SHBA kërkon që Hamasi të largohet nga baza politike në Katar

Hamasi mund të detyrohet të mbyllë zyrat e tij në Katar, pasi SHBA-ja i tha shtetit të vogël të Gjirit se lejimi i vendosjes së bazës së grupit militant islamik atje nuk është më i pranueshëm.
Katari, një partner kyç i SHBA-së në Lindjen e Mesme, ka pritur zyrën politike të Hamasit për më shumë se një dekadë dhe ka lejuar shumë udhëheqës të lartë të organizatës të jetojnë atje.
“Pas refuzimit të propozimeve të përsëritura për lirimin e pengjeve, udhëheqësit e Hamasit nuk duhet të jenë më të mirëpritur në kryeqytetet e asnjë partneri amerikan. Ne ia bëmë këtë të qartë Katarit pas refuzimit nga Hamasi të një tjetër propozimi për lirimin e pengjeve”, tha zyrtari i lartë duke folur në kushte anonimiteti.
Bëhet e ditur se Hamasi ende mban rreth 100 pengje të kapur gjatë sulmit të befasishëm në Izrael tetorin e kaluar.
Ndërsa raunde të shumta negociatash që synonin t'i jepnin fund luftës 13-mujore në Gaza kanë dështuar, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.
Shteti i vogël por me ndikim i Gjirit ka qenë një ndërmjetës kyç në bisedimet për një armëpushim dhe ka të ngjarë të përmbushë kërkesën e SHBA-së, sipas analistëve.
Ndërkohë, udhëheqësit e Hamasit janë përgatitur për shumë muaj për t'u larguar nga Katari, me Turqinë dhe Irakun të sugjeruar si alternativa të mundshme.
Grupi hapi së fundmi një zyrë politike në Bagdad.
Ndryshe, kërkesa për Katarin vjen mes një stuhie aktivitetesh pasi administrata e presidentit amerikan, Joe Biden përgatit një përpjekje përfundimtare për t'i dhënë fund sulmeve izraelite në Gaza dhe Liban përpara se t'ia dorëzojë pushtetin Donald Trump, i cili ka thënë se edhe ai dëshiron të shohë një fund të konfliktit.
Megjithatë, nuk ka asnjë shenjë të menjëhershme se ndonjë përparim është i mundur.
Në raundet e mëparshme të bisedimeve, mosmarrëveshjet nëse ndonjë armëpushim do të ishte përfundimtar dhe tërheqja e trupave izraelite nga Gaza kanë bllokuar një marrëveshje.
Vëzhguesit kanë fajësuar Yahya Sinwar, liderin e Hamasit, dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për dështimin për t'i dhënë fund konfliktit, duke thënë se Sinwar nuk donte të ndalonte luftën që po dëmtonte pozitën ndërkombëtare të Izraelit dhe Netanyahu qëllimisht bllokoi marrëveshjet e njëpasnjëshme të mundshme për arsye politike të brendshme.
Katari ka pritur liderët politikë të Hamasit që nga viti 2012 kur grupi u largua nga Damasku pasi u përplas me regjimin sirian.
SHBA-ja e mbështeti masën në atë kohë, duke besuar se do të lejonte një kanal të dobishëm komunikimi për Hamasin.
Por, pas sulmit të vitit të kaluar nga Gaza në Izraelin jugor, në të cilin Hamasi vrau 1,200 njerëz dhe rrëmbeu 250 të tjerë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u tha udhëheqësve në Katar dhe në rajon se nuk mund të ketë më "punë si zakonisht" me Hamasin. /Telegrafi/







































