Shkup: Prokuroria propozon dënime për 15 persona të cilët kanë shkelur orën policore

Prokuroria Themelore Publike Shkup sot shtroi propozime për lëshim të urdhrave për ndëshkim kundër 15 personave të cilët ndiqen për vepër penale – Mosveprim sipas rregullave shëndetësore gjatë epidemisë të nenit 206 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Siç njoftojnë nga Prokuroria, në raste të veçanta penale-ligjore, në periudhën nga 10 deri më 29 mars, të akuzuarit janë hasur gjatë mosrespektimit të orës policore. Njëherësh, në kundërshtim me ndalesën e përcaktuar për lëvizje në periudhën prej 22 deri në 5, ata pa leje kanë lëvizur në lokacione të ndryshme në qytet.
"Prokurori publik kompetent, i ka propozuar Gjykatës Themelore Penale për të akuzuarit të shqiptojë gjoba me nga 100 gjoba ditore, me ç’rast lartësia individuale e gjobës ditore të përcaktohet në 20 euro në kundërvlerë të denarit", thonë nga Prokuroria Themelore Publike./Telegrafi/





















































