Shpendi beson në fitore

Ahmeti ka thënë se oferta e tij për kryeqytetin ka tërhequr edhe njerëz që nuk i takojnë asnjë subjekti politik. “Në Prishtinë po ndodh diçka që është e rrallë në Kosovë. Njerëzit janë bashkuar edhe përtej subjekteve politike për ta bërë ndryshimin. Pra, përveç votës që ka qenë për subjektin, programi dhe alternativa jonë kanë tërhequr edhe qytetarë votues të subjekteve të tjera, apo që nuk i takojnë fare asnjë subjekti për ta bërë ndryshimin. Unë jam shumë i lumtur që kjo po ndodh në Prishtinë e, shpresoj, së shpejti ndryshime të tilla të shohim në krejt Kosovën”, ka thënë Ahmeti në një intervistë për “Epokën e re”.
Ai ka treguar se në balotazh situata është më e thjeshtë, duke thënë se qytetarët më 1 dhjetor do ta kenë përpara opsionin e tij dhe atë të politikës që e ka sjellë Prishtinën në gjendjen ekzistuese. Në këtë kontekst, ai ka bërë me dije se vota për ndryshim në Prishtinë është më e madhe sesa vota që ka marrë pushteti aktual.
“Shumica e kandidatëve të tjerë kanë marrë vota nën siglën e ndryshimit në komunë. Pra, pushteti aktual ka marrë më pak vota se vota e ndryshimit. E ne i synojmë ata votues të ndryshimit nëpërmjet programit të cilin të gjithë e dinë dhe ky program është programi ynë. Në qoftë se ata mendojnë se programi është i mirë, atëherë mendoj se kemi më shumë gjasa të kemi përkrahje sesa pushteti aktual”, është shprehur Ahmeti.
Ai i është kundërpërgjigjur edhe Isa Mustafës, i cili e ka akuzuar se po e ndan votën e prishtinasve në urbane dhe rurale.
Ahmeti e ka ftuar Mustafën të merret me program e jo me sulme të ulëta. Ahmeti, i cili është edhe nënkryetar i VV-së, ka deklaruar se pas 1 dhjetorit kjo lëvizje do ta bëjë analizën e saj për zgjedhjet dhe do të tregojë se për çfarë arsye i është zvogëluar vota e përgjithshme në nivel vendi në zgjedhjet e 3 nëntorit. /Telegrafi/





















































