Sefer Pasha
Në Bibliotekën Kombëtare tek po kërkoja nëpër skedar më ra në dorë libri i Rexhep Qoses: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” e botuar në Prishtinë gati 50 vjet më parë. Kur e hapa kapakun e librit, e që u bë shkas për këtë ese, ishte një autograf i Rexhep Qoses, ku ai i shkruante lirshëm Androkli Kostallarit: “Profesor Androkli Kostallarit, me dashuri dhe mirënjohje për miqtë e autorit”. Prishtinë: 22.5 .1974. Qosja”.
E them sinqerisht që u çudita, por aty për aty e mblodha veten. Libri “Vdekja më vjen prej syve të tillë” me dedikimin përkatës do ta kishte një arsye që kishte përfunduar në arkivin e Bibliotekës Kombëtare. Unë në një farë mënyre kisha mote që hulumtoja për visaret që la pas gjuhëtari me emër. Ndryshe nga jeta e profesorit biblioteka e tij kishte patur shumë peripeci e një fund të humnershëm.
Gjatë gjithë jetës shkencëtari i apasionuar pas gjuhës shqipe kishte adhurim sistemimin dhe pasurimin e bibliotekës personale. E gjithë shtëpia ku banonte Kostallari me të shoqen dhe dy fëmijët ishte kthyer në një pyll me libra. Ato fillonin qysh në hyrje të banesës, në dhomat e përshtatura për bibliotekë nga mjeshtërit e drurit sipas gustos së shkencëtarit, që vet e kishte projektuar bibliotekën.
E bija, Irini Kostallari, thotë se ka qenë puna më e mundimshme e atit të saj. Biblioteka i ngjante një “rrapi” e vazhdon rrëfimin Irini. Libra në “zgavër”, nëpër degët e “rrapit” e gjer në majë, në “tavan”. Një “gjethe” e librave të bibliotekës po të kishte lëvizur Kostallari e dallonte që pa hequr këpucët. Ishte i mahnitshëm. Unë jam ashtu si një bari në fshatin e lindjes në Leusë të Përmetit, që në një tufë me 500 krerë delesh bariu e dallon delen e humbur dhe pa i numëruar vetëm me një të parë syri u thoshte ai familjarëve të tij.
Njërin kënd të bibliotekës profesor Kostallari e kishte arkitekturuar sipas pamjes së fshatit Leusë mbi qytetin e Përmetit. Në qoshe të këndit kishte përshtatur odën, ku kishte lindur, pastaj libër pas libri, rrugicat me lisa, yrtet, vreshtat, koriet e më lart shpatin e malit të Nemërçkës. Biblioteka e shtëpisë ishte strehëza ku ai gjente qetësi e harronte “dramat” e punës, të cilat nuk ju ndan gjithë jetën. Aty ku mbaronte shpati i “Nemërçkës” dhe ishin vendosur si piktura shtëpitë e Leusës, Androkli Kostallari kishte vendosur në një kornizë të gdhendur me dru arre thënien e Borgesit: “Fakti që të kem në dispozicionin tim 800,000 libra dhe errësirën, është një shenjë e një ironie të shkëlqyer të zotit”. Dhe në krah të kësaj thënieje Kostallari kishte qëndisur dhe këto vargje gjithashtu po nga Borgesi: “Një legjendë greke flet për një mbret të përvuajtur/ Që vdiq nga uria, e nga etja mes kopshteve plot burime”.
Kushdo që futej në bibliotekë mahnitej. Aty gjeje dhe “laboratorin” krijues të profesorit i perceptueshëm vetëm për të e miqtë me të ngushtë. Pareshtshmërisht për epërinë e mendjes së tij ai me vitalitet kishte krijuar “galaksinë”, ku parrëfyeshmërisht e përsosmërisht përputheshin shijet e gjuhëtarit.
