Rritja e pensioneve me 20 për qind nga Qeveria e Kosovës ka ngjallur reagime të ndryshme në mesin e pensionistëve, të cilët e konsiderojnë këtë masë si një përpjekje të pamjaftueshme për të përmirësuar mirëqenien e tyre financiare.
Kjo rritje vjen si pjesë e një pakete përkrahëse për pensionistët, por shumica prej tyre ndihen të zhgënjyer, duke theksuar se ky përmirësim është minimal për të përballuar koston e jetesës në rritje.
Për Telegrafin, sekretari i shoqatës së pensionistëve në Pejë, Shaqë Gashi, ka thënë se këto të ardhura janë të pamjaftueshme për pensionistët sepse sipas tij kjo vlerë prej 20 për qind nuk mjafton për përmbushjen e kërkesave për këtë kategori.
“Kjo shumë është shumë e vogël, vetëm 20 për qind, kur është baza e ulët as 20 për qind apo 50 për qind, janë pak e kur është baza e mirë atëherë bën, këto mjete janë të pamjaftueshme për nevojat e pensionistëve, janë shumë të vogla”, ka thënë Gashi për Telegrafin.
Ndërsa, sipas kryetarit të shoqatës së invalidëve të punës të këtij qyteti, Vehbi Shala, e ka konsideruar këtë shumë të mirëseardhur por që sipas tij është si një formë lëmoshe pasi kontributin e tyre e vlerësojnë si më të lartë.
“Në gjendjen në të cilën jemi kemi nevojë për çdo rritje të pensionit dhe kjo rritje e vonë që është bërë prej 20 për qind praktikisht ne na duhet çdo cent, na nevojitet, mirëpo ne nuk kemi nevojë për lëmoshë. Ne duhet të ruajmë dinjitetin tonë se kemi punuar në rini aq sa kemi qenë aktiv dhe kemi bërë çmos që të japim kontributin si çdo qytetar tjetër që e ka për obligim ta japë”, është shprehur Shala.
Përfundimisht, rritja prej 20 për qind e pensioneve nga Qeveria e Kosovës shihet si një masë e pamjaftueshme nga përfaqësuesit e pensionistëve dhe invalidëve të punës.
Përkundër vlerësimit pozitiv si një ndihmë e vogël, ata theksojnë se kjo rritje nuk përmbush nevojat bazë të tyre dhe nuk mjafton për një jetesë të denjë. /Telegrafi/