Shkëndija fiton “ruletën” e penalltive dhe vazhdon ëndrrën për Kupë

Struga Trim Lum dhe Shkëndija barazuan 2:2 në kohën e rregullt, ndërsa skuadra nga Tetova siguroi kualifikimin në gjysmëfinale pas fitores 6:7 në serinë e penalltive, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Strugë, njofton Telegrafi.
Ky ishte derbi i dy ekipeve shqiptare, ndërsa një tjetër përballje mes skuadrave shqiptare me të njëjtin emër, Shkëndija Tetovë dhe Shkëndija e Haraçinës, do të zhvillohet në gjysmëfinale.
Struga ka shumë arsye për të mbetur e zhgënjyer, pasi dy herë ishte në epërsi dhe e mbajti atë 2:1 deri në minutat shtesë, por në fund lëshoi gjithçka nga duart. Tetovarët, me kombinim të fatit dhe përvojës, arritën ta çojnë ndeshjen në penallti, ku vendimtare ishte humbja e një goditjeje nga Jevtoski.
Struga kaloi në epërsi me anë të Radeskit, i cili realizoi nga afërsia. Deri në mesin e pjesës së parë, vendasit dominuan plotësisht, ndërsa Shkëndija arriti të stabilizohej vetëm pas minutës së 30-të. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të Strugës.
Në pjesën e dytë, Shkëndija u tregua më kërkuese dhe rrezikoi përmes Latifit, por Struga kishte disa mundësi të arta për ta mbyllur ndeshjen, të cilat nuk i shfrytëzoi. Këto gabime u ndëshkuan nga Besart Ibraimi, i cili barazoi shifrat në minutën e 74-të, gol që u konfirmua pas ndërhyrjes së VAR-it.
Struga reagoi shpejt dhe riktheu epërsinë falë një supergoli nga goditja e lirë e Hamzës në minutën e 82-të, duke ndezur festën në tribuna. Megjithatë, kur gjithçka dukej e përfunduar, në minutën e 95-të Fetai përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe barazoi rezultatin në 2:2, duke e dërguar ndeshjen në penallti.
Nga pika e bardhë, Shkëndija u tregua më e saktë dhe siguroi kualifikimin në gjysmëfinale.
Tashmë janë përcaktuar edhe çiftet gjysmëfinaliste: Sileksi do të përballet me Ohrin, ndërsa do të kemi edhe një derbi tjetër shqiptar, Shkëndija Tetovë kundër Shkëndijës së Haraçinës. /Telegrafi/





















