E gjithë biblioteka qe veshur si të thuash me një kostum klasik me ngjyrat e malit të Nemërçkës e kjo të binte në sy që në shikim të parë. Kur futeshe brenda në bibliotekë ndjeje një lloj pakuptueshmërie, e cila e shndërronte atë në një objekt misterioz. Shkencëtari si të qe misionar e konceptonte bibliotekën si simbol të fitores mbi zhgënjimin. Në mes të librave nuk mungonte as Bibla e Kurani, por aty ngjizej identiteti kombëtar. Kryepari Kostallari jo se e shenjtëronte bibliotekën, por sepse aty zhbironte brumin e kahershëm të 41,000 fjalëve që u botuan në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” qysh në vitin 1980. Në mes të librave diellzonin prurjet gjuhësore, të cilat i preku një për një me shqisat së bashku me redaktorët e Fjalorit si Xhevat Lloshi, Jani Thomai e Miço Samara. Jo vetëm në artin e përdorimit të alkimisë së fjalëve, por dhe si kryetar i komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, profesor Kostallari zbatoi një shumësi detyrash duke u ndeshur dhe me logjikën tribale të gjuhëtarëve mediokër, të cilët nuk ishin dakord me procesin e njehësimit përfundimtar të normës letrare në të gjitha rrafshet. Në Kongres supermjeshtri Kostallari shpalosi detajet me hapërim e qashtërsi thellësisht ndjesore e hyjnore duke mbajtur qëndrime të idhëta me polemizuesit, të cilët asokohe ishin kundër gjuhës së kulluar.
Edhe më tutje Kostallari mbante parasysh thënien e Çurçillit që thoshte: “Suksesi nuk është absolut, dështimi nuk është fatal. Kurajoja për të vazhduar është ajo që ka rëndësi”.
***
Në bibliotekën hijerëndë arkitekti Kostallari nuk kishte harruar dhe një qoshe që ai e quante “Moska”. Aty gjuhëtari kishte sistemuar autorët rus në origjinal, të cilët i lexonte bashkëshortja e tij Evgjenia me origjinë nga Rusia të cilën e kishte dashuruar, që kur ishte student në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Si të gjithë ata që i patën gratë ruse edhe Androkli Kostallari u përplas me “krisje” e intriga nga Sigurimi i Shtetit. Por, profesori ishte kockë e fortë. Qe i ditur, i vendosur e krenar si çukat e Nemërçkës mbi Leusë, ku kishte lindur, e ku matanë Vjosës, ballë për ballë “ja bënte me sy” Frashëri, vendlindja e vëllezërve të mëdhenj. Dijetari Androkli Kostallari nuk u prek nga kjo “kleçkë” në biografi. Pikërisht tek këndi “Moska”, Evgjenia lexonte literaturë ruse dhe të përkthyer në gjuhë të tjera. E ndërsa profesori punonte në studion e veçantë, që ai metaforikisht e quante “zgavër”, e shoqja lexonte Pushkinin, Gogolin, Pasternakun, Shollohovin, Majakovskin, Lermontovin, Eseninin dhe shumë të tjerë. Çuditërisht gjarpërinjtë nga jashtë nuk u futën dot në bibliotekë për të vëzhguar se ç’fshihej aty. Siç duket shqiponjat e Nemërçkës dinin të bënin mirë roje.
E bija e gjuhëtarit, Irini Kostallari, mësuese në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Tiranë, edhe kur flet me kolegët, me nxënësit, me miqtë e të atit i duket sikur është në labirinthet e bibliotekës. E mban mend mirë kur babai, Androkli Kostallari, në krye të komisionit për hartimin e “Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe” punoi me aq dhimbje e pasion. Netë pa gjumë, udhëtime të largëta, mungesa në familje, kthimet si të kishte qenë në luftë, me t’u futur në korridor përfundonte në dush se kutërbonte nga djersa e siç e thoshte me humor e shoqja “binte era cjap”. Por në shtëpi përsëri nuk ishte i qetë. Kridhej në bibliotekë, nxirrte “trastën” e zbrazte fjalët, që i kishte qëmtuar nëpër atdhe. 1,500 emra lulesh kishte Leusa në shpatin e Nemërçkës. Me t’u kthyer në shtëpi nuk vinin vetëm punonjësit e Institutit të Gjuhësisë, por dhe bashkëpunëtorët shkencorë, studentët, malësorët, kosovarët, shqiptarët nga Maqedonia, bjeshkëtarët, mbledhës të bimëve medicinale, ish-të burgosur, xhambazë kuajsh, gjeologë, poet, studiues, përkthyes, mjekë, detarë, arkeologë, ministra e ambasadorë.
