Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi sot në Stuttgart, gjatë udhëtimit të parë që nga marrja e detyrës, se është Evropa ajo që duhet “të investojë më shumë” në mbrojtjen e saj.
“Kontinenti evropian meriton të jetë i sigurt nga çdo agresion, por vendet fqinjë duhet të investojnë më shumë në mbrojtjen individuale dhe kolektive”, tha ai për gazetarët pas vizitës së forcave amerikane në Gjermani.
“Mendja e shëndosh kërkon që të mbrosh lagjen tënde, dhe amerikanët do t’ju bashkohen për t’ju ndihmuar në këtë mbrojtje”, shtoi shefi i Pentagonit.
Ministri amerikan i Mbrojtjes po viziton këtë javë dy komanda ushtarake amerikane në Gjermani dhe pritet të marrë pjesë nesër në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s në Bruksel, si dhe në takimin e Grupit të Kontaktit për mbështetje ushtarake për Ukrainën.
Presidenti amerikan Donald Trump dëshiron që vendet e NATO-s të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtje, duke përcaktuar objektivin e 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).
Në Evropë ka një konsensus për nevojën e rritjes së shpenzimeve ushtarake, por pragu i 5 për qind konsiderohet i pamundur. Pjesa që Shtetet e Bashkuara shpenzojnë për mbrojtje është rreth 3 për qind.
Ministri amerikan përsëriti se Trump dëshiron të arrijë një “marrëveshje të shpejtë paqeje për Ukrainën”.
Ai u pyet në lidhje me mundësinë e dërgimit të forcave amerikane në atë vend, Hegseth u përgjigj se SHBA-të nuk do të dërgojnë forcat e saj në Ukrainë. /Telegrafi/