Shkon në vazhdime dueli Atletico-Real Madrid: Vinicius mund të jetë fytyra tragjike e Los Blancos
Ka shkuar në vazhdime dueli i dytë mes Atletico Madridit dhe Real Madridit që po luhet në 1/8 finales në Ligën e Kampionëve.
Fillimisht, Los Cholchoneros e nisën shumë mirë ndeshje, duke shënuar pas vetëm 27 sekondash.
Ishte Rodrigo de Paul, ai që e gjeti Conor Gallagherin brenda zonës së Los Blancos, me anglezin që realizoi për 1-0.
Ndeshja shkoi në një ritëm më të lartë, me dy skuadrat që po luajnë për çdo top.
Por, në minutën e 20-të, djali i trajnerit Diego Simeone mund të ishte shkaktari për barazimin e shifrave.
Nga një harkim prej Vinicius Junior, topi u ndal nga dora e Giulianos, mirëpo gjyqtari Szymon Marciniak në bashkëpunim me VAR-in sinjalizoi se nuk kishte të bënte me penallti.
Pesë minuta më vonë, Julian Alvarez testoi Thibaut Courtoisin, por belgu ishte shumë i vëmendshëm.
Loja vazhdoi me ritëm të lartë, por që faza defanzive e të dyja ekipeve nuk lejonin shumë hapësira.
Në 45 minutat e dytë nuk kishte gola, por që kishte një penallti dhe shumë raste të humbura.
Vendasit sërish e nisën më me vrull, duke synuar të shënonin golin që ua siguronte kalimin në çerekfinale.
Julian Alavrez dhe Clement Lenglet dështuan të shënonin nga afërsia në minutat e parë të pjesës së dytë.
Ishte pikërisht Lenglet që më pas shkaktoi penallti, duke e rrëzuar Kylian Mbappe në minutën e 68-të në zonën e rreptësisë.
Por, nga pika e bardhë, Vinicius (70’) Junior dështoi ta mposhte Jan Oblakun, duke e goditur topin mbi portë.
Kështu, dy skuadrat nuk ia dolën të bënin më shumë, duke bërë që ndeshja të shkojë dy herë nga 15 minuta. /Telegrafi/






