Nëpër bibliotekë nuk flitej për ndonjë “kryengritje”, as për “puçe”. Flitej vetëm për lumin e fjalëve të gjuhës shqipe. Të gjithë ata që vinin aty nuk binin shishe me raki, as ndonjë kec nga Leusa, ku ai kishte fisin e tij, por aty zbrazeshin “xhepat” e “hejbet” me fjalë. Ishte punë e mundimshme. Të gjitha fjalët e zgjedhura duhet të ishin shqip. Gjer ndaj të gdhiri i sistemonin fjalët së bashku me idhullin e tij, Eqrem Çabejn. Mes kësaj stuhie u botua “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, që po u reziston “kafshimeve” të një kohe me gjuhëtarë të trazuar. Profesor Androkli Kostallari ka botuar mbi 3,000 faqe, që përfshijnë studime në fushën e Leksikologjisë, Leksikograsfisë, Simantikës, Fjalëformimit dhe në mënyrë të veçantë të kompozitave.
***
Gjuhëtari Androkli Kostallari e kishte makth bibliotekën. Pikërisht për këtë arsye ai e la apartamentin dhe organet e pushtetit vendor të kohës i dhanë një kat në një shtëpi (vilë) afër Bllokut. E bija, Irini, thotë se paçka se i ati e konceptoi bibliotekën si një “rrap”, ai donte që “rrapi” të kishte hapësirë si livadhet mbi Leusë. Nëse do të kishte ndonjë “grindje” me bashkëshorten shkak do të bëhej ndonjë libër i bibliotekës. Për të shmangur “grindjet” profesori çdo ditë e raciononte kohën dhe me leckë në dorë pastronte çdo “gjethe” të librave. Një gram pluhur e nervozonte Kostallarin, i cili kishte mjaft halle në punë. Dhe sikur të paguhej si pastrues zyrash pastronte në mënyrë të paqtë fotot me miqtë të varura në degët e “rrapit”. Ishin me qindra foto si ato me Eqrem Çabejn, Stefanaq Pollon, Shaban Demiraj, Rexhep Qosen, Aleksandër Xhuvanin, Selman Riza, Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Dhimitër Shuteriqin, Aleks Budën, Mahir Domi e shumë të tjerë. Para se të flinte kontrollonte sobën, qirinjtë, prizat e gjithçka tjetër që mund të bëhej shkak për ndonjë shkëndijë elektrike apo për zjarr. Në një kasafortë të vogël çeliku kyçte shkrepëset, çakmakët, fenerët, e kandilin me vajguri që e kishte kujtim nga gjyshja në Leusë.
Na ka gjetur belaja me “Lomonosovin” thoshte e shoqja, Evgjenia, e cila e priste në shtratin bashkëshortor (tërë jetën ajo i thërriste Kostallarit “Lomonosov”). Dhe çuditërisht Kostallari që nuk lëshonte pe nofkën “Lomonosov” nuk e kundërshtonte brenda familjes.
***
Megjithëse jeta e gjuhëtarit i ngjan një stuhie që kurrë nuk pati një çast të qetë, ai i futur nën hijen e “rrapit” me libra, sikur merrte një sy gjumë. Shkencëtari Kostallari, i cili kishte parashikuar se sa mund të rronte biblioteka marramendëse me mijëra libra për të cilën kishte punuar dhe e kishte ndërtuar që kur qe kthyer nga Univerisiteti “Lomonosov” i Moskës nuk e kishte imagjinuar se qysh në gjallje të tij ai do të mbetej pa kulm mbi kokë dhe pikërisht për fatin e bibliotekës do të ikte nga kjo botë para kohe.
