Shpërndau Kuvendin, kërkohet shkarkimi i Vjosa Osmanit

Politologu Melazim Koci, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani duhet të përballet me procedurë shkarkimi për vendimin e saj për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
Sipas Kocit, ky veprim përbën një shkelje të rëndë kushtetuese.
“Presidentja Osmani duhet të shkarkohet! Në shumë shtete me demokraci parlamentare, për shkelje të rëndë kushtetuese si kjo, niset procedura e shkarkimit (impeachment),” ka thënë Koci në një prononcim për Telegrafin.
Komentet e tij vijnë në një kohë të tensionuar politike në vend, ku vendimi i presidentes për shpërndarjen e Kuvendit ka nxitur debate të ashpra mes partive politike dhe ekspertëve kushtetues.
Edhe disa njohës të çështjeve juridike kanë shprehur qëndrimin se presidentja ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke argumentuar se Kuvendi ende kishte kohë për ta zgjedhur presidentin para se të merrej vendimi për shpërndarjen e tij.
Seanca e fundit për zgjedhjen e presidentit u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare.
Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.
Presidentja e shpërndau Kuvendin pas moszgjedhjes së presidentit ku afati i fundit llogaritjes 5 marsi, dhe më pas ka konsultuar partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Në takimin që pati me partitë, prezent nuk ishte kryeministri Albin Kurti, i cili e ka cilësuar antikushtetues dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit. /Telegrafi/






















































