dhe Rotaraktorë (të rinjtë Rotarianë).

Ky moment historik shënon fillimin e një kapitulli të ri të shërbimit dhe bashkëpunimit për shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë duke u bërë pjesë e barabartë e vendimmarrjes në Rotary International./Telegrafi/