Me të filluar proceset “demokratike” vilës ku Kostallari jetonte me gjithë familjen dhe me thesarin e tij bibliotekën i doli pronari. Profesori që gjithë jetën ishte përplasur për gjuhën shqipe nuk ishte i zoti të bënte asgjë. Kudo që trokiti i dhanë shtymën me të dyja duart. Nuk kishte kujt t’ia hapte zemrën. Edhe kolegët që kishte lënë në Institutin e Gjuhësisë ishin në dramë e kishin në dorë vetëm “hapësat e kashtës”. Të shoqen Evgjeninë nuk donte që ta shqetësonte. Atë e kishin thinjur telashet para kohe. Meqenëse ishte bijë nga Moska, studiuesen e kimisë së tokës dikur e kishin çuar punëtore në Uzinën “Enver”. E ndiqte Sigurimi i Shtetit. Ajo nuk përfundoi në burg se Kostallari ishte për shkencën e kohës një “Nemërçkë” me vete. Prandaj, ai nuk i thoshte gjë Evgjenisë për telashin e hapur me pronarin e pamëshirshëm. Dhe po e vuante në vetmi “varenë” e pronarit që i rrinte mbi kokë. E kuptonte se po mbetej pa banesë. Gruan, Evgjeninë, vajzën Irinin, dhe djalin Adrianin po i linte në qiell të hapur.
Por, vuajtjen më të madhe e kishte me bibliotekën. Ku do t’i sistemonte mijëra libra? Dhe mendohej e mendohej në vetmi.
Thonë që vajti dhe në Leusë të Përmetit ku kishte lindur. Por, oda e vjetër e babait Hari Kostallarit ishte rrënuar. Nuk gjeti asnjë strehë tjetër për ta sistemuar bibliotekën. U kthye në Tiranë i tronditur. Në një fletore të thjeshtë miqtë e gjuhëtarit kanë gjetur të përkthyera dhe këto vargje të Dante Aligierit:
Lindur nuk jeni të rroni si kafshë
Po për të ndjekur virtyt e dituri.
Dhe krejt papritur, Androkli Kostallari pëson infarkt të miokardit dhe ndahet nga jeta. Askush nuk e priste vdekjen e tij. Në jetë nuk kishte pirë as duhan dhe as alkool.
“Im shoq vdiq nga marazi i bibliotekës”, do të thoshte ato ditë të gjëmës bashkëshortja e tij.
Evgjenia, e cila rrojti dhe disa vjet pas të shoqit, ka rrëfyer me dhimbje tek mikeshat e ngushta se në çastet më tragjike kur po jepte shpirt ia la amanet që t’ia shpëtonte bibliotekën. Por këtë amanet moskovitja nuk ia plotësoi dot. Ajo nuk mundi të sigurojë banesë as për vete e fëmijët dhe as për bibliotekën sa një mal.
Pas vdekjes së saj ngjarjet në familjen Kostallari rrodhën keq e më keq.
Evgjenia vdiq. I biri Adriani iku në Amerikë dhe mbeti në vetmi të skëterrshme e bija e vetme e Kostallarëve, Irini. Pronari i vilës i fitoi të drejtat. Ai do të futej në pronën e tij. I dha ultimatum Irinit që të delte sa më parë ndryshe bibliotekën me gjithë libra do ta digjte në oborr që të ngroheshin banorët e Tiranës së Re. Në këto rrethana e bija e profesor Kostallarit pa krah për një javë rresht mbushte thasët me libra dhe i çonte kioskë më kioskë dhe librari më librari në të katër anët e Tiranës. Irini e traumatizuar librat i shpërndante pa inventar e pa marrë ndonjë dokument nga librarët e nga kioskaxhinjtë. Ajo në makth tmerrohej kur pa asnjë mbrojtje e gjithë biblioteka do të digjej në oborrin e vilës. Nëse do të ndodhte kjo, më thotë në bisedë e sipër, vetë do të hidhej në mes të flakëve e do të bëhej shkrumb e hi bashkë me librat.
Irinin e ngushëllonte fakti që së paku librat do të shpëtonin “kokën” e do të ishin në familjet e tiranasve. Çdo libër kishte vulën me shënimin “Biblioteka Androkli Kostallari”. Ky ishte fundi aq i trishtuar për ëndrrën e profesorit, që të linte pas një thesar aq të vyer. Irini që është në prag të pensionit jeton fillikat në një hyrje me qira. Vitet e fundit po lufton për të mbledhur sa të mundet nga librat e shpërndara rrëmujthi miku i ngushtë i Androkli Kostallarit, pedagogu Kujtim Kapllani. Nuk e dimë sesa do t’ia dalë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje