Shkup, 21 të lënduar në 21 aksidente gjatë fundjavës

Një udhëtar në autobus ka marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa 20 persona janë më lehtë të lënduar në 21 aksidentet që kanë ndodhur gjatë fundjavës në Shkup. Në tetë aksidente është shkaktuar dëm material.
SPB Shkup njoftoi se fundjavën e kaluar ka dënuar 63 vozitës që kanë kaluar me shpejtësi mbi të lejuarën, ndërsa nga komunikacioni janë përjashtuar 72 vozitës që kanë vozitur automjetin para se ta marrin të drejtën për vozitje, 15 vozitës fillimtar dhe tre vozitës nën ndikimin e alkoolit, njofton Telegrafi Maqedoni.
Policia e komunikacionit ka përjashtuar nga komunikacioni edhe 60 automjete të paregjistruara dhe dy automjete që kanë qenë të mbingarkuara.
Për parkim jo të rregullt janë shqiptuar 274 dënime, ndërsa me automjetin special "merimanga" janë ngritur 151 automjete.
Sipas të dhënave të policisë, në të kuqe kanë kaluar 21 vozitës, ndërsa 17 vozitës nuk kanë dhënë përparësi kalimi në vija të bardha. Janë evidentuar edhe 28 vozitës në motoçikletë që nuk kanë mbajtur helmetën mbrojtës.
Për përdorimin e telefonit në automjet janë dënuar 42 vozitës, ndërsa për mos përdorimin e rripit të sigurisë janë dënuar 14 vozitës. Janë dënuar edhe 7 këmbësorë që kanë kaluar rrugën jashtë vijave të bardha./Telegrafi/



















































